Reklame:

Prodhimi i sapunit nga grate e Roskovecit

18 gra nga disa fshatra pranë Roskovecit janë bërë bashkë për t’u trajnuar mbi prodhimin e sapunit. Për to është hera e parë që ndjekin një kurs. Është hera e parë që dalin nga shtëpia për të mësuar një profesion. Pjesa më e madhe e tyre janë mbi 50 vjeçe. Janë zonja që kanë punuar më parë në kooperativa dhe pas viteve ’90 nuk janë bërë më bashkë.

Kjo i bën nostalgjike. U kujtohet koha kur punonin arave të fshatit. Ky projekt zbatohet nga UNDP në bashkëpunim me “Social Development Investment” në kuadër të “Reload” financuar nga BE.

Kjo është një periudhë e mirë për të vizituar një fshat. Natyra ka shpërthyer gjithandej. Një informacion se në Roskovec të Fierit disa gra ishin duke prodhuar sapun artizanal na bëri që të shkojmë atje.

Punishtja është e vendosur pak kilometra larg Roskovecit, në fshatin Vidhisht.

Në qendër të fshatit Vidhisht, një godinë me dy ambiente është kthyer në punishten e sapunëve.

Në shtator të vitit të kaluar, nga bashkia e Roskovecit u dha një njoftim që zonjat të cilat kanë dëshirë mund të regjistrohen në kursin e sapunëve. Atyre do u mundësohej transporti nga banesa në qendrën e kursit, ushqimi dhe kafet.

Gjatë ditëve të kursit dy kimiste nga Universiteti Bujqësor i Tiranës kanë asistuar procesin duke ndihmuar në zbatimin saktë të formulës që prodhon sapunin.“…mjafton që dolëm nga shtëpia”

Kemi përballë 18 gra që mezi presin të na tregojnë atë se çfarë kanë mësuar nga ky trajnim. Nuk e kishin këtë entuziazëm në ditët e para. E mendonin të vështirë, e mbi të gjitha kanë hasur dyshimet dhe kundërshtimet e familjarëve të tyre, sidomos të bashkëshortëve, të cilët u thonin “ja shkuat, çfarë do nxirrni në dritë me këta sapunë?!”

“Është hera e parë që dal nga shtëpia për të mësuar diçka. Jam shumë e gëzuar që m’u dha kjo mundësi. Bashkëshorti e pranoi që në fillim, por më shumë problem kisha me vjehrrin. Ai nuk dëshironte që unë të vija në këtë kurs. Vetëm kur i çova sapunin e parë në shtëpi, e kuptoi që unë po bëja diçka dhe më dha leje të plotë”, tregon Erestina Hatia, një vajzë bionde, me trup të imët, e cila është caktuar përgjegjëse për prerjen e sapunëve.

Adelina Hoxha është zonja që bie më shumë në sy mes kolegeve të saj. Për shoqet ajo është “motorri” që mban gjallë grupin.

Hoxha na tregon se është nënë e pesë fëmijëve. Sot ata janë të gjithë të martuar dhe jetojnë jashtë vendit. Adelina së bashku me bashkëshortin jetojnë në fshatin Kurjan të Fierit.

“Kam jetuar për 15 vite në Itali. Jam kthyer përpara 5 vitesh. Disa muaj më parë, kryeplaku i fshatit më njoftoi dhe më tha: është një projekt për të mësuar se si bëhet sapuni. Je e interesuar!? Në fakt, në fillim e dija se do punësohesha, nuk e dija se do të mësoja. Erdha. Mësova dhe sot jam shumë e kënaqur që di një gjë të re, që nuk e kisha menduar kurrë më parë se do e mësoja. Një rol të rëndësishëm e kanë luajtur edhe kimistet, ato na mësuan të punojmë në skuadër”, rrëfen Adelina e cila kërkon vazhdimisht qetësi duke dashur të dëgjohet vetëm zëri i saj. Adelina tregon se emigracioni nuk është një ide e mirë për moshataret e saj.“Nëse do të kisha punë, nuk do të largohesha nga vendi im 20 vite më parë. Pavarësisht vështirësive, unë jam kthyer duke kërkuar të punoj dhe jetoj këtu”.  

Vaji i ullirit, soda kaustike dhe bimët aromatike-medicinale janë elementët kryesor të përbërjes së sapunit. Zonjat thonë se me një kilogram vaji ulliri arrijnë të nxjerrim 10 sapunë.

“Gjatë këtyre ditëve e kemi testuar sapunin dhe kemi parë reagimet e njerëzve. Të gjithë kanë mbetur shumë të kënaqur”, tregon Ajdine Hyka, 53 vjeçe, e cila është e para që ka ardhur në trajnim.

“Pas mësimeve që kam marrë me kimistet, tani jam e aftë që ta bëj sapunin edhe në kushtet e shtëpisë. Shqetësimi ynë i momentit është se si të nxjerrim të ardhura nga sapuni”.

Të gjitha kanë një “hall” që i bashkon në këtë iniciativë, çfarë do të thonë bashkëshortët… ata presin rezultate konkrete: lekë!

“Burri më tha që shko, por do na nxjerrësh ndonjë të ardhur apo jo?!”, shprehet 53-vjeçarja e cila ndihet gati të prodhojë sapunët e saj, por është e pasigurt për shitjen e tyre.

Zonjat kërkojnë që të qëndrojnë të gjitha bashkë në prodhimin e sapunit. Ato duan të punojnë në punishte sipas proceseve dhe detyrave që i janë caktuar edhe pas përfundimit të projektit.

Të ardhurat familjare në këtë zonë vijnë nga bujqësia dhe blegtoria. Historia e sapunit u pa si një gjë e re dhe për këtë arsye shumë, sidomos burrat e kanë parë si një angazhim pa të ardhme për gratë e tyre. Por ndryshe mendojnë gratë. Ato janë përpjekur që të jenë bindëse përballë familjarëve, sidomos bashkëshortëve që të marrin pjesë në këtë kurs, që tek e fundit, do ju mësojë diçka të re.

Nuset nuk erdhën…

Mes dhjetëra zonjave bie në sy Zenepja. Ajo është 71 vjeçe. Është më madhja mes kolegeve. Ka lindur dhe rritur 6 fëmijë, 5 djem dhe një vajzë. Është bërë gjyshe dhe prej disa muajsh ka ndjekur kursin e sapunit.

Ka dashur të marrë pas vetes edhe nuset e djemve, por asnjëra prej tyre nuk ka mundur të bëhet pjesë e këtij grupi. Djemtë e Zenepes ende nuk janë të bindur për këtë gjë.

“Djali më thotë që ti shkon kot!”, tregon 71-vjeçarja e cila është shumë e kënaqur që gjendet mes shoqeve dhe ka mësuar të prodhojë vetë sapunë. “Dola nga shtëpia, të mësoj diçka. Unë pensioniste jam. Nuk ma kishte marrë mendja kurrë që një ditë do të mësoja se si të prodhoja sapun”, tregon ajo me kënaqësinë që i lexohet në portret. (TEMA)