Hemoglobinuria është sëmundje metabolike me karakter akut që prek lopët me prodhimtari të lartë qumështi. Ajo karakterizohet me hemolizë brenda enëve gjakore, hemoglobinuri dhe anemi. Nga hemoglobinuria preken më tepër lopët nga laktacioni i 3-të në të 6-të, brenda 2 – 6-të javëve të para paspjelljes, me raste më të shumta deri në javën e 4-të paspjelljes dhe sidomos ndërmjet ditëve 10 dhe 21.
Sipas literaturës, në vende ku mungon bakri sëmundja mund të vërehet në të gjitha moshat e lopëve. Hemoglobinuria në Shqipëri për herë të parë është diagnostikuar në vitin 1967 dhe tani vërehet në disa rrethe.
Dëmet ekonomike që shkakton kjo sëmundje janë të mëdha.
Shkaqet
Shkaku i sëmundjes është akoma i panjohur, ndërsa faktorë predispozues për shfaqen e saj njihen disa. Një faktor predispozues është defiçensa e fosforit, pasi sëmundja shfaqet më shumë në ato rajone ku tokat janë të varfëra në fosfor (më pak se 1mg %). Mangësia e këtij elementi në organizëm bën që të ulet rezistenca osmotike e eritrociteve.
Faktor tjetër predispozues në lopë është dhe defiçensa e bakrit, i cili rrit ndjeshmërinë e eritrociteve ndaj dëmtimit oksidativ. Në hemolizë ndikojnë dhe ngrënja me shumicë e lakrave, panxharit dhe bërsive të e tij, kolzës, si dhe defiçensa e selenit. Në bimët e kolzës dhe lakrave është i pranishëm sulfometil cisteinë sulfoksidi (SMCO) i cili ndikon për shfaqen e anemisë hemolitike në kafshët ripërtypëse, kur ato konsumojnë sasi të mëdha lakre. Në eritrocite gjatë kësaj sëmundjeje formohen disa trupza tipikë të quajtur “trupëzat e Heinzit”.
Edhe në panxhar dhe nënproduktet e tij të freskëta apo të silazhuara përmbahen lëndë me natyrë saponinash që kanë veprim hemolizues. Por që të lindë sëmundja është e nevojshme bashkëveprimi i mungesës së fosforit me një nga faktorët hemolitikë. Si shkak predispozues mendohet të jetë dhe i ftohti.
Shenjat klinike
Në fillim te kafsha e sëmurë vërehet dobësi, moskoordinimi i lëvizjeve dhe ulje e prodhimit të qumështit.
Më tej shfaqet dhe hemoglobinuria në urinë. Urina mund të jetë e kuqe e errët ose kafe drejt të zezës. Kur sëmundja nuk ka zhvillim të rëndë, shenja e parë e sëmundjes mund të jetë hemoglobinuria.
Te lopa e sëmurë vërehen shenja të dehidratimit të organizmit. Sytë i ka të futur thellë në orbita, lëkura ka humbur elasticitetin dhe paraqitet e ashpër, qimet janë të zhubrosura. Te lopa e sëmurë pakësohet oreksi, ripërtypja dhe peristaltika e parastomaqeve (atoni). Si rrjedhojë e shkatërimit të eritrociteve te lopa shfaqet anemia, shtim i pulsit, tonet e zemrës dëgjohen të fortë. Mukozat e dukshme janë të zbehta dhe anemike. Më vonë, ato bëhen të bardha si porcelani dhe më tej ato edhe zverdhen. Kjo ngjyrë e verdhë vërehet edhe në lëkurën e gjirit dhe sidomos në thithat.
Diagnoza
Vendosja e diagnozës bazohet në të dhënat e anamnezës, shenjat klinike dhe në analizat laboratorike. Në përcaktimin e diagnozës ndihmon dhe shfaqa e sëmundjes në javët e para paspjelljes dhe hemoglobinuria në urinë. Por duhet patur parasysh se hemoglobinuria shoqëron dhe disa sëmundje të tjera qofshin këto infektive, parazitare dhe helmime. Ngjyrë të kuqe merr edhe gjatë hematurisë. Prandaj duhet bërë kujdes për diagnozën diferenciale.
Mjekimi dhe masat parandaluese
Në radhë të parë largohet shkaku i sëmundjes dhe menjëherë ndërhyhet shpejt për mjekimin e kafshës, brenda 12 orëve të shfaqes së sëmundjes, pa ndodhur dëmtime të rënda në organizëm. Si mjekim më i mirë është transfuzioni i gjakut në sasi 4 – 5 litra minimumi për një lopë me peshë 450 kg.
Gjaku të jetë nga kafshë të shëndosha dhe që janë të pastra nga sëmundjet infektive si leukoza, etj. Kur është e nevojshme, veçanërisht në lopët e dobëta, transfuzioni mund të përsëritet pas 2 ditëve të injektimit të parë. Për mënjanimin e dehidratimit dhe mosdëmtimin e tubulave renale, përdoret dhe terapia fluide pas transfuzionit. Si mjekim përdoret dhe fosfati monobazik i natriumit (NaH2PO4), 60 g në 300 ml ujë të distiluar intravenoz dhe po e njëjta dozë nënlëkurë, e pasuar më tej me injeksion nënlëkurë me interval 12 orësh. Për mjekim përdoren dhe preparatet e hekurit (për të nxitur hemopoezën) si sulfati i hekurit nga goja, në dozë 3 g në ditë, për 2 – 3 javë rresht, feridekstrani 10 %, intramuskular, për gjedhin e rritur në dozë 8 – 12 ml.
Për mjekim përdoret dhe metioninë (rregullon funksioni e mëlçisë) për lopë, në dozë 100 ml intravenoz. Për acidozën përdoret bikarbonati i natriumit nga goja, 2 herë në ditë, nga 50 g, për 3 ditë rresht. Për përmirësimin e punës së zemrës përdoret koffeinë ose strofantinë (sipas gjendjes së saj).
Për parandalimin e sëmundjes duhet që të mënjanohen defiçensat e fosforit. Kur racionet ushqimore që përdoren janë të varfëra në fosfor duhet të shtohen plotësuesit minerarë si diamonfosfati, fosfat bikalcik dhe mielli i kockave. Bimët që përmbajnë faktorë hemolitikë ose oksidantë të mos jepen në sasira të mëdha.