Reklame:

Patatet dhe qepet e reja ulin inflacionin

Për shkak se shqiptarët e çojnë gjysmën e buxhetit të tyre për blerjen e ushqimeve luhatjet e çmimeve në dy tre artikuj bazë të tilla si frutat dhe zarzavatet, patatet, qepët zhbalancojnë një nga treguesit kryesor makroekonomik, inflacionin. Indeksi i Çmimeve të Konsumit (IÇK) është matësi zyrtar i inflacionit në Shqipëri. Indeksi mat ndryshimet relative të çmimeve të mallrave dhe shërbimeve të përdorura nga familjet për konsum vetjak dhe llogaritet duke përdorur strukturën e konsumit final të familjeve shqiptare. Në shportën shpenzime mujore, ushqimet zënë 44% të totalit.

Gjatë 5 muajve të parë të vitit çmimet u rriten me mesatarisht me 1.5 %. Një vit më parë ky ndryshim ishte 1.9 për qind. Si vitin e kaluar ashtu edhe vit, formuesi kryesor i inflacionit janë dy grupe, zarzavatet dhe patatet. Nëse tregjet nuk furnizohen rregullisht me perime dhe zarzavateve, atëherë inflacioni rritet, nëse ka mbiprodhim në këto artikuj ndodh ulja.

Në muajin maj çmimet e  zarzavateve përfshi patatet u rriten me 10 për qind. Ky ishte ritmi më i ulët i ndryshimit që nga prilli 2018. Gjatë periudhës së dimrit çmimet e patateve dhe qepëve panë një rritje në nivele rekord nga mungesa e prodhimit vendas. Në muajin janar një kilogram patate dhe qepë kushtuan gati 50 për qind më shtrenjtë se në janarin e vitit të kaluar.

Fermerët të joshur nga çmimet e larta kishin shtuar sipërfaqet me patate. Tregu sakaq po furnizohet bollshëm me patate të reja, qepë dhe domate duke bërë që çmimi i grupit “zarzavate dhe patate” të jetë dukshëm më i ulët se një vit më parë në këtë periudhë ku çmimet në këtë grup u rriten me 19%.

Luhatjet që vijnë nga mungesa e orientimit

Viti 2018 duhet të konsiderohej i artë për bujqësinë për nga kushtet klimatike. Reshjet e bollshme në kohën e mbjelljes dhe rritjes së perimeve ishin garancia për prodhimin e lartë, por ndodhi ajo që ekspertët e “Tiranës” nuk e kishin pritur. Bujqit braktisën ngastrat, duke kufizuar mbjelljet e serave e në fushë për shkak të humbjeve që kishin pësuar në vitin 2017. Bujqësia, sidomos në Shqipëri, ka njohur thuajse si zakonisht humbje për shkak të çmimeve të ulëta, por vera e vitit 2007 nuk ishte e zakonshme për ta. Fermerë në zonën e Korçës dhe Fierit gjatë vitit 2017 kanë shitur të gjithë prodhimet nën kosto në rastin më të mirë, pasi shumica është kalbur në fushë.

Prodhimi i lartë dhe mungesa e kontratave të qëndrueshme nga njëra anë dhe spekulimi me çmimet nga ana e tregtarëve dekurajuan fermerët për të mbjellë gjatë verës 2008. Të dhënat nga drejtoritë e bujqësisë nga Qarku i Fierit dhe Korçës tregojnë se sipërfaqet e mbjella me perime ranë ndjeshëm në vitin 2018. Për pasojë tregu pati vështirësi në furnizim normal, duke bërë që çmimet e perimeve dhe zarzavate këtë vit të ishin të larta. Gjatë verës 2008, një kilogram domate u shit mbi 100 lekë, ndërsa perimet e dimrit, si presh, lakra, qepa dhe patatja po shiten me çmime trefish më të larta 12-13 lekë kilogrami.

Ata që kishin mbjellë, këtë vit fituan shumë, por shitjet e farërave dhe fidanëve në zonat prodhuese sinjalizojnë se flluska do të përsëritet vitin tjetër pasi fermerët do të rrisin sërish sipërfaqet e mbjella. Patatet dhe qepët po furnizojnë bollshëm tregjet qysh tani, teksa pritet që furnizimet të shtohen në vijim nga prodhimet në fushë. (Monitor)