Kripëzimi i tokës tregon sasinë e kripërave në tokë dhe mund të vlerësohet duke matur konduktivitetin elektrik (EC) të ekstraktit të tretësirës tokësore. Kripëzimi është një ndër faktorët më të fuqishëm negativë në rritjen e bimëve dhe zvogëlimin e prodhimit të ardhshëm prej tyre.
Faktorët që ndikojnë në rritjen e kripëzimit në tokë. Ka disa faktorë që ndikojnë në sasinë dhe në përbërjen e kripërave në tokë:
- Cilësia e ujit të përdorur për ujitje. Sasia totale e kripërave të tretura në ujin e përdorur për ujitje, dhe përbërja e tyre, ndikojnë në kripëzimin e tokës. Prandaj, parametra të ndryshëm, siç janë konduktiviteti elektrik (EC) i burimit të ujit dhe përbërja minerale e tij duhet të analizohen përpara përdorimit.
- Plehrat e përdorur. Lloji dhe sasia e plehrave të përdorur në një tokë të caktuar, ndikon në kripëzimin e saj. Disa plehra, si kloruri i potasit apo sulfati i amonit përmbajnë nivele të larta të kripërave potencialisht të dëmshme. Plehërimet e tepruara dhe përzierja e plehrave mund të çojnë në rritjen e kripëzimit. Për këtë arsye ato duhet të shmangen.
- Regjimi i ujitjes dhe lloji i sistemit të ujitjes. Sa më e lartë të jetë doza e ujit që është përdorur për ujitje, aq më afër kripëzimit të tij do të jetë përmbajtja e kripërave në tokë. Kur toka thahet, përqendrimi i kripërave në tretësirën tokësore rritet. Duke qenë se kripërat lëvizin me bashkë me ujin, ato grumbullohen në profile të veçantë, në varësi të regjimit të ujitjes dhe llojit të ujitjes që përdoret. Për shembull, kur për ujitje përdoren shihedhësa, uji dhe kripërat lëvizin më thellë në tokë, në varësi të aftësisë infiltruese të tokës dhe cilësisë së ujit, derisa ndalojnë në një thellësi të caktuar. Kur përdoret ujitje me pika, paralelisht me lëvizjen në thellësi të ujit, ndodh gjithashtu një lëvizje anësore e tij dhe e kripërave të tretura në ujë. Forma e zonës së lagur, është në varësi të përbërjes mekanike të tokës dhe intensitetit të ujitjes.
- Karakteristikat e fushës dhe historia e saj bujqësore. Një tokë me drenim të keq, mund të arrijë shpejt në nivele të dëmshme kripëzimi për bimën dhe prodhimin e ardhshëm prej tyre. Një tokë që nuk është shpëlarë pas një cikli të mëparshëm kultivimi, mund të përmbajë nivele të larta të kripërave të grumbulluara për shkak të aktivitetit të mëparshëm bujqësor.
Kripëzimi mund të ndikojë në rritjen e bimëve në mënyrë të drejtpërdrejtë ose në mënyrë të tërthortë:
Dëmtimet e drejtpërdrejta në bimë për shkak të kripëzimit të tokës.
- Zvogëlon sasinë e ujit të absorbuar. Përqendrimi i lartë i kripërave rrit potencial osmotik të tretësirës tokësore. Për këtë arsye, bimës i duhet të përdorë më shumë energji për të thithur ujin. Në kushte kripëzimi ekstrem, bimët mund të mos jenë në gjendje të thithin ujë edhe në qoftë se toka përreth tyre është e lagur.
- Toksicitet nga jonet e veçanta. Kur një bimë thith ujë që përmban jone apo kripëra të dëmshme (për shembull natrium, klor, sasi të madhe bori etj.), ajo mund të shfaqë simptoma të dukshme helmimi, siç janë frenimi i rritjes së bimëve, formimi i gjetheve të vogla, shfaqja e nekrozave në anët e gjetheve apo deformimi i frutave.
Dëmtimet e tërthorta në bimë për shkak të kripëzimit të tokës.
- Çrregullime në tërheqjen e elementëve të domosdoshëm. Një kompozim i pabalancuar i kripërave në ujin për ujitje mund të sjellë një konkurrencë të dëmshme mes elementëve kryesorë ushqyes. Kjo situatë konsiderohet si “antagonizëm” (teprica e një joni kufizon tërheqjen nga bima të një joni tjetër). Kështu, p.sh., teprica e klorit redukton tërheqjen e nitratit, teprica e fosforit redukton tërheqjen e manganit dhe teprica e potasit kufizon tërheqjen e kalciumit.
- Ndikimi i natriumit në strukturën e tokës. Në tokat e kripura, vendin e kalciumit dhe magnezit në sipërfaqen e grimcave koloidale të tokës e zë natriumi. Në këtë rast pakësohet ndjeshëm aftësia e grimcave të tokës për tu agreguar (bashkuar në grimca me përmasa më të mëdha) dhe këto të fundit shpërbëhen. Kur është e lagësht, një tokë me shumë Na tenton të kompaktësohet, përshkueshmëria ujore e saj ulet shumë, dhe po ashtu ulet dhe aftësia për të kulluar ujin. Nëse është e thatë, një tokë me shumë Na forcohet dhe ka tendencë të copëtohet. Kjo gjë mund ti shkaktojë dëmtime rrënjëve të bimëve.