Reklame:

Agonia e birres vendase, operatoret e huaj po marrin terrenin

Për herë të parë që nga 2013, sasia e birrës së importuar në vend ishte më e madhe se ajo e prodhuar. Birrat vendase kanë vijuar që të tkurren në tregun vendas, duke lëshuar terrenin për operatorët e huaj, teksa konsumi po vjen në rritje. Operatorët kryesorë të tregut ankohen se janë në pozita jo favorizuese me importin dhe se po humbin konkurrueshmërinë në krahasim me rajonin. Faktor kryesor për këtë, prodhuesit vendas rendisin kostot e larta të operimit. Cilat janë pritshmëritë e tyre për 2019-n?

Birra vendase, prej vitesh, po vuan pasojat e politikave jo lehtësuese nga prodhimi vendas, kushtet jo favorizuese ndaj importit dhe po paguan kosto të larta për prodhim. Vitet e fundit, prodhimi i fabrikave të birrave shqiptare ka qenë në tkurrje dhe 2018-a shënoi një kthesë në raportin e prodhimit vendas përkundrejt importit. Për herë të parë që prej vitit 2013, Shqipëria ka importuar më shumë se sa ka prodhuar në vend, me importet që u rritën me 4% në krahasim me një vit më parë. Të dhënat nga Doganat tregojnë se prodhimi vendas shënoi rënie me 181 mijë litra (më pak se 1%), ndërsa në total tregu, ku përfshihen importet dhe prodhimi vendas, u rrit me 2%.

Stefan Pinguli, drejtues i Birra Stela, një nga më të mëdhatë në vend, përllogarit se në total, birrat vendase mund të kenë humbur në vitet e fundit rreth 20% të tregut dhe e shikon thuajse të pamundur për të depërtuar në tregjet rajonale. Industria e prodhimit të birrës në vend ka peshë në ekonomi sikurse argumentojnë operatorët kryesorë.

Luan Bregasi, drejtues i Birra Tirana, më së madhes në vend për nga qarkullimi, thotë se në total, investimet në këtë industri janë 80 milionë euro dhe numëron afërisht 20 mijë të punësuar në të gjithë zinxhirin e saj, nga prodhimi deri te shitja te konsumatori final. Bregasi thotë se birra vendase po vuan mungesën e politikave që do të krijonin një klimë të barabartë me importuesit në vend.

Birrat vendase, në tkurrje

Birra Tirana, më e madhja në vend, arriti të ulë humbjet në vitin 2017, megjithatë të ardhurat nga shitjet shënuan rënie me 16% në 2017-n sipas pasqyrave financiare të publikuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

Luan Bregasi, administrator i Birrës Tirana, e argumenton këtë rënie me pozitën e pabarabartë që gjendet prodhimi vendas në treg dhe së dyti me kostot e larta të operimit që ka industria vendase, prej të cilave produkti vendas del relativisht me çmim të lartë.

Birra Korça ishte e vetmja që shënoi rritje gjatë 2017-s, me vetëm 5%. Korça renditet e dyta për nga qarkullimi vjetor, bazuar nga pasqyrat e publikuara në QKB. Armando Xoxa, menaxher i shitjeve të kompanisë, tha për “Monitor” që edhe pse kanë qenë me trend rritës në tregun vendas, nuk janë në nivelin e pritshmërive të tyre. Për sa i përket 2018-s, Xoxa shprehet se ka qenë një vit i vështirë në lidhje me sektorin e pijeve soft drink, ku përfshihet edhe birra. Fillimi i verës u ndikua nga kushtet atmosferike jo të mira, të cilat vonuan turistët në zonat turistike. Xoxa thotë se sezoni intensiv i punës u reduktua në vetëm 30 ditë nga 3 muaj që e prisnin.

Në tkurrje ka qenë edhe Birra Stela, e cila ka ulur qarkullimin me rreth 26% që prej 2014-s dhe drejtuesi i saj, Stefan Pinguli, mendon se edhe 2019 nuk do të jetë një vit pozitiv për prodhimin vendas. Për tkurrjen në treg të birrave vendase, Pinguli thotë se një pjesë i atribuohet pozitave të pabarabarta që prodhimi vendas është karshi birrave të importit. Hyrja e këtyre importuesve dhe kapja e tregut për një periudhë të caktuar kur shteti ishte i pavëmendshëm për akcizën që duhet të paguanin ata si birra të huaja, apo për birra me prodhim mbi 200 mijë hektolitra, bëri që ata të forcojnë pozicionet e tyre në treg dhe të jenë më konkurrues se prodhimi vendas.

“Ne konstatojmë se mallrat e importit, sidomos birra, megjithëse kanë kosto më të lartë, çuditërisht shiten më shumë. Kjo është një pikëpyetje shumë e madhe për faktin që tregon se mallrat e importit kanë një lloj mbështetje, tregtare ose juridike, e cila konkurron me produktin vendas në strukturën e përgjithshme të shitjeve”, – thotë Stefan Pinguli.

 

 

Prodhimi vendas vuan prej kostove të larta

Shkaku i dytë se për se industria vendase po përjeton këtë dramë, sipas aktorëve të tregut, janë kostot shumë të larta të operimit. Luan Bregasi thotë se industria vendase ka kosto më të larta ku përfshihen: çmimi i lartë i energjisë elektrike, çmimi i lartë i naftës, kostot e larta të kredive bankare, kosto e lartë e ujit, akcizat e larta, etj.

Në kërkesat që i kanë parashtruar qeverisë prodhuesit vendas ka qenë edhe ulja e çmimit të energjisë elektrike. Sipas Stefan Pingulit, çmimi i energjisë elektrike për prodhuesit duket të bëhet sa çmimi për konsumatorët familjarë. Shpenzimet për energji elektrike kanë një peshë të konsiderueshme në strukturën e kostove të prodhuesve. Energjia elektrike shërben si lëndë e parë për shumë biznese prodhuese.
“Ne kemi përdorim me sasi të madhe dhe për këtë duhet të kemi kosto të ulëta. Shteti nuk mund të na marrë çmim për energjinë më të lartë se popullatës, produktet dalin me kosto më të larta, gjë që të cilën në finale e paguan sërish konsumatori”.

Ndër të tjerat, Stefan Pinguli i Birrës Stela shton se kanë pasur problem edhe me rimbursimin e akcizës që paguajnë te karburantet. “Ne nuk arrijmë të rimbursojmë më shumë se 5-10% të vlerës, gjë e cila na bën të rrisim kostot”, – thotë Pinguli.

 

Importuesit: Operojmë me kosto të larta, por presim rritje në vitin 2019

Birra Peja, e cila prodhohet në Kosovë, është një prej birrave të importuara që ka njohur zgjerim në tregun shqiptar. Ndër shqetësimet kryesore të prodhuesve vendas ka qenë trajtimi favorizues i importuesve, të cilët kanë shfrytëzuar një hapësirë ligjore, duke paguar akcizë 15 lekë për litër, sikur prodhonin më pak se 200 mijë hektolitra në vit dhe jo 30 lekë për litër sa është akciza për prodhimin mbi 200 mijë hektolitra.

Valbona Begu, administratore e kompanisë distributore që e sjell në vend, Tabacco Holding, thotë se rritja e tyre në 2018-n ishte rreth 8%. Ndërsa burime nga kompania thanë për “Monitor” se Peja përgjigjet për rreth 12% të totalit të birrave të importuara në vend. Begu argumenton se arsyet kryesore të rritjes së tyre në tregun vendas janë cilësia dhe marketingu, ndërsa shton se prodhuesit vendas nuk po investojnë në teknologji.

Përfaqësuesit e Pejës në Shqipëri shprehen se kostot e tyre të operimit janë po ashtu të larta. “Së pari, ne paguajmë tarifën e skanerit në Dogana, të cilin prodhuesit vendas nuk e kanë”, shpjegon Begu. Ndër të tjera, ajo shton se iu është shtuar edhe taksa e Rrugës së Kombit, ku për çdo kamion duhet të paguajnë 22.5 euro në mbërritje dhe në kthim. Ndërkohë paguajnë edhe çmimet e karburantit të shtrenjtë për sa i përket shpërndarjes në Shqipëri. Begu shton se vendosja e pullave bëhet manuale, ndërsa në prodhimin vendas, është i automatizuar.

Megjithatë importuesit presin që në 2019-n të vijojnë të konsolidojnë rritjen e tyre. Kompania e distribucionit Eurolab, e cila ka në portofolin e saj brandet Peroni, Peroni Nastro Azzurro, Corona, BUD, Franziskaner, Leffe, Hoegaarden, Ceres parashikon ecuri pozitive në 2019-n. Rritja, sipas tyre, do të dominohet nga rritja e birrave të cilësuara si “Super Premium” apo Specialties (Wheat, Dark, Amber, Malt, India Pale Ale, Pale etj.). Në fakt, këto janë kategoritë që kanë prezantuar rritjen më të madhe në 5 vitet e fundit.

 

Si rënia e euros favorizoi importuesit

Nënçmimi i euros ka qenë një faktor favorizues për birrat e importit. Monedha e përbashkët preku nivelin më të ulët të këmbimit në dhjetë vitet e fundit në verën e vitit 2018 dhe vijon ende të këmbehet në nivele të ulëta përkundrejt lekut. Sipas prodhuesve vendas, kjo i favorizoi birrat e importit që të dalin me çmime promocionale gjatë verës dhe për festat e fundvitit.
Armando Xoxa, menaxher i përgjithshëm i shitjeve në Birrën Korça, thotë se zhvlerësimi i monedhës euro ka ndikuar drejtpërdrejt në uljen e kostove të birrave të importit.

“Me rënien me 10 pikë të euros, bëri që shumë birra të importit, të dilnin në oferta dhe çmime pothuajse njësoj, ose në disa raste, edhe më të lira se birrat vendase”, – shpjegon Xoxa.

Xoxa shton se kjo shkakton jashtëzakonisht problem për sa i përket stabilitetit të tregut, në të cilin, në një pikë gjatë festave të fundvitit, oferta e birrave në tërësi shkoi -20-25% nga çmimi bazë. “Janë dy rrugë, ose do të përpiqesh që të ruash pjesën e stabilitetit të çmimit dhe të klientelës të pozicionuar në nivelet gjatë vitit ose do të ndjekësh lojë. Për të mos dalë nga rrjedha dhe nga tregu, ne bëmë disa oferta gjatë festave, por ofertat që bënin birra Peja apo birra Elbar gjatë festave të fundvitit ishin në nivele jashtëzakonisht të ulëta”, – thotë Xoxa. (monitor)