Reklame:

Minipemet, fruta ta fresketa ne ballkonet e pallateve

Shkenca ka evoluar dhe hibride pemesh të ndryshme janë krijuar për t’u rritur nëpër vazo, që ndryshe mund të quhen frutat urbane. Ato kanë shije dhe aromë ashtu sikurse një pemë e rritur në tokë.

Në treg mund të gjenden një sërë varietete minipemësh, duke e nisur që nga molla, dardha, qershia e deri te agrumet.

Qershia në miniaturë “Cherry Sylvia” është një pemë që s’duhet të mungojë nëpër ballkone apo veranda.

Kumbulla vardare apo “Black Amber”, është një tjetër varietet që rritet perfekt në vazo të mëdha.

Ajo ka aromë dhe shije të ëmbël si varieteti i tokës.

Dardha “Doyenne du Comice” është një nga frutat më të shijshëm dhe aromatike në treg ndërsa për mollën ka disa varietete që rriten në vazo.

Molla “Gala” dhe “Golden” janë dy prej tyre e që të gjitha këto minipemë janë shumë të favorizuara të rriten në Shqipëri pasi koha është perfekte.

Si mund t’i mbjellim këto minipemë

Këto minipemë duan vazo të mëdha me diametër 50-70 centimetra. Ato rriten vertikalisht e shkojnë të gjata deri në një metër.

Këto fruta të bukura nuk duan kujdes të tepruar. Duan diell, të ujiten rregullisht nga pak, çka do të thotë që dheu në vazo të mos jetë as i thatë fare por as i tejngopur me ujë.

Duan pleh të mirë organik pasi ka nevojë për ushqim dhe përkujdesje për të hequr degët e thara dhe ato të dobëta për t’i dhënë fuqi degëve të shëndetshme.

Me pak fjalë në këtë lajm të AgroWeb.org, dedikim vetëm 2 minuta në ditë. Prodhimtaria e minipemëve është e përvitshme dhe një rrënjë e tillë mund të jetojë deri 20 vjet duke dhënë fruta.

Ata që janë më qeflinj për bujqësinë urbane, duhet të marrin dy-tre varietete të së njëjtës pemë frutore e mund të bëjnë vetë shartimin e tyre. Në Shqipëri ka disa pika tregëtimi, ku përveç fidanëve normalë shiten dhe minipemë.

Limonët dhe mandarinat mini kushtojnë 3 mijë deri 5 mijë lekë, ndërsa mund të porosisni tek tregtarët e luleve, pemët e frutave në vazo, që janë lehtësisht të gjendshme.

Nëse jeni të interesuar për t’u marrë me këtë aktivitet, atëherë duhet t’i kërkoni këto minipemë në fidanishtet, pemishtet dhe pikat e tregtimit të luleve me shumicë pranë qyteteve apo qendrave tuaja të banimit.