Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Indeksin e Çmimeve të Inputeve dhe Çmimet në Bujqësi” për periudhën 2015-2018.
Sipas metodologjisë së Eurostatit, ASK-ja ka bërë ndërrimin e vitit bazë të indeksit të Çmimeve të Inputeve në Bujqësi nga 2010=100 në 2015=100.
Për të bërë krahasime dhe për t’i vërejtur ndryshimet janë prezantuar të dhëna për vitet 2015-2018 dhe për vitin bazë 2015.
Në njoftimin e ASK-së thuhet se publikimi është i bazuar në çmimet e inputeve bujqësore të grumbulluara në Kosovë. Grumbullimi i çmimeve është kryer në barnatoret bujqësore, farmacitë veterinare, në kompani, tregje dhe në vende të tjera, ku çmimet e inputeve bujqësore janë në dispozicion. Disa çmime të inputeve bujqësore janë marrë nga çmimet e konsumit (IHÇK) në ASK.
Produktet, të cilat e përbëjnë bazën për Indeksin e Çmimit të Inputeve janë të ndara në dy grupe kryesore: Mallrat dhe shërbimet aktualisht të konsumuara në bujqësi (Input 1) dhe Mallrat dhe shërbimet që kontribuojnë në investimet në bujqësi (Input 2). Brenda grupit të Mallrave dhe shërbimeve aktualisht të konsumuara në bujqësi, çmimet grumbullohen sipas grupeve në vijim: farëra dhe material mbëltues, energji; vajra, plehra dhe përmirësues të tokës, produkte për mbrojtjen e bimëve dhe pesticide, shpenzime për veterinari, lëndë për ushqimin e kafshëve, mirëmbajtje e materialeve, mirëmbajtje e ndërtesave, si dhe mallra dhe shërbime të tjera. Sa i përket mallrave dhe shërbimeve që kontribuojnë në investimet bujqësore, çmimet grumbullohen për materiale (makineri dhe pajisje të tjera), ndërtesat dhe të tjera (ndërtesat jo-rezidente të fermës, punët e tjera përveç përmirësimit të tokës)”, thuhet në komunikatën e ASK-së.
Më tej ASK thekson se në vitin 2018, indeksi vjetor i inputeve ka rënie për (-1.5%) për Input 1, kurse Indeksi për Input 2 ka rënie për (-0.9%), krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2017. Indeksi i Inputit të përgjithshëm (Input 1+Input 2) ka rënie për për (-1.2%), krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2017.
“Indeksi vjetor i Inputeve, në vitin 2018, ka rënie për (- 6.0%) për Input 1, krahasuar me vitin 2015. Kurse, Indeksi për Input 2 ka rritje për 2.6% në vitin 2018, krahasuar mevitin 2015. Indeksi i Inputit të përgjithshëm (Input 1+ Input 2) ka rënie për (-2.2%), krahasuar me vitin 2015”, bën të ditur ASK në komunikatën për media.