Mungesa e vitaminës D në organizëm është një problem shëndetësor global. Shumë vende kanë ndryshuar protokollet e mjekimit për të ulur mungesat dhe pasojat në shëndet.
Në Shqipëri e ashtuquajtura “vitamina e diellit” jepet vetëm në vitin e parë të jetës në konsultoret e qendrave shëndetësore.
Mjekët pediatër propozojnë ndryshimin e protokollit të mjekimit me vitaminën D për shkak të pasojave komplekse në shëndet.
Sipas pediatres Vjollca Pallaveshi, “mungesa e vitaminës D tek fëmijët është problematikë e madhe, në vendet me 320 ditë diell merret deri në 5 vjeç, tek ne fëmija e merr nga 1 deri në 2 vjeç, vendos mjeku. Vitamina ndikon në sistemin imunitar dhe kardiovaskular, nervin okular etj”.
Në vendin tonë nuk ka studime të mirëfillta për mungesën e vitaminës D dhe sëmundshmërinë në popullatë. Niveli i saj në organizëm mund të matet vetëm përmes një analize gjaku.
Mjekët rekomandojnë kontrollin e vitaminës D në gjak veçanërisht tek fëmijët dhe moshat e treta.
“Çdo pacient duhet të verifikojë a ka mangësi të vitaminës D, dhe kjo falë një analizë të thjeshtë gjaku, që kryhet brenda ditës”, thotë mjekja Valbona Fazlli.
Mundësia më e mirë për përthithjen e vitaminës D është ekspozimi i lëkurës në diell.
Por ndryshimi i stilit të jetës, ka bërë që dhe popullsia shqiptare të vuajë nga problemet shëndetësore dhe pse jemi një vend me rreth 300 ditë diell në vit. (A2)