Në Lushnjë fermerët që dorëzojnë qumështin në fabrika janë në pritje të vlerës së kompensimit, sipas skemës së subvencionit 10 lekë për një litër.
Pavarësisht se kanë dyshime për zbatimin e saj, ata çdo ditë plotësojnë formularët. Protestuan dhe fituan njohjen e 10 lekëve si kompensim. Të paktën kështu ka ndodhur nëpër letra për blegtorët.
Në Lushnjë, kanë nisur subvencionet e qumështit. Në ambientet e AZHBR- agjencia e zhvillimit të bujqësisë rurale- hyjnë e dalin fermerë e blegtorë me dokumente nëpër duar.
Ata plotësojnë formularët e vet-deklarimit për prodhimin e dorëzuar në fabrika.
“Na kanë thënë që do na subvencionojnë 100 lekë për litër ndaj dhe po bëjmë gati dokumentacionin”, u shprehën disa fermerë aplikues. Dokumentacioni u është thjeshtuar, por jo problemi.
Grumbulluesit u kanë ulur çmimin e qumështit, nga 48 lekë për litër që ishte një muaj më parë ka zbritur në 38 lekë. Diferenca u është premtuar se do tu kompensohet.
Shuma varet nga sasia e qumështit të shitur, por ka prej tyre që janë dyshues sepse të njëjtën gjë bënë edhe kur u premtua të shtonin krerët e gjedhëve dhe kompensimi nuk u dha kurrë.
“Jemi të zhgënjyer, i kemi mbyllur dhe herë të tjera dokumentet për shtimin e krerëve dhe nuk kemi marrë asgjë derisa u detyruam të shisnim lopët”, deklaruan disa aplikues të tjerë tyre.
Situata vjen e tillë pas tre protestave të mëdha organizuar një muaj më parë nga të gjithë blegtorët shqiptarë në Lushnje. Ministria e Bujqësisë dhe zhvillimit rural vendosi të subvencionojë 10 lekë për litër qumështi dorëzuar në pikat e përpunimit, pavarësisht numrit të krerëve të bagëtive që ka çdo aplikues.
Vetëm në rrethin e Lushnjës numërohen rreth 26 mijë blegtorë që shesin qumështin, të cilët duhet të aplikojnë deri më 10 maj të këtij viti.