Fermerët po përballen me presionin për të siguruar sasite në rritje të ushqimit të shëndetshëm dhe ushqyes me kosto të ulët mjedisore. Në trend është kombinimi i metodave bujqësore tradicionale me sistemet moderne.
Agroekologjia mund të kontribuojë shumë për të dyja duke siguruar gjithashtu konsiderimin e aspekteve sociale të sistemeve ushqimore të qëndrueshme. Megjithatë, koncepti nuk është i njohur gjerësisht dhe as i përhapur në Ballkanin Perëndimor, Kaukazin dhe Azinë Qendrore.
Për këtë qëllim, FAO ka filluar një dialog në rajon dhe ka organizuar një event dy-ditor për Ballkanin Perëndimor dhe Kaukazin për të rritur ndërgjegjësimin mbi përfitimet e shumëfishta të agroekologjisë.
Duke filluar nga sot, eventi do të ofroi një forum për diskutim dhe shkëmbim të njohurive. Ky event i parë i llojit të tij, do të ndërtohet mbi infrmacionin e mbledhur nga pjesëmarrjësit aktiv para dhe gjatë seminarit duke e ushqyer dhe zhvilluar atë në një plani rajonal të punës në agroekologji.
Çfarë është agroekologjia?
Duke përdorur konceptet dhe parimet ekologjike, agroekologjia optimizon ndërveprimet midis bimëve, kafshëve, njerëzve dhe mjedisit për të ndërtuar sisteme ushqimore të qëndrueshme dhe të drejta. Ajo gjithashtu ka një komponent të fortë shoqëror, që synon t’i kthejë fermerët në qendër të sistemit ushqimor.
Kjo qasje i kundërvihet pikëpamjes se bujqësia është armiku i mjedisit dhe tregon që një sektor prodhues bujqësor mund të ofrojë përfitime dhe shërbime mjedisore, duke krijuar punësim rural dhe duke ruajtur jetesën e qëndrueshme.
“Agroekologjia është një koncept dinamik, i ndërtuar mbi zgjidhjet tradicionale dhe lokale dhe njohuritë e kombinuara në mënyrë harmonike me njohuritë shkencore dhe inovacionin”, tha Carolina Starr, eksperte e FAOs për agroekologjinë.
“Ne jemi të angazhuar që së bashku me vendet të përcaktojmë se si mund të zbatohet kjo axhendë. Ajo që do të dëgjojmë prej tyre do të formësojë punën e FAO-s dhe prioritetet për agroekologjinë përgjatë dyvjeçarit 2020-2021 “.
Agroekologjia ofron një mënyrë për vendet që të zbatojnë Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm në një mënyrë të integruar, duke kontribuar direkt në të paktën 10 nga 17 qëllimet. Sistemet agroekologjike synojnë tregjet lokale dhe promovojnë lidhje më të ngushta ndërmjet prodhuesve dhe konsumatorëve. Agroekologjia gjithashtu promovon qeverisje më gjithëpërfshirëse, me pjesëmarrje më të madhe në vendimmarrje. Ajo mund të ribalancojë marrëdhëniet e fuqisë në sistemet ushqimore, të forcojë bujqësinë familjare dhe të sigurojë një cilësi më të mirë të jetës në zonat rurale.
Në Konferencën Rajonale të Tridhjetë e një, vendet e Evropës dhe Azisë Qendrore kërkuan që FAO të inkorporojë dhe të forcojë punën në agroekologji në kontekstin e Dekadës së Kombeve të Bashkuara për Bujqësinë Familjare (2019-2028), tha Starr.
Pjesëmarrësit e seminarit përfshijnë përfaqësues të qeverive, shoqërisë civile, prodhuesve të ushqimit dhe akademikëve nga Shqipëria, Armenia, Bosnja dhe Hercegovina, Gjeorgjia, Kosova *, Mali i Zi, Republika e Moldavisë, Maqedonia Veriore dhe Serbia. Pjesëmarrësit u konsultuan përpara eventit përmes një pyetësori online për të kuptuar gjendjen e agroekologjisë në rajon dhe për të përshtatur axhendën sipas nevojave të tyre.
Promovimi i agroekologjisë është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë të FAO-s për të promovuar sisteme ushqimore të qëndrueshme.
