Reklame:

Kodi 39 per taksen e plastikes, udhezimi le ne balte prodhuesit

Vendosja e një takse për të zvogëluar pasojat e ndotjes në mjedis ka prekur një pjesë të industrive prodhuese në vend. Shumë prej tyre vijojnë të mbajnë të bllokuara në dogana lëndët e para për prodhim, të cilat i përkasin Kodit 39. Për të rregulluar situatën e tyre, Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka publikuar udhëzimin me shtesat dhe ndryshimet përkatëse, për të cilat prodhuesit thonë se nuk i nxjerr nga situata në të cilën ndodhen.

Kompania Poly Pack, që prej vitit 2004, prodhon artikuj, kryesisht të përbërë prej lëndës së plastikës për fermerët. Ndër artikujt kryesorë që ata prodhojnë përfshihen qeset për fidanët bujqësorë, plastmasët për sera, arkat plastike për paketimin e frutave dhe perimeve etj. Duke qenë se tashmë granulatit, i cili shërben si lëndë e parë për prodhimin e tyre, i kanë vendosur një taksë, produktet kryesore që ata prodhojnë do të dalin më të shtrenjta, duke rritur kështu direkt edhe kostot për prodhimet bujqësore.

Jorgji Basho, administrator i kompanisë, thotë se për shkak të kësaj takse duhet të paguajë mesatarisht 10 mijë euro më shumë dhe se vendosja e saj do të shtrijë pasojat në të gjithë zinxhirin nga prodhuesit deri tek konsumatori final. Ndryshe nga Shqipëria, Jorgji Bashko shpjegon se në rajon, qeveritë subvencionojnë këto industri dhe nuk i ngarkojnë me barrë fiskale. Rrjedhimisht, produktet bujqësore do të thellojnë mungesën e konkurrueshmërisë me rajonin.

Megjithatë, për të rregulluar problematikën që lindi për shkak të ndryshimit në ligjin për taksat kombëtare që prekte të gjitha produktet e Kodit Doganor 39, Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka publikuar në Fletoren Zyrtare një udhëzim me shtesat dhe ndryshimet që pëson ligji. Ky udhëzim, sipas zotit Basho, nuk e zgjidh aspak situatën që ka prekur prodhuesit shqiptarë. “Ne kërkojmë anulimin e ligjit”, – tha Jorgji Basho për “Monitor”. Edhe Arben Shkodra, sekretar i përgjithshëm i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, është për anulimin e këtij ligji, pasi për të, udhëzimi nuk e zgjidh situatën e krijuar për shumë prodhues të prekur.

“Për ne si Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë, udhëzimi ka rënë pasi është i paimplementueshëm”, – u shpreh Shkodra, ndërsa për sektorin e bujqësisë, ai shton se ligji nuk bën sens, pasi ndërsa qeveria mundohet që të krijojë lehtësi për një sektor si bujqësia, u vendos taksë lëndëve të para të sektorit. Kjo do të rrezikojë edhe konkurrueshmërinë e produkteve vendase përkundrejt importit.
Por bujqësia nuk është i vetmi sektor i prekur prej këtij ligji, të cilat shpresat i kishin varur nga rregullimi që mund t’i bëhej ligjit me anë të një udhëzimi.

Berdica Cement bën furnizimin me aditivë për shumë kompani vendase të prodhimit të materialeve të ndërtimit dhe të bojërave. Aktualisht, kompania e tij është vënë në vështirësi operimi. Behar Berdica, administrator i kompanisë, deklaroi për “Monitor” se kompania e tij nuk është në gjendje që të zhdoganojë lëndën e parë që ka porositur nga furnitorët e huaj. Në magazinat doganore ka rreth 130 tonë lëndë të parë dhe pret që të vijnë dhe 400 tonë lëndë e porositur në avancë nga klientët brenda vendit.

Efektet e taksës së vendosur në ecurinë financiare të kompanisë së tij janë të rënda dhe Berdica e cilëson udhëzimin si të kundërligjshëm dhe larg kërkesave që kishin palët e prekura ndaj Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë. Berdica shton se janë të detyruar që klientët t’i faturojnë pa taksë, pasi nëse rrisin çmimet, nuk ka aspak dyshim që prodhuesit vendas do të humbasin tregjet.

Edhe për kompanitë importuese situtata nuk ka ndryshuar. Haki Sinani, drejtues i Sinani shpk, kompani që tregton pjesë hidrosanitare, thotë se “për disa artikuj siç janë dyer e dritare që bëjnë pjesë në këtë kategori (ku pjesa joplastike zë më shumë se 51% të masës së përgjithshme) ështe vënë në zbatim, ndërsa për produktin tonë ende jo”. “Kemi kamionat prej disa ditesh që presin për zhdoganim. Konkretisht për kodin tarifor 39 229 000 ende nuk është vënë në zbatim,”- shpjegoi ai. Sinani thotë se kanë dërguar e-maili tek autoritetet pergjegjese doganore, bashkë me dokumentacionin ku provohet se pjesa joplastike e produktit zë më shumë se 51%, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

Si do të favorizohet importi prej ligjit

Arben Shkodra i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, shpjegon se në finale, kjo është një taksë për ndotjen dhe në logjikë, taksimi i Kodit 39 sipas tij, është i pandershëm. Shkodra argumenton se raporti midis importeve dhe prodhimit në vend shkon në favor të importit.

Si produkte finale, të cilat nuk i përkasin i Kodit 39 të nomenklaturës, por që përmbajnë plastikë, siç mund të jenë makina, karriget, elektroshtëpiaket, e shumë produkte të tjera, hyjnë në Shqipëri dhe nuk paguajnë për plastikën që përmbajnë.

Prodhuesi vendas që prodhon karrige me përmbajtje plastike në vend është i rënduar nga një taksë që takson plastikën në vend, ndërsa karrigia që hyn si produkt final nga importi, nuk paguan atë taksë dhe del me një çmim më të lirë se prodhimi vendas.

Arben Shkodra, nga PBSH, thotë se produktet jashtë Kodit 39, vijnë nga importi si produkt i gatshëm dhe nuk do të paguajnë taksë. Kurse llaçi, bojërat të cilat prodhohen në vend, duke marrë lëndë të parë të cilët janë aditivë që i përkasin Kodit 39, do të futen me taksë. Kjo do të ulë konkurrueshmërinë e prodhuesve vendas.

Prodhimi i mobilierive është një nga sektorët që ky ligj ka prekur më së shumti. Xhavit Rraja, i cili drejton kompaninë O.Z.B. të prodhimit të sfungjerëve, thotë për “Monitor” se për të përballuar kostot e shtuara, do të detyrohen që të rrisin çmimin final. Sfungjerët e prodhuar janë 100% material i riciklueshëm dhe të parrezikshëm për mjedisin. Për çdo kontejner me lëndë të parë, ai duhet të paguajë rreth 500 mijë lekë më shumë për shkak të taksës. Edhe pse rritja e çmimeve është një mundësi, ai thotë se për shkak të kësaj, mund të humbasim klientë, të cilët do të orientohen drejt produkteve më të lira që vijnë nga importi.

Flexo Alb është një tjetër biznes që do të preket nga ndryshimi i taksës. Kompania merret me prodhimin e produkteve për ambalazhim, 100% të biodegradueshme. Edmond Bami, drejtues i kompanisë, i kontaktuar nga “Monitor”, tha se aktualisht kompania ka ndaluar eksportet dhe se kjo taksë nuk ekziston në asnjë vend tjetër në botë. Kostot operative në kompaninë Flexo Alb do të rriten me 15% të totalit. Sipas zotit Bami, kostot do të shtohen deri në 70% të totalit për biznese të tjera, për shkak të sasisë së lëndës së parë që iu duhet për prodhim. Ai përllogarit se i duhen rreth 200 tonë lëndë e parë dhe ka 40 të punësuar. “Kjo do të na e bëjë të pamundur që të zgjerohemi në 2019-n”,- shprehet Bami.

Teqja International sh.a., prodhon tuba plastikë për tregun vendas që prej vitit 2004. Tubat përdoren kryesisht për instalimet hidraulike të ujit të pijshëm në banesa. Lënda e parë kryesore për prodhimin e tyre, gjithashtu është pjesë e Kodit 39. Petrit Keqaj, administrator i kompanisë, përllogarit se kostot vjetore nga ky ndryshim i beftë në ligj janë 1 milion euro.

Ndryshimi i papritur ka alarmuar të gjithë prodhuesit. Petrit Keqaj, biznesi i të cilit është ndër më të prekurit, për shkak se volumi në peshë i lëndës së parë është më i lartë, thotë se për shkak të taksës do të detyrohet që të rrisë çmimet për produktin final. Prodhimi në këtë kompani aktualisht ka ndalur duke qenë se operatorët presin udhëzime nga Ministria. Petrit Keqaj i kontaktuar nga “Monitor” shprehet se taksa do të sjellë humbje dhe ndryshimi do të favorizojë importin.

Shkodra, në emër të prodhuesve shqiptarë, thotë se kanë njohur ministrinë me kërkesat e tyre. Ata kërkojnë që të hiqet taksa për të gjithë lëndët e para që shkojnë për të prodhuar produkte që janë për bujqësinë. “Pra, nuk mund të incentivosh bujqësinë në një krah dhe ta taksosh në anën tjetër”,- arsyeton ai.

“Për sektorin e ndërtimit, veçanërisht për ata që shërbejnë për infrastrukturën, si tubat e ujit që përdorin për ujësjellës dhe kanalizime, për termoizoluesit, për mobilieritë, sfungjerin, industrinë agroushqimore, pjesa e sallamrave, ku përdoret plastika, ne kërkojmë që të bëhen zero dhe të çlirohen nga taksa. Problemi qëndron tek ambalazhet, për të cilat ne e kemi kërkuar 5 lekë” – thotë Shkodra. Më herët, edhe Vullnet Haka, përfaqësues i përpunuesve të plastikës në vend ngriti shqetësimin se asnjë produkt vendas nuk do të shpëtojë pa taksuar.

“Në ndryshimet që bëri qeveria, duke vendosur taksë mbi importin e plastikës dhe lëndës së prodhuar në vend të plastikës, taksa e importit u vendos 35 lekë/kg, ndërsa për prodhimin në vend u vendos 25 lekë për kilogram. Kjo është një diferencë e papërfillshme që diskriminon industrinë vendase të përpunimit të plastikës. Për më tepër, lëndët e para të plastikës klasifikohen në Kodin Doganor 39, ku çdo prodhim merr 25 lekë për kilogram.

Ndërsa importet, për shkak të funksionit dhe materialeve të tjera janë klasifikuar me kod tjetër doganor që nuk e marrin këtë tarifë dhe do të hyjnë në tregun vendas të pataksuara. Kjo është një thikë pas shpine për përpunuesit vendas të plastikës. Ne kemi pasur bisedime dhe kemi sqaruar situatën e industrisë, mirë po asgjë nuk u mor parasysh. Propozimi ynë kryesor ishte që taksa për përpunimin vendas të plastikës të bëhet nga 25 lekë dhe të shkonte në 10 lekë për kilogramë”, – ka shpjeguar më herët z. Haka për “Monitor”.

 

A zgjidhet problemi i plastikës

Arsyeja kryesore e vendosjes së ligjit ishte minimizimi i efekteve ndotëse që ka plastika në mjedis, por industria në vend arsyeton që taksimi i të gjithë lëndëve të Kodit 39 nuk do të zgjidhi problemin me ndotjen në vend. Arben Shkodra thotë se një tjerët çështje e këtij ligji, është ndotja prej qeseve të plastikës.

Pamundësia për të bërë ndarje të diferencuar që në burim, si dhe paaftësia e qeverisë qendrore dhe vendore për të menaxhuar ndotjen apo dhe mungesa e vizionit për të nxitur industrinë e ricikluesve në vend nuk do të zgjidhet nëpërmjet taksimit të produkteve të plastikës.

Sipas Shkodrës, ndotja nuk ndodh vetëm më produktet që janë 100% plastikë, por edhe me produkte që nuk bëjnë pjesë në Kodin 39, por që kanë në një pjesë të mirë të përbërjes së tyre lëndë plastike dhe është e pamundur që të taksosh. Gjithashtu taksa bie ndesh edhe me marrëveshjen MSA. “Ndotja është ‘kalë beteje’, por me të padrejtë prek vetëm ndotësit e vegjël. Kjo nuk do të jetë aspak efektive për sa i përket reduktimit të ndotjes”,- shton ai.

 

Çfarë thotë udhëzimi nga ministria

Në udhëzimin e Ministrisë për taksat kombëtare të publikuar në Fletoren Zyrtare thuhet se taksa 25 lekë/kg për lëndët e para në forma primare, të importuara në krerët 3901 deri në 3914, të NKM-së, zbatohet për të gjithë prodhuesit/importuesit që e përdorin për prodhimin në vend të produkteve të plastikës.

Taksa për lëndët e para në forma primare të importuara nga subjektet prodhuese, që kategorizohen në krerët 3901 deri në 3914, do të aplikohet vetëm nëse produktet e prodhuara nga këto lëndë të para të importuara janë subjekt i llogaritjes së taksës në import. Në rastet kur lëndët e para në forma primare, të importuara nga subjektet prodhuese dhe që klasifikohen në krerët 3901 deri në 3914, nuk përdoren për prodhimin e produkteve të plastikës në vend, por si plotësues teknologjik, lëndë të para adititive (agregate lidhës) për prodhimin e produkteve që nuk kategorizohen si produkte plastike, taksa 25 lekë/kg nuk paguhet në import. Ky përcaktim zbatohet dhe për rastet kur lëndët e para në forma primare, të importuara nga subjektet prodhuese në krerët 3901 deri në 3914, përdoren për prodhimin e materialeve plotësuese për prodhues të tjerë, produktet finale të të cilëve nuk përfshihen në kapitullin 39 të NKM-së.

Në rastet kur lëndët e para në forma primare, të importuara nga subjektet prodhuese dhe që klasifikohen në krerët 3901 deri në 3914, nuk përdoren për prodhimin e produkteve të plastikës në vend, por si plotësues teknologjik, lëndë të para aditivë (agregate lidhës) për prodhimin e produkteve që nuk kategorizohen si produkte plastike, taksa 25 lekë/kg nuk paguhet në import.

Ky përcaktim zbatohet dhe për rastet kur lëndët e para në forma primare, të importuara nga subjektet prodhuese në krerët 3901 deri në 3914, përdoren për prodhimin e materialeve plotësuese për prodhues të tjerë, produktet finale të të cilëve nuk përfshihen në kapitullin 39 të NKM-së. Udhëzimi sipas aktorëve të prekur le vend për diskutim dhe interpretim.

Sa do të preken prodhuesit nga taksa

Kodi 39 i Nomenklaturës përbëhet nga 26 kategori të mëdha produktesh. Sipas ligjit për taksat kombëtare, në nenin 4 ku përcaktohet niveli i taksave kombëtare, pika 8 thotë se “taksa e materialeve/artikujve plastikë dhe e ambalazheve plastike të importuara në kapitullin 39, të NKM-së, është 35 lekë/kg, me përjashtim të lëndëve të para në forma primare, të importuara në krerët 3901 deri në 3914, të NKM-së”.
Ndërsa në pikën 8.1 “përcaktohet se taksa e lëndëve të para në forma primare, të importuara në krerët 3901 deri në 3914, të NKM-së, dhe që përdoret për prodhimin në vend të produkteve të plastikës është 25 lekë/kg”.

Sipas Dhomës së Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, nga ky ndryshim në ligj preken kryesisht importuesit e lëndëve të para nga Kodi 3901 deri në Kodin 3914, të cilat janë kryesisht lëndë e parë polisterol dhe nënprodukte të tij, që përdoren në industri të ndryshme si: prodhimi i tubave plastike, termoizolimi, prodhimi i sfungjerëve, prodhimi i materialeve të ndërtimit, prodhimi i ambalazheve të plastmasës dhe prodhimit të bojërave.

Në 2017-n, importi i lëndëve që përmban Kodi 39, ku përfshihen artikujt e plastikës, ishte rreth 209 milionë dollarë, sipas të dhënave nga Doganat. Lëndët e para të prodhimit të polisterolit dhe produktet e gatshme që vijnë nga importi, zënë rreth 18% të totalit të Kodit tarifor 39.

Operatorët e prekur thonë se kur u përcaktua në ligj se taksa do të prekë të gjithë produktet e Kodit 39, nuk kanë pasur asnjë të dhënë se çfarë prodhohet me këto lëndë të para, një analizë teknike apo ndikimin negativ ekonomik te firmat prodhuese që nuk kanë lidhje me ambalazhet.

Duke ju referuar të dhënave të operatorëve për vitin 2017 në lidhje me totalin e importeve të lëndëve të para dhe produkte të gatshme: -Janë importuar rreth 3250 tonë lëndë të para për prodhimin e polisterolit që i takojnë Kodit tarifor 3903. Nga të dhënat e doganës për vitin 2017, vlera tregtare e importuar e Kodit 3903 ishte 4 milionë dollarë.

Ndërsa produkte të gatshme EPS dhe XPS që i takojnë kodeve tarifore 3921 1100 dhe 3920 3000 të konvertuara janë 1,016,000 kg apo 1,016 tonë. Vlera që do të paguajnë prodhuesit për lëndën e parë është 3.250.000 kg x 25 lekë/kg = 81,250,000 lekë ose 655.000 euro.

Ndërsa vlera që do të paguajnë importuesit e prodhimit të gatshëm është 1.016.000 kg x 35 = 35,560,000 lekë, ose 287,000 euro.
Pra, në total, kosto shtesë të imponuara ndaj operatorëve tregut të polisterolit EPS dhe XPS janë afërsisht 942,000 euro duke iu referuar të dhënave për vitin 2017. Operatorët e tregut pohojnë se për vitin 2018 ka pasur rritje konsumi dhe normalisht ka ngarkesë më të lartë fiskale prej taksës.

(monitor)