20 organizata mjedisore shqiptare nën drejtimin e EcoAlbania paraqitën propozimin për krijimin e Parkut Kombëtar të Vjosës tek Ministri i Mjedisit dhe Turizmit Blendi Klosi. Kauza e tyre mbështetet nga organizatat ndërkombëtare Riverwatch, EuroNatur, WWF Adria, Westland International Europe, International Rivers dhe The Nature Conservancy.
Grupi i organizatave ndihet i detyruar të ndërmarrë këtë hap pasi përfaqësuesit e qeverisë shqiptare kanë njoftuar se po punojnë për parkun kombëtar për muaj me radhë, por nuk kanë ndërmarrë asnjë hap drejt zbatimit të tij. Përkundrazi: “Sipas informacionit tonë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit nuk po planifikon të krijojë një park kombëtar, por një peizazh të mbrojtur (kategoria (V) dhe vetëm në rrjedhën e sipërme të Vjosës. Seksioni ekologjikisht më i vlefshëm i lumit – i cili është gjithashtu zona ku janë planifikuar hidrocentralet – do të mbetet plotësisht i pambrojtur. Prandaj, ne vendosëm të veprojmë dhe të paraqesim një propozim të plotë. Tani do të shohim se çfarë dëshiron me të vërtetë qeveria jonë: hidrcentrale apo një park kombëtar, “thotë Olsi Nika nga organizata EcoAlbania.
Sipas propozimit të organziatave, parku kombëtar duhet të përmbushë standardet e IUCN dhe të përfshijë të gjithë lumin Vjosa në Shqipëri si dhe degët e paprekura të Vjosës si Bënça dhe Shushica. Në total, Parku Kombëtar i propozuar i Vjosës do të mbulojë rreth 45,000 hektarë dhe do të mbrojë rreth 300 kilometra rrjedhë ujore. Kjo do të ishte unike në Evropë dhe Vjosa mund të bëhet Parku i parë Kombëtar i një Lumi të Egër në Evropë.
Deri më tani, 1,175 specie kafshësh dhe bimësh janë regjistruar përgjatë Vjosës, duke përfshirë 119 specie të mbrojtura sipas ligjit shqiptar dhe 39 specie që janë të listuara në Listën e Kuqe Ndërkombëtare të Specieve të Kërcënuara të IUCN. Në fakt, numri i specieve të rralla është ndoshta shumë më i lartë, pasi shumë zona të Vjosës dhe degëve të saj vështirë se janë eksploruar.
Një Park Kombëtar sipas kritereve të IUCN është kategoria më e përshtatshme e mbrojtjes për Vjosën, sepse jo vetëm garanton më së miri mbrojtjen e këtij ekosistemi unik, por gjithashtu sepse synon zhvillimin e ekoturizmit si një formë e turizmit miqësor me mjedisin si dhe edukimin mjedisor. “Të gjithë do të përfitonin nga Parku Kombëtar i Vjosës: Vjosa vetë, kafshët dhe bimët e saj, si dhe njerëzit e rajonit. Një park kombëtar do t’u jepte atyre gjithashtu një perspektivë ekonomike që pezazhi i mbrojtur dhe as ndonjë kategori tjetër e mbrojtjes nuk mund të garantojë “, thotë Ulrich Eichelmann nga organizata për ruajtjen e natyrës Riverwatch.
Sipas një analize nga grupet mjedisore, do të duheshin dy vjet për të planifikuar parkun kombëtar. Gjatë kësaj kohe, popullata duhet të përfshihet në proces dhe detaje të tilla si zonimi i saktë duhet të sqarohen. Në vitin 2023, Parku Kombëtar i lumit të parë të egër të Evropës mund të hapet zyrtarisht.
“Ne mbështesim organizatat mjedisore shqiptare në kërkesën e tyre për një park kombëtar. Ky lum meriton kategorinë më të lartë të mbrojtjes dhe jo diga! Çdo gjë më pak se një park kombëtar do të ishte e papërshtatshme për Vjosën. Ky lum i fundit i madh i egër në Evropë ka një rëndësi ndërkombëtare. Tani është radha e ministrit të turizmit dhe mjedisit, “thotë Annette Spangenberg, shefe e projekteve në EuroNatur.
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit tani duhet të shqyrtojë propozimin tonë dhe më pas ajo mund të follojë zyrtarisht procedurën e mbrojtjes.