Reklame:

Fermeret larg granteve – Ne 4 muaj, vetem 480 prej tyre jane pajisur me NIPT

Ndërsa fermerët e kanë të vështirë t’i përthithin fondet e IPARD II për shkak të kritereve të forta të vendosura nga Bashkimi Europian, subvencionet nga Skemat Kombëtare janë lehtësisht të arritshme.  Kushti kryesor, është pajisja e fermerit me NIPT. Në këtë drejtim, duket se ka pasur lëvizje, por jo në pritshmëritë e duhura.

Konkretisht, të dhënat zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve tregojnë se  nga 354 mijë fermerë në të gjithë vendin, 41. 259 janë të regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit,  ndërsa më shumë se 312 mijë vijojnë të mos përfitojnë subvencione nga shteti dhe as të mos bëjnë përpjekjen më të vogël për tu bërë pjesë e tyre dhe pse nuk kanë asnjë kosto. Megjithatë, krahasuar me shifrat e katër muajve më parë,  numërohen rreth 480 fermerë të cilët janë formalizuar së fundmi.  Indiferenca lidhet më së shumti edhe me mungesën e informacionit por edhe të mosbesimit se ata mund të jenë përfitues të këtyre granteve, ndërsa pothuajse çdo vit fondet në bujqësi shkojnë tek ata që e kanë mësuar “rrugën”.

Kështu, pavarësisht se Ministria e Bujqësisë ka sërish në dorë një instrument të fuqishëm financimi prej 94 milion eurosh, një fond i përbashkët midis Bashkimit Europian dhe Shqipërisë si dhe 5 milionë euro për skemat kombëtare,  sërish do të lërë të pambuluar pjesën e  “padukshme” të bujqësisë shqiptare, të cilët punojnë më së shumti në këtë sektor për arsye mbijetese dhe nuk tentojnë ta kthejnë atë në një mekanizëm zhvillimi dhe për rritje të të ardhurave. (scan)