Shërbimi këshillimor (ekstensioni bujqësor) është një nga instrumentet e rëndësishëm për realizimin e politikave të MBZHRAU. Në vendin tonë, megjithëse mund të flitet për një sistem pluralist ekstensioni, me aktorë të shumtë si (shërbimet publike, OJQ, projekte të financuar nga donatore etj), shërbimi këshillimor publik është aktualisht ofruesi më i madh, më i organizuar dhe i shtrirë në gjithë territorin e vendit.
Ai bashkëpunon dhe koordinon veprimtarinë e vet, me ofrues të tjerë shërbimesh, pjesë të sistemit kombëtar të njohurive dhe informacionit bujqësor.
Misioni i këtij shërbimi është sigurimi dhe ofrimi i informacionit dhe njohurive teknike dhe ekonomike për rritjen e prodhimit dhe të ardhurave për kategoritë e ndryshme fermerësh. Ky shërbim jepet falas për fermerët dhe financimi bëhet kryesisht nga MBZHRAU.
Shërbimi këshillimor publik, në nivel qendror organizohet nga MBZHRAU (Sektori Këshillimit e Kooperimit Bujqësor)
Në nivel rajonal përfaqësohet nga Sektorët e Shërbimit Këshillimor në përbërje të Drejtorive të Bujqësisë, ku në përputhje me specifikat e çdo rajoni, janë 3-4 specialistë të profilizuar (Hortikulturë, Mbrojtje bimësh, Zooteknik dhe Ekonomistë).
Në nivel terreni zhvillojnë veprimtarinë e tyre Qendrat e Informacioni Bujqësor dhe ekstensionistet ku operon një specialist bujqësie/ekstensionist.
Këto qendra ofrojnë për fermerët, por edhe për agrobiznesin, informacion mbi: teknikat dhe teknologjitë për prodhimin bimor dhe blegtoral, inpute cilësore, legjislacionin, menaxhimin e fermës, kooperimin e fermerëve, plane biznesi, mundësitë e kreditimit, marketingun e prodhimeve bujqësore, çmimet e tregjet, potencialet prodhuese, mundësitë e përpunimit, prognoze-sinjalizimin i sëmundjeve dhe dëmtuesve, sigurinë ushqimore, etj.
Shërbimi këshillimor është i pranishëm në komunitetin e fermerëve me forma të ndryshme komunikimi dhe me një sërë aktivitetesh të programuara si: demonstrime, ditë e fushe, takime individuale dhe takime në grup, vizita, trajnime, panaire, seminare, workshope, fletëpalosje, botime, aktivitete për zhvillimin e shoqatave të fermerëve, shkrime, emisione dhe kronika televizive, video etj. Çdo vit, nëpërmjet një programi trajnimi, realizohet kualifikimi i ekstensionistëve, fermerëve dhe të interesuarve të tjerë.
Shërbimi këshillimor publik bashkëpunon dhe me ofrues të tjerë të shërbimit këshillimor siç janë ofruesit publikë (QTTB, Universiteti Bujqësor), ofruesit privat të shërbimeve, organizatat prodhuese dhe organizatat jo qeveritare.
Veprimtari e rëndësishme e shërbimit këshillimor është edhe nxitja e organizimit të fermerëve. Për këtë realizohen aktivitete ndryshme si trajnime dhe aktivitete për promovimin dhe funksionimin e kooperativave bujqësore, regjistruar sipas Ligjit “Për Shoqëritë e Bashkëpunimit Bujqësor”, Nr.38, datë 05.04.2012, dhe forma të tjera të organizimit të fermerëve.
Pjesë e rëndësishme programit të shërbimit këshillimor tashmë është bërë dhe Bujqësia Organike, me qëllim, nxitjen dhe përhapjen e njohurive për bujqësinë organike midis prodhuesve.
Roli të rëndësishëm ky shërbim luan në realizimin e skemave mbështetëse.
Në skemat mbështetëse kombëtare, ky shërbim informon komunitetin e fermerëve për këto skema, ndihmon në plotësimin e aplikimeve, hartimin e projekteve të zbatimit dhe gjatë procesit asiston në vazhdimësi fermerët që fitojnë grande.
Në skemën grandeve “IPARD-LIKE” për zhvillimin e Sektorit Agro-Ushqimor në Shqipëri, këshilluesit mbështesin aplikuesit dhe përfituesit e mundshëm (fermerët dhe agro-përpunuesit) në procesin promovimit, informimit, aplikimit dhe të implementimit të projekteve investuese.
Gjithë aktiviteti vjetor i këtij shërbimi, bazohet në programin vjetorë të këshillimit të hartuar sipas metodologjisë së planifikimit me pjesëmarrjen e vetë fermerëve dhe periodikisht monitorohet realizimi i këtij programi.