Reklame:

Hekuran Zhiti, qe krijoi antipodin e “Epopese se Ballit Kombetar”

30 vjet më parë, në 15 mars, mbylli sytë autori i shumë komedive dhe dramave, por dhe i satirave në vargje, edhe elegjive, aktor profesionist, por dhe mësues i nderuar, Hekuran Zhiti (1911–1989).

Vinte nga Tomorica, nga Mali i Tomorrit ose “Olimpi i shqiptarëve”. Në vitin 1932 kreu shkollën “Normale” te Elbasanit, me drejtor të parë Luigj Gurakuqi, me mësuesit e tij Simon Shuteriqi, babai i shkrimtarit Dhimitër Shuteriqi, e Karl Ljarja, babai i aktorit Rikard Ljarja, etj. Shok klase kishte dhe shkrimtarin e ardhshëm Stero Spasse.

Studenti Hekuran Zhiti spikati si talent i skenës dhe i poezisë dhe më pas si mësues.

Pasi punoi në disa krahina në Jug, në vitet e Luftës së Dytë Botërore ishte në Berat dhe iu përkushtua lëvizjes kundër pushtimit të vendit dhe u bashkua me nacionalistët. Bashkëpunoi me patriotët Mi’that Frashëri, Abaz Ermënji, Sejfi Protopapa, Safet Butka, me Margarita e Kristaq Tutulanin, me shkrimtarët Vexhi Buharaja, Mustafa Greblleshi, etj.

Shkruajti elegji për të rënët njëlloj, qoftë nga partizanët, qoftë nga Balli Kombëtar, shkruajti drama, satira e komedi, në të cilat luante dhe vetë dhe pasqyronte kohën dhe njerëzit.

Mbas luftës, jeta e tij do të ishte një luftë tjetër, me persekutime e përndjekje, por falë qëndresës dhe talentit do t’ia dilte të bëhej aktor profesionist në Teatrin e Estradës së qytetit të Lushnjës, themelues i së cilës ishte, mes të cilëve dhe muzikanti i madh Fotaq Filipeu, i posaliruar nga burgu.

 Bashkëpunoi me aktorët Dhimitraq Nushi, Zana Aliçka, Jovan Bizhyti, Petraq Dhimitri, Athina Vogli, Myzejen Nepravishta, etj, me regjisorin Tahsim Demiraj, Naim Nova, Gëzim Libohova, etj. Hekuran Zhiti, aq sa u bë i njohur dhe i vlerësuar nga populli, deri dhe nga regjisorë si Piro Mani e aktorë si Kadri Roshi, nga këngëtarja Vaçe Zela, etj, po aq dhe pengohej, nuk mund të botonte vepra, veçse ndonjë skeç nga moria e pafund e tyre me ndihmën e shkrimtarëve Tahsim Aliaj apo Dionis Bubani, teksa vleresohej dhe nga kritikët Razi Brahimi, Miho Gjini, nga shkrimtari Pëllumb Kulla, etj, etj.

Miq të tij do të ishin dhe të internuarit fushëtirave të Lushnjës andej nga ishte dhe kardinali i parë i ardhshëm, muzikant ndër kohë, Mikel Koliqi, por dhe shkrimtarët Lazër Radi e Pano Taçi, aktori dhe parodisti Gjosho Vasija me të cilin bashkëpunoi, etj, etj.

Me vendosjen e demokracisë në vend, emri i Hekuran Zhitit rilindi dhe po përkujtohej, duke u botuar në median shqiptare edhe jashtë, përveçse në Kosovë e Maqedoni, te arbëreshët në Itali, në Zvicër dhe SHBA.

Eshtë vlerësuar nga poetët Xhevahir Spahiu e Faslli Haliti, i cili do të krijonte një çmim letrar me emrin e tij. Shkrimtari Vath Koreshi do ta quante “klasiku i Lushnjës”. Historiani dhe shkrimtari Uran Butka do të shkruante me nderim. Shkrimtarja Eglantina Mandia do t’i kushtonte një tregim si nxënëse e tij.

Miq të tij do të ishin dhe inxhinierë si shkencëtari dhe studiuesi Mërgim Korça, apo Doktor Prenjo Imeraj, etj, dhe brezat e mëpastajmë si shkrimtari Halil Jaçellari, poetët Bujar Xhaferri, Sherif Bali, Shpend Sollaku, Ilir Levonja, po dhe Petrit Qalliu, Lekoja, Friskoja, Lirija, etj. etj. Do të shkruanin e do ta kujtonin nga Lushnja gazetarët Kozma Gjini, Dalip Greca, Jozef Radi, etj.

Skulptori Maks Bushi do të bënte një portret të tij ashtu siç bënë qysh në diktaurë skulptorët e rinj Arian Bafa e Ilir Paço, kurse piktori shkodran Guljelm Mosi do të kompozonte takimin e poetit kombëtar Atë Gjergj Fishat me Hekuran Zhitin, se vërtet ishin takuar një herë.

Grupi i shoqatës “Tomori” i ka ngritur dhe këngë.

Dramaturgu, aktori dhe mësuesi Hekuran Zhiti tashmë ka marrë vlerësime, dekorata e tituj të ndryshëm nga bashkitë e vendeve ku ka punuar. Është shpallur “Qytetar Nderi” i Lushnjës dhe një rrugë ka emrin e tij.

BOTIMET:

Janë botuar postume 3 libra të tij, të mirëpritura nga lexuesi dhe kritika letrare.

-“Kryengritje shqiptare në parajsë”, Bot. Omsca-1, Tiranë, 2004), përmbledh poezi dhe poema, të shkruara gjatë Luftës II Botërore, para dhe pas saj, më shumë satira, për të cilat dhe shquhej dhe është quajtur nga shkrimtari klasik Nonda Bulka si “Gjergj Fishta i Toskërisë”.

-Poema epike “Përqafimi i dy kundërshtarëve”, botuar dhe dramatizuar në vitet e pushtimit nazi-fashist, shfaqur në shumë qytete dhe në Kinema “Kosova” në Tiranë, por dhe pas rënies së diktaturës komuniste. Shkrimtari dhe studiuesi i njohur, Prof. Agim Vinca shkruan në veprën “Struktura e zhvillimit të poezisë shqipe (1945-1980)”, Prishtinë 1997, në kapitullin “Poezia si akt moral”:

Një krijim interesant i kohës së luftës, antipod i poemës “Epopeja e Ballit Kombëtar” të Shefqet Musarajt… (që) luftën dhe antagonizmat e saj në Shqipëri nuk i sheh në planin ideologjik dhe politik, por në atë kombëtar. Siç e thotë edhe vetë titulli i saj, ajo kërkon përqafimin e kundërshtarëve, pra pajtimin kombëtar midis palëve në konflikt: partizanëve dhe ballistëve…

        Autori e parandjen se përçarjet dhe vëllavrasjet që filluan gjatë luftës do të vazhdojnë dhe pas saj. Shqiponja është simbol i flamurit dhe i atdheut. Ajo lë dhe dy porosi, me anë të të cilave kërkon bashkim e përparim për Shqipërinë dhe përmend Kosovën dhe Çamërinë e robëruar. Dy vargjet ku apostrofohen ato, janë ndër më të bukurat e poemës: Si i ngjau Kosovës dhe Çamërisë së shkretë,/ Ëndërruan lirinë, u bënë ëndërr vetë.”

Kjo poemë u dramatizua sërisht dhe u vu në skenë në teatrin e Lushnjës nga regjisori Llukan Kola.                                                              

-“7 KOMEDI” (Bot. Omsca-1, Tiranë 2006) një befasi e madhe për botën teatrore dhe të letrave, ku vijnë njëherësh 7 komedi: “Nusja në thes”, “Palla e nderit”, “Shakaxhinj dhe batakçinj”, “Magjistari i rremë”, “Gratë e atij fshati”, “Rruga e Skraparit, “Të përmbysurit”.

Kritiku i mirënjohur i teatrit, Prof. Dr. Josif Papagjoni shkruan në “Mehr licht”, Tiranë 2007 dhe më pas e përmbledh në “ENCIKLOPEDI Teatri & Kinematografia shqiptare, Tiranë 2009: “HEKURAN ZHITI – shpirti krijues që priti kaq gjatë”: Një zbulim… çka është një ringjallje e shpirtit të një autori që lipset të zërë vendin e vet të merituar në banesën e hirshme të dramës e të teatrit, një ringjallje… A ishte e mundur vallë të ekzistonte një krijimtari e tillë dramaturgjike në vitet 1944-1946, ku thuhej se edhe janë shkruar këto pjesë? A ishte e mundur të shpëtonte pa u vënë re ky autor elegant, aq shpotitës, modelimi i një moleriani shqiptar, a Kalderoni, a Goldoni, plot shije e nur?

…nuk mund të rrimë pa shfaqur habinë dhe admirimin tonë të sinqertë. Në çast më vijnë në mendje autorë të tillë si Kristo Floqi me komeditë e tij të shkurtra apo Et’hem Haxhiademi me tragjeditë e tij. Janë bashkëkohës në letërsi, dy të parët tashmë të mirënjohur dhe me vendin e tyre të nderit në historinë e dramaturgjisë shqipe, kurse Hekuran Zhiti krejt i panjohur, pa një vend meritor dhe, detyrimisht, me nxitimin për t’i dhënë kurorën e mohuar që i takon…”          Kritiku tjetër letrar dhe i teatrit, Mexhit Prençi, thekson “Vizioni i qartë i autorit e ka orientuar që ta kërkojë të qeshurën komike, jo te hunda e shtrembët, as te gunga e kurrizos, as duke u tallur me dialektet e gjuhës shqipe, apo përqeshur personalitetet e ndritura historike të kombit (siç ndodh sot në më shumë se një ekran televiziv) por te morali i deformuar i njeriut dhe shpirti i shëmtuar i tij”.

-Drama “Të mblidhemi në Lushnjë” (Bot. Uegen, Tiranë 2011), e shkruar në vitet 1969-1970, ku shpalosen ngjarjet e Kongresit famëmadh të Lushnjës, i mbiquajtur dhe si pavarësia e dytë e Shqipërisë. Është e vetmja dramë që i kushtohet këtij akti të madh kombëtar. Duke qenë se jemi në prag të 100 vjetorit të këtij kongresi, skena e pret këtë dramë…

(politiko.al)