Reklame:

Therje e paligjshme e kafsheve – AKU bllokon subjektin dhe konfiskohen 257 kg mish

Sipas nje njoftimi te Autoritetit Kombetar te Ushqimit raportohet se eshte bllokuar nje sasi prej 257 kg mish dhe produkte te tij si dhe eshte mbyllur aktiviteti ne fjale pasi kryente edhe therjet e kafsheve jashte çdo standarti higjeno sanitar.

Drejtoria Rajonale e AKU-së Durrës ushtroi kontroll në subjektin Ramiz Shala (Katundi i Ri, Durrës) për therjen e paligjshme të kafshëve të gjalla dhe tregtimin e produkteve ushqimore të pasigurta.

Nga kontrolli i ushtruar rezultoi se subjekti kryente procesin e therjes së kafshëve të gjalla në mënyrë të paligjshme në një ambjent të improvizuar, ngjitur me njësinë e tregtimit të mishit.

Ambjenti ishte tejet i amortizuar, i vogël në hapësirë dhe nuk plotësonte asnjë normë të kritereve higjeno-sanitare apo teknike-teknologjike për procesin e therjes së kafshëve të gjalla.

Mbetjet teknologjike të procesit të therjes të kafshëve të gjalla (ujërat, gjaku etj), përfundonin në kanal, duke mos u grumbulluar dhe u trajtuar në ndonjë ambjent të posaçëm, duke kontaminuar mjedisin përreth.

Në të njëjtat mjedise të papërshtatshme ku kryhej therja e kafshëve të gjalla, subjekti përgatiste në mënyrë të paligjshme edhe produkti ushqimor “Sallam”, për të cilin nuk kishte asnjë dokumentacion në formën e kartës teknologjike apo etiketë mbi përbërësit dhe procesin e përgatitjes së tij.

Në subjekt u evidentuan 257 kg produkte ushqimore (mish dhe nënprodukte të tij) të pacertifkuara dhe të pavulosura nga veterineri zyrtar, si dhe pa dokumentacionin përkatës (specifikisht 219 kg mish gjedhi, 14 kg mish deleje dhe 24 kg sallam).

Për shkeljet e evidentuara, AKU vendosi masat administrative:

1. Gjobë në vlerën 100,000 lekë për therje të kafshëve të gjalla në mënyrë të paligjshme,

2. Gjobë në vlerën 150,000 lekë për mungesën e gjurmueshmërisë së produkteve ushqimore,

3. Konfiskim të produkteve ushqimore (të cilat do t’i nënshtrohen procesit të asgjesimit) dhe mjetet e punës (çengela, thika etj) me të cilat është kryer aktiviteti i paligjshëm,

4. Bllokim i ambientit të improvizuar dhe të përdorur për kryerjen e procesit të paligjshëm të therjes së kafshëve të gjalla.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit falenderon dhe fton çdo konsumator të përgjegjshëm, që nëpërmjet raportimeve, të bëhet pjesë e sfidës sonë të përbashkët dhe të kontribuoj cilësisht në suksesin e betejës për sigurinë ushqimore.