Industria e miellit në Kosovë po ballafaqohet me mungesë të madhe të rezervave të gruri që nevojiten për prodhimin e miellit. Edhe pse ky produkt aktualisht gjendet në sasi të mjaftueshme në treg, sipas shoqatës së mullisëve, gjendja paraqitet alarmante pasi që rezervat e grumbulluara nga fermerët pas korrje-shirjeve vitin e kaluar janë shpenzuar, ndërkohë që ata po e kërkojnë produktin e tyre.
Kosova ka importuar grurin në masën më të madhe nga Serbia, por që nga nëntori i vitit 2018, kur Qeveria e Kosovës vendosi tarifën doganore 100 për qind për importet nga Serbia, blerja e grurit nga ky shtet ka rënë tërësisht.
Sigurimi i grurit si lëndë e parë për prodhimin e miellit nga vendet tjera të rajonit dhe të Bashkimit Evropian, ka ngritur koston, duke përfshirë këtu koston e transportit, thonë përfaqësues të shoqatës së mulliixhinjve të Kosovës.
Kosova asnjëherë nuk ka arritur të sigurojë nevojat e popullatës me miell nga rendimentet e grurit. Ajo vazhdimisht është varur nga importi që kryesisht ka ardhur nga shteti i Serbisë.
Bashkim Zejnullahu, kryetar i Shoqatës së Mullisëve të Kosovës, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se mullisët po sigurojnë mjaftueshëm miell për të plasuar në treg, por jo edhe grurin e nevojshëm për fermerët.
“Ata të cilët janë ballafaquar më këtë fenomen janë bujqit. Ata të cilët kanë deponuar në sezonin e kaluar apo sezonin e mëhershme grurin në mullinjtë e Kosovës, aktualisht nuk kanë mundësi që të tërheqin shumat e nevojshme që ata kërkojnë. Këtu është gjendja më alarmante. Nuk është alarmante situata në treg, sepse ne furnizohemi me 50-100 tonë aq sa mund të arrijmë të sigurojmë kapacitete, e përpunojmë dhe e hedhim në treg. Mirëpo ata të cilët realisht janë më të prekurit janë buqit dhe ai grurë sot nuk është nëpër depo”, tha Zejnullahu.
Bujqit në Kosovë pas përfundimit të fushatës së korrje-shirjeve e deponojnë grurin e siguruar në depot e mullinjve dhe me vonë, sipas kërkesës, e marrin të përpunuar miell.
Mullixhinjte thonë se grumbullimi i grurit nga fermerët e lehtëson zhvillimin e veprimtarisë së tyre. Bujqit mund të shesin apo këmbejnë grurin me disa produkte në mullinjtë e Kosovës.
Edhe përfaqësues të Shoqatës së Bujqve Prodhues të Grurit të Kosovës, konfirmojnë këto probleme me të cilat po ballafaqohen bujqit.
Pal Gjuraj, kryetar i kësaj shoqate, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tha se në mungesë të grurit dhe miellit nëpër mullinj, bujqit nuk kanë arritur të tërheqin sasinë e kërkuar, por sasi të limituar ose janë detyruar të tërheqin para kohe, që nënkupton periudhën menjëherë pas vendosjes së taksës.
“Është ngritur si shqetësim pasi shumica prej tyre kanë mund të marrin sasinë e limituar. Kështu që edhe sipërfaqet edhe rendimentet kanë qenë të ulëta. Mullinjtë i kanë problemet e veta, kështu që bujqit kanë hasur në këto vështirësi”, thekson Gjuraj.
Për shkak të mungesës së grurit në treg, Bashkim Zejnullahu thotë se mielli në tregun e Kosovës po hynë nga Maqedonia e Veriut, Kroacia, Hungaria dhe vende të tjera të Bashkimit Evropian. Por, shqetësuese sipas tij, mbetet cilësia e grurit, duke shtuar se Kosova është duke u furnizuar me rezerva të viteve të mëhershme të grurit nga shtet tjera.
“Rezervat e grurit që janë në Maqedoninë e Veriut nuk i plotësojnë kriteret minimale për miell. Dhe mendojmë se gruri që është duke u përpunuar në mullinjtë e Maqedonisë (së Veriut) është duke hyrë në Kosovë si miell i përpunuar në Kosovë”, tha Zejnullahu.
Në Kosovë në vitin 2016, janë importuar 37 milionë kilogramë miell në vlerë prej 8 milionë eurosh, kurse gjatë vitit 2017 nga shteti i Serbisë në Kosovë, kanë hyrë 22 milionë kilogramë miell, që kalon shifrën prej 4 milionë eurosh.
Qeveria e Kosovës më 6 nëntor të vitit të kaluar, fillimisht kishte vendosur taksën doganore 10 për qind për produktet e importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina. Kjo taksë doganore u ngrit në 100 për qind më 21 nëntor.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës po kërkojnë nga Prishtina zyrtare që të pezullojë këtë taksë, në mënyrë që t’i jepet mundësi vazhdimit të dialogut në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.