Policia e Mallakastrës ka zbuluar autorët e zjarrvënieve në pyje dhe kullota në këtë rreth, njëri prej të cilëve është arrestuar dhe tjetri është vendosur në ndjekje penale për shkak të moshës së mitur.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Mallakastër, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit F.N, 46 vjeç, banues në Ballsh.
Ky shtetas në datën 30.03.2019, në tokën e tij ka vënë zjarr duke djegur disa shkurre të cilat më pas kanë sjellë djegien e një masivi pyjor, pronë e fondit pyjor të Bashkisë Mallakastër, duke sjellë një dëm të konsiderueshëm në pemë të llojit pisha dhe ullinj të një sipërfaqe prej 1 Ha.
Gjithashtu u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi E.N, 14 vjeç, banues në Ballsh. Procedimi për këtë shtetas filloi pasi në vendin e quajtur “Kodra” në Lavdan, duke djegur disa shkurre, i ka dalë zjarri jashtë kontrollit dhe është djegur rreth 1 Ha tokë me ullinj, pemë të ndryshme dhe shkurre.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprën penale “Shkatërrimi me zjarr nga pakujdesia i pyjeve dhe masivit pyjor”.
Kohët e fundit në vend ka pasur vatra të shumta zjarri që kanë ardhur si rrjedhojë e pastrimit me djegie të tokave buqësore apo çeljes së kullotave.