Reklame:

2 Shkurti – Dita Botërore e Ligatinave

 “Ligatinat dhe njohuritë tradicionale: Festimi i trashëgimisë kulturore”
2 Shkurti i çdo viti është shpallur si “Dita Botërore e Ligatinave”; kjo ditë shënon datën e miratimit të Konventës për Ligatinat në 2 Shkurt 1971 në qytetin Iranian të Ramsar-it. Ligatinat ose sistemet e “tokave të lagura”, janë sipërfaqe ujore të përhershme ose përkohshme deri në 6 metra thellësi, dhe përbëjnë një ekosistem mjaft të rëndësishëm që siguron larmi përfitimesh përfshirë filtrimin e ujit, sigurimin e biodiversitetit, mbrojtjen e bregdetit dhe zbutjen e ndryshimeve klimatike.
Publiku i gjerë është pak i ndërgjegjshëm për këto shërbime të rëndësishme të ligatinave. Shumë pak vetë e dinë se në vendin tonë 3% sipërfaqe së tokave të lagura në bregdet, strehojnë 75% e vlerave të biodiversitetit. Në jo pak raste, ligatinat janë shndërruar në vende për hedhjen e mbeturinave apo janë transformuar në toka buke apo terrene ndërtimi.
E përqendruar rreth temës “Ligatinat dhe njohuritë tradicionale: Festimi i trashëgimisë kulturore”, fushata e këtij viti për Ditën Botërore të Ligatinave vë në dukje rolin e përjetshëm të njohurive tradicionale në mbështetjen e ekosistemeve të ligatinave dhe ruajtjen e identitetit kulturor.
Mirëqenia njerëzore është e lidhur në mënyrë të pakthyeshme me gjendjen e ligatinave në botë. Ne jemi të varur nga këto ekosisteme që mbështesin jetën. Por ato duhet të jenë të shëndetshëm nëse duam të vazhdojnë të na ofrojnë ujë dhe ushqim, të mbështesin biodiversitetin, të sigurojnë mjete jetese, të mbrojnë nga ngjarjet ekstreme të motit dhe të zbusin ndryshimet klimatike.
Dita Botërore e Ligatinave është një mundësi e mirë për të kërkuar ndryshimin e situatës dhe ndërgjegjësuar publikun mbi rëndësinë që kanë ligatinat për të ardhmen e njerëzimit.