Reklame:

Autoriteti i Konkurrences: Prodhuesit e miellit fiksojne çmimin me marreveshje

Autoriteti i Konkurrencës ka arritur në përfundimin se kompanitë e prodhimit dhe tregtimit të miellit në vend përcaktojnë me marrëveshje çmimet e shitjes së këtij produkti.

Në përfundim të hetimit të thelluar të tregut, është konstatuar sjellja e bashkërenduar midis ndërmarrjeve Agro Blend, Miell Tirana, Bloja, Atlas dhe Atlas Mills, në tregun e importit të grurit, si dhe importit, prodhimit dhe tregtimit të miellit. Sipas vendimit, këto ndërmarrje bashkërendojnë sjelljen duke caktuar çmimet e shitjes dhe duke kontrolluar prodhimin në tregun e miellit për shkak të integrimit vertikal.

Në përfundim të hetimit, Autoriteti i Konkurrencës nuk ka ndërmarrë sanksione, por iu ka vendosur ndërmarrjeve detyrimin që të mos caktojnë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, çmimet e blerjes ose të shitjes, apo çdo kusht tjetër tregtimi, të mos kufizojnë ose kontrollojnë prodhimin, tregjet, zhvillimin teknik ose investimet dhe të mos ndajnë tregjet ose burimet e furnizimit.

Sipas analizës së AK, tregu i miellit paraqitet problematik duke qenë se ky produkt importohet pa përcaktuar destinacionin e tij përfundimtar të përdorimit, përqindjen e proteinës dhe rrjedhimisht cilësinë e produktit. AKU, në rolin e mbikëqyrësit të cilësisë dhe sigurisë së produkteve ushqimore, nuk përcakton nivelin e proteinës raportet e provës marrë në pikat e Inspektimit Kufitar. Kjo iu jep mundësinë importuesve të miellit të operojnë në treg me çmime më të ulëta, për produkte cilësisht të ndryshme duke deformuar tregun. Rrjedhimisht, çmimi i ulët i importit të miellit me përqindje proteinike të ulët, nëse është përdorur jashtë qëllimit të tij të përcaktuar, favorizon ndërmarrjet importuese, si rrjedhojë deformon tregun, duke i vendosur ndërmarrjet prodhuese në kushte të pafavorshme të konkurrencës.

Kjo mund të jetë nja arsyet pse AK nuk i ka gjobitur prodhuesit vendas të miellit, megjithëse ka arritur në konkluzionin se ata ndjekin sjellje të bashkërenduar për fiksimin e çmimeve, në shkelje të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”.

Për këtë arsye, Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur gjithashtu t’i rekomandojë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (MZHBR), që në bashkëpunim më njëra-tjetrën, të sigurojnë nxjerrjen e një akti nënligjor të përbashkët për të realizuar ndarjen e produktit miell i importuar sipas karakteristikave, cilësisë së produktit, destinacionit përfundimtar të përdorimit tij dhe përqindjes proteinike në “Nomenklaturën e Kombinuar të Mallrave” siç përcaktohet në udhëzimin nr. 207, datë 31.3. 2015 të MBZHR. Ky udhëzim e ndan miellin në katër lloje kryesore: miell gruri për prodhim buke me përqindje proteinike 12%; bazë picash, kruasante, petë me përqindje proteinike 12.5%; miell për ëmbëlsira, kek, biskota, petulla me pqërqindje proteinike 9%; makarona me përqindje proteinike 11%. Pas përditësimit të Nomenklaturës së Kombinuar të Mallrave, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit duhet të mundësojë kontrollin e nivelit të proteinës për miellin e importit, me qëllim përdorimin e këtij produkti në destinacionin përfundimtar tij.

Autoriteti i Konkurrencës vlerëson se tregu i prodhimit dhe shitjes me shumicë të miellit në vend nuk ka ndërmarrje me fuqi dominuese, por integrimi vertikal i ndërmarrjeve është një barrierë e fuqishme për hyrje të reja në treg, dhe sidomos në tregun e prodhimit të miellit, ku ndërmarrjet më të mëdha të importit të grurit janë dhe prodhuesit më të mëdhenj të miellit në vend. Pozita e konsoliduar e ndërmarrjeve në treg, qëndrueshmëria e pjesëve të tregut ndër vite, eksperienca apo reputacioni, teknologjia dhe kapacitetet e larta përpunuese krijojnë vështirësi për një hyrës të mundshëm të ri. (Monitor)