Nga prof.doc Seit Shahllari
Përgjegjës i Departamentit të Agromjedisit dhe Ekologjisë Universiteti Bujqësor i Tiranës
Ndotja në Porto Romano nga mbetjet, rrjedhjet toksike drejt nëntokës dhe detit si dhe gazrat me përmbajtje të substancave toksike kancerogjene që përfundonin në mushkritë e studentëve aty afër dhe banorëve, duket se po ja lënë vendin reabilitimit pas dekadash në qytetin ku kalon fluksi më i madh i turistëve gjatë stinës së verës. Mbase, asnjëherë nuk do të merret vesh se sa vite jetë u shkurtuan ose sa persona u prekën nga sëmundjet e rënda.
Gjetja e një zgjidhje për plehrat në Shqipëri ka bërë dekada histori: strategji, plane, ligje, workshope seminare, gazeta dhe diskutime pa fund, megjithatë plehrat ngelën kërcënim për njerëzit dhe mjedisin në shumë zona të Shqipërisë. Ndërkohë, mbyllja e plagës se mbetjeve në “Porto Romano” është
sukses, si ai i largimit të mbetjeve kancerogjene të Lindanit disa vite më parë.
Në fakt, Sharra bëri të mundur edhe shpëtimin e Durrësit nga situata katastrofike ku ishte katandisur. Ky park, mund të ofrojë për shumë vite, mundësinë e menaxhimit të mbetjeve për Tiranën, Durrësin dhe qendrat urbane për-rreth nëpërmjet riciklimit, eleminimit dhe depozitimit të sigurtë.
Pse dhe si u krijua Porto Romano ?
Të gjithë e dinë se shërbimi për mbetjet nuk mund të ofrohet nqs nuk paguajnë ata që i krijojnë ato. Durrësi për tre dekada nuk arriti të bënte funksionale politikën dhe infrastrukturën e menaxhimit të mbetjeve urbane sepse Bashkia nuk mundi të krijonte burimet financiare duke neglizhuar një problem të madh në një zonë bregdetare me ndjeshmëri të lartë mjedisore. Pozicioni gjeografik i Durrësit, shumë afër me bregdetin dhe nivelin e detit e bën të vështirë dhe shumë të kushtueshme infrastrukturën për mbetjet.
Disa zona (psh. Fshati Radë) kanë refuzuar me forcë ndërtimin e landfilldit për shkak të prespektivës agroturistike. Parimi ligjor “kush ndot paguan” nuk mund të përjashtojë qytetarët e Durrësit ose rezidentët e përkohshëm në hotele, deri sa ata krijojnë mbetje për të cilat nevojitet shërbimi i menaxhimit të tyre. Parku i mbetjeve në Sharrë, në një distancë rreth 40 km nga Porto Romano, është natyrshëm alternativë optimale derisa pagesa për mbetjet është afërsisht e njëjtë për qytetarët e Tiranës dhe të Durrësit.
Fundi i Porto Romano – si inkubatori më i madh i ndotjes në zonën bregdetare
Plehrat e Durrësit po trajtohen në Sharrë duke bërë të mundur çlirimin e qytetit prej tyre. Situata me plehrat në Porto Romano, duket se është qetësuar ashtu siç qetësohet deti pas stuhisë në brigjet e Durrësit.
Ndotja nga mbetjet, rrjedhjet toksike drejt nëntokës dhe detit si dhe gazrat me përmbajtje të substancave toksike kancerogjene që përfundonin në mushkritë e studentëve aty afër dhe banorëve, duket se po ja lënë vendin reabilitimit pas dekadash në qytetin ku kalon fluksi më i madh i turistëve gjatë stinës së verës. Mbase , asnjëherë nuk do të merret vesh se sa vite jetë u shkurtuan ose sa persona u prekën nga sëmundjet e rënda.
Në fakt, një hetim mjedisor duhet të paraprinte procesin e reabilitimit për të parë se deri ku ka shkuar e keqa. E kam fjalën këtu për një studim i cili do të tregojë se sa është kontaminuar toka dhe ujërat nëntokësorë deri ku shkojnë përmasat ose efektet në distancë dhe në kohë.
Media në vazhdimësi ka ndikuar në sensibilizimin e opinionit publik për çështjet mjedisore. Si në shumë raste, edhe në rastin e Porto Romanos media luajti rol pozitiv në përshpejtimin e vendimarrjes në dobi të komunitetit. Mua, më kanë ngelur në mëndje “kafshët që ushqeheshin me mbetje” në Spitallë dhe kam menduar për fatkeqësinë e atyre që kanë konsumuar produktet e tyre ose studentët që kanë thithur për vite gazin toksik. Opinioni publik ka nevojë për informacion, i cili përçon të vërtetën sidoqoftë ajo.
Në rastin e “Porto Romanos” të spekullosh me fatkeqësinë e tërmetit, duke thënë se Bashkia e Durrësit nuk ka buxhet për menaxhimin e mbetjeve do të thotë t’i lësh qytetarët të zhytur në plehra, në mëshirë të fatit ose ashtu siç ishin.
Megjithatë, plehra konsiderohen edhe mbetjet e letrës ku u shkruajtën plane menaxhimi pa fund, ku tregohen muhabete tenderash e histori të tjera, të cilat përfundojnë në Sharrë.
Nga prof.doc Seit Shahllari
Përgjegjës i Departamentit të Agromjedisit dhe Ekologjisë, Universiteti Bujqësor i Tiranës
(balkanweb)