Eeksperti i bujqësisë Ilir Pilku ka folur mbi vendimin për heqjen e akcizës së naftës për fermerët dhe se sa efekte do të ketë në bujqësi. I ftuar ne nje emision televiziv eksperti Pilku deklaroi se duhet më shumë monitorim, ndërsa për kompanitë që nuk përfitojnë nga fondet e IPARD, eksperti tha se duhet të mbështeten nga fondet kombëtare.
“Akciza ndikonte në kostot e fermerëve, por duhet parë forma organizative, pasi kemi eksperienca jo të mira. Deri në vitin 2006 kemi patur naftën pa akcizë, një problematikë e tejskajshme. Shqetësim është fakti se ne i marrim këto masa dhe nuk kemi parë asnjë lloj monitorimi se çfarë efekti kemi patur në bujqësinë tonë. Por ajo që dihet është se efekti në buxhetin e shteti do të jetë i madh. Certifikata fitosanitare lehtëson procedurat e tregtisë mes vendeve ballkanike dhe atyre që kanë ura kalimi dhe si të tillë e shoh mjaft pozitive. Duhet të jemi të kënaqur me sipërmarrjen në bujqësi, e cila ka akoma guximin të vazhdojë të investojë në bizneset e tyre. Ka një ecuri të jashtëzakonshme. Hartimi i politikave bujqësore lidh fatet e bujqësisë për periudhë 7 vjeçare, një shtyllë është IPARD dhe fondet kombëtare. Strategjitë e mëparshme janë të kontestuara, pasi kemi bimët medicionale dhe peshkimin të lënë në harresë, duke mos shfrytëzuar të gjithë elementët e bujqësisë. Këto strategji nuk janë parë në këndvështrimin e tregut ndërkombëtar. Duhet të studiohen të gjitha hallkat e zinxhirit të bujqësisë. Paradoksi është që kemi molle dhe importojmë lëngje molle, mungon një hallkë e zinxhirit, po ashtu kemi domate dhe kemi rreth 1.3 milion euro salcë të ardhur nga importi. Kemi bimët medicionale, për ato aromatike kemi 8 milion euro esenca. Çaji i malit, akoma nuk e kemi brendur, presim ta brendojë Bullgaria apo Maqedonia? Çdo vit Korça dëmtohet nga breshëri, duke sjellë humbje të mëdha, ndaj duhen inciativa, mbështetje”-tha Ilir Pilku.
Përsa i përket kompanive që nuk përfitojnë nga fondi i IPARD, eksperti i bujqësisë Ilir Pilku deklaroi se duhet të mbështeten nga fondet kombëtare. Ky shqetësim tha Pilku është kambanë për hartuesit e buxhetit dhe Ministria e Financave duhet ta shikojë me prioritet këtë çështje.