Reklame:

Bujqësia pa orientim; Tregu nuk ka qepë dhe patate, kalben mollët dhe mandarinat

Mungesa e informacionit për tregjet dhe trendet e konsumit po krijon flluska në prodhimet bujqësore. Fermerët në zonat prodhuese të vendit – Korçë, Lushnjë dhe Fier reduktuan prodhimin prej humbjeve të larta që solli superprodhimi i qepës, preshit, patates dhe domates në vitin 2017. Çmimet me pakicë të këtyre produkteve janë aktualisht 3-4 herë më të larta se në vitin e kaluar. Por çmimet e këtij viti po nxisin mbjellje pa kriter të preshit dhe qepës, duke sinjalizuar për një flluskë tjetër. Ekspertët këshillojnë krijimin e platformave të informacionit për bujqit, ndërkohë Agropikat dhe bursa e çmimeve bujqësore kanë dështuar

 

 

Prodhuesit e perimeve të dimrit, të cilët patën fitime të larta këtë vit, për shkak të shitjeve me çmime gati katër herë më të larta të qepës, preshit, lakrës rrezikojnë të përballen me humbje të mëdha vitin që vjen. Vetëm në Pazarin e Korçës, këto ditë tregtarët kanë shitur rreth 250 mijë euro farë qepë, duke sinjalizuar se vitin tjetër do të ketë kultivim masiv të saj. Superprodhimi, pa gjetur treg eksporti, do të ulë çmimet dhe do të kalbë produktin, ashtu si edhe në vitin 2017 dhe kjo përkthehet në humbje për fermerët.

Flluskat në bujqësi po bëhen gjithnjë e më të shpeshta, kryesisht nga mungesa e orientimit dhe informacionit mbi nevojat e tregut. Shumica e prodhuesve bujqësorë nuk punojnë me kontrata të rregullta dhe mbjelljet bëhen nisur nga tradita dhe mundësitë se sa kërkesa që udhëhiqet nga tregu. Nevion Telha, ekspert i bujqësisë në zonën e Korçës, pohoi se, sektori është i orientuar në dy-tre kultura, të cilat prodhohen në këtë zonë si qepa, patatja dhe mollët, pasi edhe kushtet klimatike i favorizojnë.

Vitin e kaluar, pati superprodhim të qepës dhe patates, për të cilat çmimi i shumicës shpesh ishte 10-20 lekë. Fitimet e fermerëve nga shitjet nuk mbuluan as kostot, duke bërë që shumë prej tyre të hiqnin dorë nga kultivimi këtë vit. Nga 1000 hektarë që ishin mbjellë me qepë gjatë 2017 në rajonin e Korçës më 2018 nuk u mbollën as 150 hektarë. Mirëpo, ata që mbollën qepë këtë vit, patën fitime shumë të larta, pasi çmimi i saj nga depot e fermerëve ishte 60 lekë për kilogram. Ky nuk është sinjal i mirë për të ardhmen e largët, pasi “humbjet” janë te dera për shkak të superprodhimit që pritet këtë vit.

Në kohët e sotme, bujqësia moderne nuk është e orientuar nga planifikimi por nga informacioni. Ismail Beka, koordinatori i projekteve në zyrën e GIZ (Shoqëria Gjermane për Bashkëpunimin Ndërkombëtar) tha se në vend të planifikimit se çfarë kulturash bujqësore duhen mbjellë, duhet një sistem informacioni ku bujqit të njihen me kërkesat e tregtarëve dhe grosistëve. Ky sistem është i thjeshtë, nuk kushton shumë dhe është një metodë që udhëheq prodhimin bujqësor në botën e zhvilluar.

Beka thotë se në kohët e sotme, askush nuk mund të planifikojë saktë se çfarë duhet të mbillet në bujqësi dhe çfarë jo. Këtë e përcakton vetëm tregu. Bujqit mund t’i afrohen tregut, pohon Beka, vetëm nëpërmjet një sistemi efektiv informacioni. Tregtarët mund të ekspozojnë nevojat e tyre për prodhime bujqësore dhe në këtë mënyrë, bujqit e interesuar mund të prodhojnë nisur nga një kërkesë paraprake ku shanset për shitjen e prodhimit janë mbi 90%.

Ministria e Bujqësisë përllogarit se, në Shqipëri vetëm 15% e fermerëve prodhojnë me qëllim tregtinë dhe mund të përmbushin nevojat që kërkojnë kontratat afatgjata. Por edhe kjo kategori fermerësh përballet herë pas here me flluska. Leornad Janji, fermer në zonën e Fierit, tha se për 11 vjet ka kultivuar domate, të cilat i ka shitur nëpërmjet kontratave kryesisht për eksport, por shpesh çmimet ishin shumë të ulëta dhe spekulative, duke mos justifikuar as kostot.

Ai tha se tani e ka mbyllur aktivitetin dhe ka emigruar sërish drejt Italisë për të ushtruar të njëjtin aktivitet. “Në janar të vitit të kaluar isha tek Agropika, e shumëreklamuar nga qeveria shqiptare. Pavarësisht se në bazë të ligjit më takonte subvencion për shkak të sipërfaqes që mbillja, nuk më dhanë asnjë informacion se çfarë kulturash bujqësore do të mbilleshin në nivel lokal apo rang vendi, si dhe sipërfaqen që planifikohej të mbillej”, tha Janji.

Ai pohon se çmimet e ulëta që dha shumica vitin e kaluar për domatet krijuan humbje të mëdha te fermerët, ndaj ata këtë vit kanë mbjellë më pak, duke krijuar hendek në treg dhe eksporte. E njëjta përvojë vlen edhe për perimet e dimrit, qepën, preshin dhe pataten.

 

Flluskat janë shtuar

Viti 2018 duhet të konsiderohej i artë për bujqësinë për nga kushtet klimatike. Reshjet e bollshme në kohën e mbjelljes dhe rritjes së perimeve ishin garancia për prodhimin e lartë, por ndodhi ajo që ekspertët e “Tiranës” nuk e kishin pritur. Bujqit braktisën ngastrat, duke kufizuar mbjelljet e serave e në fushë për shkak të humbjeve që kishin pësuar në vitin 2017. Bujqësia, sidomos në Shqipëri, ka njohur thuajse si zakonisht humbje për shkak të çmimeve të ulëta, por vera e vitit 2007 nuk ishte e zakonshme për ta. Fermerë në zonën e Korçës dhe Fierit gjatë vitit 2017 kanë shitur të gjithë prodhimet nën kosto në rastin më të mirë, pasi shumica është kalbur në fushë.

Prodhimi i lartë dhe mungesa e kontratave të qëndrueshme nga njëra anë dhe spekulimi me çmimet nga ana e tregtarëve dekurajuan fermerët për të mbjellë gjatë verës 2008. Të dhënat nga drejtoritë e bujqësisë nga Qarku i Fierit dhe Korçës tregojnë se sipërfaqet e mbjella me perime ranë ndjeshëm në vitin 2018. Për pasojë tregu pati vështirësi në furnizim normal, duke bërë që çmimet e perimeve dhe zarzavate këtë vit të ishin të larta. Gjatë verës 2008, një kilogram domate u shit mbi 100 lekë, ndërsa perimet e dimrit, si presh, lakra, qepa dhe patatja po shiten me çmime trefish më të larta 12-13 lekë kilogrami.

Ata që kishin mbjellë, këtë vit fituan shumë, por shitjet e farërave dhe fidanëve në zonat prodhuese sinjalizojnë se flluska do të përsëritet vitin tjetër pasi fermerët do të rrisin sërish sipërfaqet e mbjella.

 

Eksporti i fruta-perimeve ra më 2018 për herë të parë pas dy dekadash

Prodhimi i kufizuar bujqësor çoi në rënie të eksporteve të perimeve dhe frutave më 2018 për herë të parë pas dy vitesh. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, eksportet e frutave dhe perimeve ranë më shumë se 1% në vitin 2018, me më shumë se 100 milionë lekë. Mungesa e prodhimit ndikoi negativisht edhe furnizimin e tregut vendas, duke rritur furnizimet nga importi vitin e kaluar. Gjatë vitit 2018 importet e frutave dhe perimeve u rritën me 13% pas një stanjacioni në 2017.

Gjatë 2018-s u eksportuan jashtë vendit rreth 9.5 miliardë lekë fruta dhe perime, ndërsa në vitin 2017, 9.62 miliardë lekë. Ndërsa importet shënuan 9.4 miliardë lekë nga 8.3 miliardë lekë që ishin më 2017. Kjo ishte rritja më e madhe që nga viti 2015. Zhvillimet në tregtinë e jashtme të frutave dhe perimeve reflektojnë ecurinë e prodhimit vendas. Për shembull, në vitin 2017, kur prodhimet vendase arritën kulmin, tregtia me jashtë për herë të parë që nga viti 1990 shënoi suficit në fruta dhe perime. Eksportet shënuan rritje 21% në raport me 2016-n. Ndërsa importet u rritën vetëm me 0.2% kundrejt vitit 2016. Si importet edhe eksportet janë rritur që nga viti 2012, por shitjet jashtë vendit janë rritur me ritme më të shpejta se importet deri në fund të vitit 2017. Situata ka ndryshuar kryekëput në vitin 2018 në favor të importeve të cilat ju kthyen rritjes me ritme dyshifrore.

Në pesë vitet e fundit, eksportet e frutave dhe perimeve janë pesëfishuar, nga 1.8 miliardë lekë më 2012 në 9.5 miliardë lekë në 2018. Ndërsa importet janë rritur në pesë vite me 26%. Mungesa e standardit në varietete dhe kultivimi i tyre nga njësitë fermere në sipërfaqe në më pak si një dynym nuk garanton fitime për kultivuesit.

Në fshatin Verri të Fierit, në zemrën prodhuese të vendit fitimet për një dynym me domate qenë vetëm 20 mijë lekë vitin e kaluar. Kostot për një dynym serë domate arritën në rreth 80 mijë lekë, teksa të ardhurat nga shitja nuk ishim më shumë se 100 mijë lekë. Tregu nuk është i garantuar dhe mungojnë kontratat e shitjes, shpesh ndodh që prodhimi të mos i justifikojë kostot. Pavarësisht kësaj situate, perimet nga serat në Shqipëri mbeten një nga produktet me leverdi. Mirëpo që investimet të finalizohen, duhet që të sigurohet një sipërfaqe më e madhe toke sesa përpunojnë fermerët aktualisht.

Duke kultivuar perime, më e pakta, fermerët do të mund të sigurojnë një pjesë të nevojave të veta për ushqime. Familjet fermere në Fier llogarisin se nuk ka asnjë leverdishmëri në sera në më pak se 5 hektarë. Por për Ministrinë e Bujqësisë, për të filluar një biznes në bujqësi, duhen të paktën 20 hektarë, teksa mesatarja e fermave bujqësore aktualisht nuk është më shumë se 1.2 hektarë.

 

 

Planifikimi, Agropikat nuk po funksionojnë

Në janar të vitit të kaluar, Ministria e Bujqësisë në bashkëpunim me Agjencinë e Zhvillimit dhe Bashkëpunimit Rural (AZHBR) vuri në funksion Agropikat (Dritarja e Fermerit) e cila është një njësi e drejtpërdrejtë e ofrimit të shërbimit, në varësi të Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, e cila ofron shërbime tek fermerët, informacion për aplikime, akses në financë, mbështetje me ekstension dhe shërbime të tjera. Në të gjithë vendin janë synuar 20 të tilla, kryesisht në zonat me zhvillim më intensiv të bujqësisë përkatësisht në Fier, Lushnjë, Durrës, Vlorë dhe Korçë dhe gjatë vitit 2018 do të hapen edhe 15 Agropika, duke arritur në 20 degë territoriale në të gjithë vendin. “Dritarja e Fermerit” do të ofronte ndaj të gjithë fermerëve dhe të interesuarve informacione në lidhje me aplikimet për skemat mbështetëse kombëtare dhe donatorëve të huaj, aksesin në financë, mbështetje me ekstension, etj.

Edhe pse përvoja e qendrave të reja të këshillimit për bujqësinë është ende e re, fermerët janë ndier të zhgënjyer. “Në janar të vitit të kaluar isha tek Agropika e shumëreklamuar nga qeveria shqiptare, ku pavarësisht se në bazë të ligjit më takonte subvencion për shkak të sipërfaqes që mbillja nuk më dhanë asnjë informacion, se çfarë kulturash bujqësore do të mbilleshin në nivel lokal apo rang vendi, si dhe sipërfaqen që planifikohej të mbillej” tha Leorand Janji, fermer në zonën e Fierit.

Zoti Janji pohon se fitimet në bujqësi nuk janë aspak të garantuara edhe pse puna është e mundimshme. Ai shton se kostoja për prodhimin e një kilogram domateje është 20 lekë, ndërsa pikat e grumbullimit në vitin 2007 dhanë çmime shumë të ulëta për shkak të superprodhimit. “Në verën e vitit 2017 e fillova dhe mbarova domaten me çmim 200 lekë arkën 25 kg, sepse ne si fermerë nuk kemi orientim”.
Këtë vit, vështirësitë që po kalojnë fermerët janë në nivel makroekonomik. Inflacioni arriti në 2.3% në korrik prej rritjes së çmimeve të prodhimeve të stinës, frutave dhe perimeve dhe, nga ana tjetër, eksportet e prodhimeve bujqësore kanë pësuar ulje për herë të parë pas disa vjetësh, gjatë vitit 2018.

 

 

Shuhen projektet për bursën bujqësore dhe prodhim të ndarë me rajone

Një strategji për zhvillimin e bujqësisë deri më 2020 synon që të ndajë prodhimin bujqësor në bazë të rendimentit dhe traditës së rajoneve.
Harta rajonale e prodhimeve bujqësore parashikonte që në zonën e Shkodrës të nxitej blegtoria, sidomos mbarështimi i derrit dhe kultivimit të misrit dhe bimëve mjekësore. Qarqet e tjera në Veri, Pukë, Dibër dhe Kukës janë të përshtatshme për të rritur bagëti të imta, arrore, misër dhe pemë frutore, si mollët e qershitë.

Në Shqipërinë e Mesme dhe në jug, në Fier, Lushnjë dominon prodhimi i perimeve, në juglindje të vendit, rajoni i Korçës u pa i përshtatshëm për prodhimin e fasules, qepës, patates, mollëve, bletarisë, të imtat etj. Në jugperëndim, në
Qarkun e Vlorës u pa me vend kultivimi i perimeve, ndërsa më poshtë në Jug, të imtat, sidomos dhitë dhe bletët. Ndarja e prodhimit sipas rajoneve, i cili më pas do të mbështetej me subvencione, u bë në bazë të traditës që i kishte popullsia e zonës për të prodhuar këto kultura, që kishin edhe rendimet për shkak kushteve të favorshme klimatike. Procesi është nxitur edhe më parë nga qeveria Berisha, por ndërkohë prodhimi u nxit pa pasur në konsideratë tregun dhe kërkesën për konsum.

Eksperti i bujqësisë, Ismail Beka, thotë se është shumë e rëndësishme që politikëbërësit të nxisin prodhimin bujqësor me çdo kusht. Ai pohoi faktin se Shqipëria ende sot, më shumë se 50% të nevojave për konsum për prodhime bujqësore mbulohen nga importi, ndaj prodhimi bujqësor mund të zgjerohet më tej.

Beka tha se duhet një sistem efikas informacioni që bujqit të mbjellin kultura që të plotësojnë kërkesën vendase për konsum, ndërsa nevojat për eksport janë gjithnjë e në rritje. Edhe pse Shqipëria punon vetëm një të tretën e tokës bujqësore, prodhimet bujqësore shpesh kanë tepruar dhe në këtë mënyrë kanë përfunduar poshtë degëve ku janë rritur, duke u kalbur në tokat poshtë tyre.

Edhe projekti për krijimin e “bursës bujqësore” gjatë vitit 2016 dështoi. Bursa që ishte një nismë e ministrit të asaj kohe, Edmond Panariti, do të formatonte çmimet e artikujve bujqësorë të prodhimeve për të shmangur spekulimet dhe diferencat e mëdha nga pakica te shumica. Projekti nuk u materializuara, teksa prodhuesit bujqësorë, të cilët janë shtresa më e favorizuar në Europën e zhvilluar, në vendin tonë janë më të diskriminuarit në zinxhirin e bujqësisë.

 

Pesimistë për 2019, tre shqetësimet e prodhuesve

Sektori i bujqësisë nuk parashikohet të ketë zgjerim gjatë vitit 2019, për shkak të çmimeve më të larta të naftës dhe kostove të plehrave kimike, pohojnë fermerët. Brenda këtij sektori, zhvillimet pozitive priten në sektorin e agroturizmit, i cili do të vijojë rritjen edhe në 2019-n, prej rritjes së numrit të turistëve dhe një pakete lehtësuese që qeveria ka miratuar për sektorin, e cila hyri në fuqi më 1 janar 2019. Bujqit prodhues kanë tre shqetësime madhore për vitin 2019: çmimet e larta të naftës, çmimet e larta të inputeve bujqësore dhe mungesën e tregut.

Stavri Gjini, i cili drejton Federatën e Fermerëve në Gradishtë të Lushnjës, pohon se prodhimet bujqësore do të jenë në të njëjtat kuota si këtë vit. Fitimet e fermave – sipas tij – janë në rënie prej çmimeve të larta të naftës dhe kostove të rënduara në inputet bujqësore. Për të punuar një dynym tokë, harxhimet shkojnë në 5 mijë lekë të reja.

Z. Gjini shton se sektori i prodhimit në bujqësi vuan nga mungesa e orientimit dhe gjetja e tregjeve. “Fitimet e bujqve janë përkeqësuar në vitet e fundit. Situata do të vijojë edhe për vitin 2019, për shkak se mungojnë totalisht subvencionet dhe, nga ana tjetër, kostot janë rritur – thekson z. Gjini.

Të njëjtin shqetësim ka edhe fermeri Rustem Xhoraj nga fshati Ruzhdie i Fierit. Ai tha se, shqetësimi kryesor për momentin është çmimi i lartë i naftës, pasi për bujqit ajo është lënda kryesore si për punimin e tokës, edhe për transportin e prodhimeve.
Xhoraj, i cili zotëron një fermë me pemëtore me vreshta dhe ullinj, thotë se fitimet janë ulur së fundmi nga kostot e larta të inputeve edhe pse prodhimi më 2018 ka qenë i mbarë. Ai pohon se problemet e bujqësisë janë të shumta dhe komplekse, por më kryesorja është mungesa e orientimit dhe rregullimit të zinxhirit të tregut. Fermerët mbjellin me intuitë dhe shpesh kjo zhgënjen, se tregu dhe moti sjellin surpriza.

Tregu nuk ka qepë dhe papate, kalben mollët dhe mandarinat

Mollët dhe Korçë dhe mandarinat në Jug po kalben poshtë pemëve. Një kilogram mandarinë dhe mollë kushton aktualisht 70 lekë kilogrami në kryeqytet, teksa në pikat e shitjes me shumicë jo më shumë se 200 lekë. Eksperti i bujqësisë në zonën e Korçës, Nevion Telha pohoi se, fermerët e mollëve në Korçë kanë pësuar humbje të mëdha këtë vit.

Prodhimi i lartë uli në minimum, çmimin duke mos justifikuar as shpenzimet për shërbimet që ju bënë pemëve. Ndërkohë që magazinat e shumicës janë mbushur plot me mollë edhe sot kur duhen të ishin të boshatisura në shumë pemëtore, mollët po kalben në tokë nga mungesa e tregut.

Samiu, një tregtar më përvojë gati 30-vjeçare në tregtimin e frutave dhe perimeve me pakicë në zonën e Medresesë, në tezgën e tij krahas mollëve dhe mandarinave të vendit ka edhe mollë dhe mandarina greke. Samiu pohon se në Shqipëri mungojnë magazinat frigoriferike dhe aktualisht mandarinat vendase ende nuk janë të preferuara për konsum. Gjithashtu molla e Korçës është e vogël dhe jo e mirëmbajtur. Samiu tha se fermerët shqiptarë nuk e kanë kulturën e krasitjes dhe rrallimit, pasi nisën nga mania për të marrë sa më shumë prodhim, ndërsa malli nuk ruhet në kushte të përshtatshme. Në fund, njerëzit preferojnë të blejnë më shumë mall importi se sa atë të vendit, mollë dhe mandarinë këtë vit ka më shumicë.

Eksperti Telha pohon se, teksa tregu ka mungesë të theksuar me furnizim me fruta e perime, nga ana tjetër ka një superprodhim me fruta. Ai tha se qeveria duhet të jetë më orientuese ndaj prodhimit bujqësor me nevojat që ka tregu dhe konsumatorët duhet të nxiten të konsumojnë prodhim vendas në vend të konsumojnë mollë maqedonase ose italiane, kur prodhimi vendas kalbet në fushë. Këtë zhbalancim në furnizimin e tregut me fruta dhe perime e ka evidentuar edhe INSTAT. Sipas të dhënave mbi inflacionin, çmimet e perimeve përfshirë patatet u rritën me 22% në muajin dhjetor 2018 në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa çmimet e frutave ranë me 2.3%.

 

Kostot shpesh më të larta se çmimet dekurajojnë prodhimin

Fermerët në zonën e Myzeqesë përllogarisin se kostot shpeshherë janë më të larta se çmimet. Stavri Gjini nga Gradishta e Lushnjës thotë se për kultivimin e një dynym serë, kostot vjetore janë 280 mijë lekë, siç shprehet ai, të reja, ndërsa fermeri Maliq Minga nga Vajkani i Fierit thotë se kosto vjetore e kultivimit me fushë është 80 mijë lekë (të reja). Minga tha se “edhe përfaqësuesit e Drejtorisë së Bujqësisë nuk e besuan, por një ditë erdhën në tokat e mia dhe i bënë llogaritë me laps e letër.

Kostot për kultivimin e një dynymi dolën më të larta, 85 mijë lekë”. Shpesh çmimet nuk i justifikojnë kostot, pohoi ai, pasi në kohën kur dalin prodhimet e fushës, tregu është plot dhe çmimet bien, shpeshherë duke mos justifikuar shpenzimet e larta. Ai tha se të gjitha imputet bujqësore kushtojnë dhe nuk kanë cilësi. Një kilogram pleh kushton 300 lekë (të reja), pastaj pagesat për traktorët që punojnë tokën dhe pesticidet më vonë janë shumë të larta. Të gjitha kanë çmim të lartë thotë Maliqi, por, nga ana tjetër, nuk ekziston një ent rregullator që të mbikëqyrë çmimet. Shpesh një kilogram kastravecë dhe domate kushton në pikat e pakicës në Tiranë tre herë më shumë se çmimi i blerjes në fushë, duke bërë që fitimi të shpërndahet më shumë te tregtarët se sa te prodhuesit, – pohojnë fermerët.

Në Verri të Fierit, në zemrën prodhuese të vendit, fitimet për një dynym me domate nuk shkojnë më shumë se 20 mijë lekë në shumë raste. Kostot për një dynym serë domate arritën në rreth 80 mijë lekë, teksa të ardhurat nga shitja nuk ishim më shumë se 100 mijë lekë. Tregu nuk është i garantuar dhe mungojnë kontratat e shitjes.

Pavarësisht kësaj situate, perimet nga serat në Shqipëri mbeten një nga produktet më me leverdi. Mirëpo që investimet të jenë produktive duhet që të sigurohet një sipërfaqe më e madhe toke sesa përpunojnë fermerët aktualisht dhe gjithashtu, skemat e subvencionit duhet të funksionojnë. Familjet fermere në Fier llogarisin se nuk ka asnjë leverdishmëri në sera në më pak se 5 hektarë. Por për Ministrinë e Bujqësisë, për të filluar një biznes në bujqësi, duhen të paktën 20 hektarë, teksa mesatarja e fermave bujqësore aktualisht nuk është më shumë se 1.2 hektarë.

 

Plakja e popullsisë dhe emigracioni, në kurriz të prodhimit bujqësor

“Ma keq do të vejë” – thotë fermeri Stavri Gjini nga Gradishta e Lushnjës. “Të rinjtë po largohen, fëmijë po lindin pak. Por edhe fëmijët që po rriten nuk duan të punojnë në bujqësi. Të rinjtë nuk e pëlqejnë ta punojnë tokën. Ka pak fitime dhe shumë mundim, preferojnë të ikin jashtë”, thotë Gjini, i cili tashmë është i lodhur pasi ka vite të tëra pune në bujqësi dhe shumë shpejt nuk do të ketë më fuqi të punojë.
Këtë vit më është dashur të kërkoj për punonjës sezonalë në fshatra të largëta, pasi gjithnjë e më shumë po vështirësohet gjetja e punonjësve. “Si mund të punojë një i ri 20 vjeç për një rrogë 15-20 mijë lekë në muaj që mund ta paguajmë edhe pa sigurime, kundrejt një pune kaq të lodhshme siç është bujqësia. Por ne fermerët kaq mundësi kemi.

Fitimet tona nuk garantojnë paga më të larta dhe as pagesën e sigurimeve, prandaj kanë të drejtë të ikin. Për tre muaj punë në kulmin e sezonit në Greqi, ata marrin të ardhurat e të gjithë vitit nga një punë që bëjnë në vendin e tyre”, shprehet Gjini. Ai dhe fermerë të tjerë në zonën e Myzeqesë janë të shqetësuar se, mungesa e fuqisë punëtore, e cila nuk ka qenë problem deri vonë, do të kthehet në pengesën kryesore të zhvillimit të bujqësisë, përpos pengesave të tjera, siç është copëzimi i madh i tokës dhe mekanizimi i ulët.

 

Modelet

Gjatë vitit të kaluar, Komisioni Europian publikoi trendet e përgjithshme të zhvillimit të bujqësisë 2018-2030. Në këtë material, të interesuarit në sektor janë në dijeni se do të vijojë ecuria e konsumit të prodhimeve bujqësore që nga sheqeri nga kallami, deri tek mishi, qumështi, bulmetrat dhe perimet, frutat dhe drithërat.

Parashikimet e Komisionit mbajnë në konsideratë ndikimin që do të ketë në prodhimin bujqësor dietat e kohës që po ulin konsumin e mishit dhe sheqernave deri tek ndikimet e klimës. Gjithashtu KE synon të rrisë financimet për fermat e vogla dhe të mesme nga 60 në 100 mijë euro. Sipas supozimeve të BE-së, bujqësia do të vazhdojë të luajë rol të rëndësishëm në shoqërinë e BE-së në vitin 2030.

Konsumatorët në BE po bëhen më kërkues ndaj ushqimit që konsumojnë, duke i dhënë shtysë kultivimit të disa produkteve organike të certifikuara. Trendet ndaj mishit, bukës dhe konsumit të sheqerit po zëvendësohen me konsumin e proteinave me bazë bimore. Presioni nga ndryshimet klimatike dhe angazhimet mjedisore do të kompensohen pjesërisht nga përparimet në teknologji që do të ndihmojnë në rritjen e rendimentit.

Komisioni Europian ka të dhëna të detajuara për konsumin e artikujve bujqësorë në periudha afatgjata dhe ka ndarë prodhimin e bujqësisë sipas rajoneve, duke e mbështetur edhe me subvencione. Teksa kontratat e së ardhmes janë instrumente që bujqit në vendet e zhvilluara i përdorin prej kohësh, qeveritë e këtyre vendeve janë garantues finalë të shitjes së prodhimeve të tyre.

Kur tregjet janë të mbingopura, shteti ndërhyn duke blerë prodhimet bujqësore me çmime që përfshijnë kostot dhe norma të pranueshme të fitimeve në mënyrë që fermerët të mos dekurajohen për të mbjellë, pasi në çdo rast mungesa e prodhimit do të kishte kosto shumë më të larta se superprodhimi. Fermerët në vendet e zhvilluara mbështeten me ekspertizë të saktë dhe informacione mbi trendet e konsumit dhe të tregjeve. Së fundi, shitjet online po përdoren si një alternativë premtuese sidomos për shitjen direkt nga fermat të prodhimeve organike.

(Monitor)