Prodhimi i drithrave të bukës gjatë vitit 2020 ka pasur një tendencë rritjeje me 2.7 për qind krahasuar me një vit më parë, por edhe me vitin 2018 dhe pse nivelet mbeten të ulëta në raport me nevojën për konsum të brendshëm. Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, “Shqipëria në shifra, gjatë viti që lam pas ka prodhuar nga fermerët shqiptarë 684 mijë ton drithra, 666 mijë ton në 2019 dhe 678 mijë ton në 2018. Por ajo që vihet re është se prodhimi i grurit, i cili është edhe më i konsumuari nga qytetarët, ka pasur rënie në raport me 2018.
Fermerët shqiptarë kanë prodhuar në total rreth 233 mijë ton grurë gjatë vitit që lam pas, me një rritje të lehtë krahsimisht me 2019-ën, por me një rënie prej 7 mijë ton në krahasim me 2018. Niveli i prodhimit mbetet ende në nivele propblematike në raport me konsumin, duke mos mbuluar as gjysmën e kërkesës, ku pjesa tjetër kompensohet totalisht nga importi i shteteve si Serbia, Ukrahina, Rusia, etj.
Kjo varësi ka sjellë edhe rritjen e çmimit të blerjes së grurit për shkak të kushteve klimatike në këto vende dhe rënies së prodhimit, çka është pasuar me rritjen e çmimit të miellit dhe të bukës me 10 lekë. Ndërsa drithrat e tjera si misër, elb, thekër, tagjira, kanë rezultuar me rritje të prodhimit nga viti në vit. Më së shumti vendi ynë prodhon sasi misri, në rreth 399 mijë ton gjatë 2020-ës.