Reklame:

Pronat ne bregdet, publikohen 67 hartat me zonat ku pezullohet kalimi i titujve

Një vit më parë qeveria përmes një vendimi ngriu  procedurën e kalimit të titujve të pronësisë në gjithë bregdetin. Një vit më pas duket se është ngushtuar grupi i pronave ku kalimi i pronësisë pezullohet perkohesisht. Një vendim i publikuar së fundmi në Fletoren Zyrtare përmban të paktën 67 harta me zonat e sakta që do t’i shërbejnë njësive vendore si orientim për të bërë pezullimin e kalimit në pronësi të përfituesve të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit në mbështetje të projekteve investuese në turizëm.

Kështu vendimi thotë se Këshilli i Ministrave vendosi pezullimin e përkohshëm të vijimit të procedurave të kalimit në pronësi të përfituesve të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore, në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit, në mbështetje të projekteve investuese në turizëm, sipas hartës bashkëlidhur këtij vendimi, publikuar edhe në Gjeoportalin Kombëtar, të administruar nga Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG), deri në kalimin/ regjistrimin e pasurive të paluajtshme shtetërore, në zbatim të nenit 34, të ligjit nr. 93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar, dhe të akteve të tjera nënligjore në fuqi.

Pika 2 e vendimit thekson se harta bashkëlidhur këtij vendimi përfshin pasuritë e paluajtshme, të evidentuara në zonat kadastrale, të miratuara me vendimet e Këshillit të Ministrave, nr. 707, datë 21.11.2018, “Për kalimin në përgjegjësi administrimi të ministrisë përgjegjëse për turizmin të disa pronave të paluajtshme shtetërore, në vijën bregdetare Shkodër–Fier” dhe nr. 708, datë 21.11.2018, “Për regjistrimin dhe kalimin në përgjegjësi administrimi të ministrisë përgjegjëse për turizmin të disa pronave të paluajtshme shtetërore, në vijën bregdetare Vlorë-Sarandë.

“Njësitë e vetëqeverisjes vendore, territori administrativ i të cilave përfshihet në hartën e përmendur në pikën 1, të këtij vendimi, të pezullojnë procedurat e kalimit në pronësi të tokës së ish-ndërmarrjeve bujqësore, në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit, pavarësisht nga faza procedurale, menjëherë me hyrjen në fuqi të këtij vendimi. Ngarkohet Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme Shkodër, Lezhë, Kurbin, Durrës, Kavajë, Rrogozhinë, Divjakë, Fier, Vlorë, Himarë, Sarandë dhe Konispol për vijimin e procedurave të regjistrimit, sipas legjislacionit në fuqi për regjistrimin fillestar të pasurive të paluajtshme, bazuar në hartën bashkëlidhur këtij vendimi.

Pasuritë e paluajtshme, që ndodhen në zonat në të cilat nuk ka përfunduar regjistrimi fillestar, regjistrohen në përgjegjësi administrimi të ministrisë përgjegjëse për turizmin, pasi të ketë përfunduar procesi i regjistrimit fillestar” thuhet në vendim.

I njëjti shfuqizon vendimin e një viti më parë numër 138 datë 23.02.2018 “Për pezullimin e përkohshëm të procedurave të kalimit në pronësi të përfituesve të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore dhe të regjistrimit të akteve të marrjes së tokës në pronësi, në zonën me rëndësi për fondin e mbështetjes së investimeve strategjike

PER TE PARE HARTAT ME PRONAT E PEZULLUARA KLIKONI NE LINK: http://www.qbz.gov.al/botime/fletore_zyrtare/2019/PDF-2019/43-2019.pdf