Reklame:

Debati per RTSH-ne dhe detyrimi per ta rikthyer te publiku!

Nga Diana Kalaja – Debati për transmetuesin publik, RTSH, është rindezur pas dorëheqjes së Drejtorit të Përgjithshëm në fillim të këtij shtatori. Rihapja e debatit, e lidhur me këtë dorëheqje, dhe kandidatët e mundshëm për të marrë detyrën apo më qartë postin e Drejtorit të Përgjithshëm, është tregues i personalizimit të një media publike rreth një emri, qoftë ky edhe drejtuesi më i lartë i saj. Ndërkohë që debati për të pasur një transmetues publik dinjitoz, që të pasqyrojë problematikat dhe jetën reale të vendit, duhet të jetë i vazhdueshëm dhe të përfshijë të gjitha grupet shoqërore, duke u bërë tregues i zhvillimit demokratik të vendit.

Pas rreth 15 muajsh nga ndryshimi i drejtuesve kryesorë, dhe me gjithë reklamën në Televizionin Shqiptar “RTSH po rikthehet” e cila më shumë tregonte mure të lyer që riktheheshin, apo hard-disk që ndërroheshin me formate të rinj, se sa programe të reja për shikuesit, RTSH është përsëri në pikën e nisjes.

Situata aktuale, tregon se RTSH ende është e ngarkuar me peshën e rëndë të fuqisë së emrit të saj, të cilës nuk i vendos dot përballë fuqinë e programacionit të saj, pasqyrimit të së përditshmes së shoqërisë shqiptare.

Nëse shikon faqen online të RTSH, është e vështirë të gjendet se cili është programi që transmetohet dhe në cilin nga kanalet televizive. Kaq mjafton për të treguar se sa pak është investuar për të ndërtuar institucionin brenda RTSH-së. Institucioni dhe veçanërisht media, mbahet në radhë të parë nga ndërtimi i programeve, strukturave dhe mekanizmave, të cilët nuk i merr era e ndryshimit të drejtuesve të radhës, drejtues ekzekutive apo bordesh.

Media para së gjithash është produkt i stafeve krijuese dhe artistike, gazetarëve, teknikëve dhe regjisorëve, skenografëve, orkestrantëve dhe programuesve, të cilat japin ide dhe prodhojnë programe televizive, ata janë bërthama e medias. Ndër vite këta ata qenë krenaria e RTSH-së. Pa e kthyer vëmendjen sërish tek krijuesit, edhe drejtuesit e radhës në RTSH do të jenë thjesht një kalim në kohë dhe në post, pa mundur të realizojnë detyrën e rikthimit të RTSH-së te publiku dhe jeta reale.