Reklame:

Hijezimi i serave ne kushtet e temperaturave te larta

Për shkak të rrezatimit të fortë te diellit gjatë mujave të verës, e sidomos në korrik dhe gusht ku në sera krijohen probleme të theksuara në zhvillimin normal të bimëve si pasoje e ngritjes shumë të madhe të temperaturës së ajrit, si dhe shkaktohen  djegie të frutave të perimeve dhe ngjyrosje jo uniforme të tyre. Një nga mënyrat për uljen e temperaturës brenda në serë është ajrimi i serave përkatësisht hapja e dritareve për ajrosje, me ç’rast bëhet zëvendësimit të ajrit në serë me ajrin jashtë saj. Shpeshëherë gjatë këtyre dy muajve temperaturat  shumë të larta të ajrit jashtë serës dhe rrezatimi i fortë diellor, ulin efektivitetin e ajrimit të serave në uljen e temperaturës dhe mbrojtjen e frutave nga rrezatimi i fortë diellor.

Me qëllim të mbrojtjes së frutave të perimeve nga rrezatimi i fortë diellor dhe uljes së temperaturës në serë është e preferueshme që të bëhet hijezimi i serave gjatë periudhës me mot shumë të ngrohët. Zvogëlimi  i sasisë së rrezatimit diellor shoqërohet me zvogëlim të energjisë së grumbulluar në serë. Hijezimi i serave është një nga mënyrat më të zakonshme për zvogëlimin e rrezatimit diellor në serë, por meqenëse drita është e domosdoshme për fotosintezën e bimëve, masa e hijezimit të bimëve ka një kufi të caktuar. Në rastet e vranësirave të zgjatura, hijezimi shndërrohet në problem për rritjen normale të bimëve, por megjithatë ai vijon të mbetet një nga mjetet kryesore të uljes së temperaturave të serës në verë. Efektet pozitive të hijezimit mbi temperaturën e ajrit, temperaturën e gjetheve të bimëve dhe zvogëlimin e intensitetit e rrezatimit diellor brenda në serë, paraqiten në tabelën që vijon.

 Tipi i serës Temp. ajrit 0C Temp.gjetheve 0C Intens.ndriç në lux
Serë e pahijezuar

36

40.3

70200

Serë e hijezuar

32

31.6

27000

Mënyrat dhe materialet që përdoren për hijezim janë të shumta. Mënyra më e thjeshtë është lyerja e sipërfaqeve të jashtme të mbulesave të serës me gëlqere, argjilë, miell, etj, ose ngjyra të përgatitura nga industria për këtë qëllim. Problem në raste të tilla është mungesa e uniformitetit të ndriçimit në serë dhe pamundësia për të ndryshuar intensitetin e hijezimit në përputhje me kushtet metereologjike.

Alternativat më të mira për hijezimin e mjediseve të mbrojtura janë rrjetat plastike për hijezim dhe ekranet termike.

Të parat janë të kompozuara nga fije plastike të thurura në një dendësi të përcaktuar, sipas të cilës përcaktohet intensiteti i hijezimit.

Vendosja e rrjetave bëhet zakonisht mbi sipërfaqen e mjediseve të mbrojtura dhe për nga mënyra e funksionimit mund të jenë statike (zhvendosen në intervale relativisht të gjata kohore), ose të lëvizshme (me sisteme të thjeshta manuale ose elektrike rregullohet pozicioni i tyre, sa herë që është e nevojshme).

Sistemet më të avancuara të hijezimit janë të ashtuquajturat “ekrane termike”. Ekranet termike janë të kompozuara nga fije sintetike që ndërthuren me shirita të hollë alumini. Në varësi nga dendësia e këtyre të fundit përcaktohet intensiteti i hijezimit në serë. Ekranet termike vendosen në tavanin e serës dhe janë në përgjithësi të automatizuara. Lëvizjet dhe përmasat e tyre rregullohen në përputhje me intensitetin e rrezatimit dhe karakteristikat e bimëve që kultivohen në serrë. Funksioni i ekraneve është i dyfishtë; zvogëlimi i intensitetit të rrezatimit diellor brenda në serë, në mot të nxehtë dhe zvogëlimi i humbjeve të energjisë nga serra gjatë natës, në mot të ftohtë dhe me ngrica.