Reklame:

Argjinarja e eger, bima me vlera te rralla medicinale

Argjinarja e egër që çel lule me ngjyrë vjollcë është një barishte që rritet gjithë vitin dhe që i përket familjes botanike Asteraceae.

Vendlindja e saj është Mesdheu perëndimor dhe ai qëndror, ku kjo barishte ka gjetur përdorim që në lashtësi. Gjethet, lulet, kërcenjtë dhe rrënja e argjinares së egër janë të gjitha të ngrënshme.

Në Shqipëri, argjinarja e egër rritet në natyrë dhe ka emërtime të ndryshme në varësi të zonave. Në Shkodër i thonë artiçokë e egër, hinardh në jug të vendit dhe ingjinare e egër në Tiranë. Bima e argjinares së egër rritet deri në 1.5 metra.

Gjethet e saj janë në ngjyrë të gjelbër me nuance të grisë. Atë e gjejmë gjatë gjithë vitit dhe shija e saj është e hidhur. Argjinarja e egër është e mbushur me vitaminë B12, 1, 5, 3, 6, vitaminë C, kalium, mangan, bakër, hekur, selenium, magnez dhe zink.

Ajo gjithashtu rregullon nivelet e lëngjeve në organizëm, ndihmon sportistët për stërvitjen, parandalon pagjumësinë, ul ankthin, dhimbjet e kokës, forcon imunitetin, ndihmon me rritjen dhe zhvillimin, përmirëson tretjen dhe parandalon problemet me veshkat.

Përdorimet tradicionale Në mjekësinë popullore, gjethet e argjinares së egër janë përdorur për sëmundjet kronike të mushkërisë, hepatitin, fshikëzën e urinës, verdhëzën, diabetin dhe arteriosklerozën.

Argjinarja e egër i vjen në ndihmë sistemit tretës, është efikase kundër reumatizmës dhe largon gurët nga organet e brendshme. Gjethet përdoren për të përmirësuar shëndetin e mëlçisë dhe fshikëzës së urinës, sekretimin e lëngjeve të tretjes dhe uljen e kolesterolit në gjak.

Si ta konsumoni argjinaren e egër Argjinarja e egër mund të skuqet, ziehet, piqet, apo të përdoret në supa. Rrënja e saj zjehet dhe shtohet në sallatë, ndërsa kërcenjtë dhe gjethet konsumohen të gjalla në sallatë ose gatuhen në supa.

Sugjerohet konsumi i argjinares së egër përpara çeljes së petaleve, ndërkohë që nuk duhet harruar që gjethet janë përdorur në mjekësinë popullore për nxjerrjen e gurëve nga organet e brendshme dhe kundër reumatizmës. Romakët e lashtë dhe italianët e sotëm kanë qenë të apasionuar pas argjinares së egër duke e kombinuar atë me vaj të mirë ulliri.

Kërkimet e kohëve moderne tregojnë se përbërësi cinarinë i bimës përmirëson funksionet e mëlçisë dhe fshikëzës së urinës, duke stimuluar sekretimin e lëngjeve tretëse dhe ulur kolesterolin.

Argjinarja e egër është një burim jo shtazor i enzimës për prodhimin e djathit.

Në Itali dhe Spanjë përdorin argjinare të thatë për prodhimin e djathit. Argjinaren e egër mund ta gjeni në periudhën e dimrit deri në fillim të pranverës.

Ajo është një burim jetësor i vitaminës C, kaq të nevojshme në këtë stinë të ftohtë. Argjinarja është një bimë që kultivohet dhe rritet lehtë duke ju ndihmuar të përfitoni të gjithë vlerat e saj.

Shija e argjinares së egër është arrore dhe më delikate se simotrat e saj.