Reklame:

Tharja e frutave dhe perimeve

Frutat dhe perimet që mund të thahen janë: fiku, rrushi, molla, pjeshka, dardha, banania, specat e kuq, bamja, patatja, fasulet, bizelet, patellxhani etj.

Tharja e frutave bëhet në ambjente të ajrosura, të thata, të ngrohta.

Që ajrosja të jetë sa më e mirë raftet e tharjes vendosen disa cm mbi tokë, idealja është të vendosen në lartësinë e tavolinës. Mundësisht raftet të jenë rrjetë. Raftet rrjetë mund të jenë prej thupre, kallami, metali jo të oksideshëm etj.

Shpesh përdoren dhe dërrasa. Mirë është që frutat të vihen për tharje në mëngjes.

Frutat hapen në vendin e tharjes, pa cekur me njëra-tjetrën. Ditët e para frutat përzihen dhe kthehen nga ana tjetër shpeshherë gjatë ditës, mundësisht çdo orë. Kjo behet që tharja të bëhet sa më shpejtë dhe në mënyrë të njëtrajtshme. Frutat mund të mbulohen me napë ose rrjetë që të pengojë ngacmimin nga insektet.

Përpara tharjes i lajmë frutat, pjesët e dëmtuara të frutave i heqim. Shpesh frutat priten më dysh (kumbullat, fiqtë) ose në feta (mollët) që të thahen më shpejt. Frutat mund të kalohen në finjë përpara tharjes. Kjo u hollon lëkurat.

Tharja direkte në diell shkakton humbje më të mëdha të vitaminave C dhe A, si dhe ç,ngjyrosje të frutave të kuqe, të verdha prandaj këshillohet tharja në hije e këtyre. Hija mund të krijohet duke vënë një strehë mbi raftet e tharjes.

Sa më shumë të fryjë ajri, sa më i thatë të jetë moti, sa më i nxehtë ajri, aq më shpejt thahen frutat. Zakonisht për 4-5 ditë thahen. Për të kuptuar nëse janë tharë marrim disa prej tyre, i lëmë të freskohen në temperaturë ambjenti (kanë qenë në diell), i shtypim me dorë. Nëse në dorë nuk mbetet lagështi dhe frutat nuk ngjiten pas dorës kur e hapim grushtin, kjo do të thotë se tharja ka përfunduar.

Gjatë natës frutat mbulohen me pëlhurë ose futen në ndërtesë që të mos marrin lagështirë.

Frutat pasi janë tharë duhen ruajtur në vende të mbyllura që të mos thithin lagështirën e ajrit.