Paraprakisht duhet pasur shumë kujdes në zgjedhjen e materjalit (thelbinjëve) për mbjellje, sepse mund të jenë të infektuar. Tek ne zakonisht fermerët shfrytëzojnë për mbjellje thelbinjtë e hudhrës të prodhuar nga prodhimtaria e rregullt e saj. Si material për mbjellje shfrytëzohen thelbinjtë e shëndoshë, të pa deformuar dhe kryesisht nga pjesa anësore e bulbit.
Përgatitja e tokës
Përgatitja e tokës fillon në vjeshtë, ndërsa për mbjelljen vjeshtore fillohet menjëherë pas largimit të para-kulturës. Në pranverë punimi plotësues duhet të fillojë sa më herët që të jetë e mundur.
Qarkullimi bimor
Hudhra kultivohet pas lakrës, pas drithërave dhe pas disa perimeve të hershme. Në të njëjtën sipërfaqe nuk preferohet të mbillet rresht për 3–4 vite. Në anën tjetër hudhra është parakulturë shumë e mirë për shumicën e bimëve të tjera perimore.
Mbjellja
Mbjellja (ndërrimi) e thelbinjëve bëhet me dorë ose në mënyrë të mekanizuar. n Tek mbjellja pranverore, mbjellja e thelbinjëve bëhet sa më herët që të jetë e mundur (zakonisht deri nga mesi i marsit). Ndërkaq, tek mbjellja vjeshtore afati optimal i mbjelljes është nga mesi i tetorit. Mbjellja e thelbinjëve duhet të bëhet në thellësi rreth 3 cm.
Distancat e mbjelljes janë të ndryshme dhe ato sillen rreth 25–30 cm ndërmjet rendeve dhe 8–10 cm ndërmjet bimëve në rend. Sasia e thelbinjëve për hektar është rreth 700–1000 kg, ndërsa te mbjella vjeshtore kjo sasi mund të jetë diç më e lartë.
Masat e përkujdesit gjatë vegjetacionit
Masat e përkujdesit gjatë vegjetacionit bazohen në kultivimin ndërmjet rendeve, mbrojtjen nga sëmundjet dëmtuesit dhe barojat. Gjithashtu kujdes duhet treguar për ujitjen e bimëve dhe eventualisht ri-plehërimin e tyre.
Kultivimi ndërmjet rendeve është masë e obligueshme.
Ujitjeve (sidomos tek mbjellja pranverore) duhet kushtuar kujdes. Fazat më kritike për ujë janë dy–tri javët e para pas mbjelljes së thelbinjëve dhe rritës intensive të pjesës mbitokësore deri te formimi i plotë i bulbit (në kushtet tona deri nga mesi i qershorit). Andaj në këtë fazë duhet pasur kujdes që varësisht nga kushtet konkrete në fushë të aplikohet edhe ujitja. Zakonisht aplikohen 2–3 ujitje.
Vjelja
Vjelja e hudhrës kryhet kur bëhet tharja masive e pjesës mbitokësore të bimëve. Hudhrat që nuk e kanë të tharë pjesën mbitokësore apo që vjelën gjatë kohës kur ka shumë të reshura ruhen me shumë vështirësi dhe si të tilla është më mirë të përdoren për konsum të menjëhershëm. Pas vjeljes pjesa e tharë mbitokësore (sikurse edhe rrënjët) duhet të pastrohet. Në vendet për ruajtje hudhra duhet të vendoset e terur. Ruajtja e hudhrës bëhet në mënyrë të ngjashme sikurse edhe qepa.