Reklame:

Prodhimi dhe perpunimi i lekureve, gati vendimi qe cakton kushtet per bizneset

Prodhimi, përpunimi dhe trajtimi i lëkurëve nga subjektet fizike dhe juridike do të bëhet në bazë të disa kushteve të reja në funksion të mbrojtjes së mjedisit dhe shëndetit të njeriut përveç parimit “ndotësi paguan”.

Ministria për Turizmin dhe Mjedisin ka bërë gati një projektvendim i cili sanksionon masat që duhet të merren nga operatorët në rastet e instalimeve për prodhimin, grumbullimin, përpunimin dhe trajtimin e lëkurëve.

Në rastet kur nuk ka zona të dedikuara, projektvendimi cakton edhe kushtet që duhet të përmbushen nga subjektet. Së pari, të vendosen në zonat e miratuara për zhvillimin industrial sipas planeve vendore dhe së dyti, kushti i largësisë që duhet të kenë instalimet nga zonat urbane, nga ato të mbrojtura, shtrateve lumorë dhe zonat me rëndësi për biodiversitet.

Kjo distancë është caktuar në perimetrin 2 mijë metra larg. Por cilat janë objektivat e projektvendimit.

Së pari ka në fokus parandalimin e mbetjeve të gjeneruara nga instalimet e prodhimit, trajtimit dhe përpunimit të lëkurëve.

Së dyti saktëson procedurat, teknikat dhe standardet për menaxhimine mbetjeve nga instalimet e prodhimit, trajtimit dhe përpunimit të lëkurëve.

Së treti nënvizon trajtimin e ujërave të ndotura industriale përpara shkarkimeve të tyre në gropa septike dhe trupat e tjerë ujorë pritës.

Së katërti nënvizon trajtimin e diferencuar të kimikateve të rrezikshme dhe shmangien e shkarkimit të tyre në mjedis.

Së pesti rëndësinë e aplikimit të teknologjive më të mira në dispozicion (TMD), që bëjnë të mundur ripërdorimin e ujërave të ndotura industriale, me qëllim pakësimin e shkarkimeve të tyre në mjedis.

Së gjashti sigurimin e kushteve dhe pajisjeve për të mbrojtur mjedisin, shëndetin e punonjësve dhe të njerëzve që bien në kontakt me mbetjet e gjeneruara nga këto instalime.

Së shtati përgjegjësitë e zgjeruara të prodhuesit, për minimizimin e mbetjeve që gjenerohen nga instalimet e prodhimit, trajtimit dhe përpunimit të lëkurëve, ripërdorimin, rikuperimin, riciklimin dhe trajtimin specifik të diferencuar të mbetjeve organike, në përputhje me legjislacionin në fuqi për menaxhimin e integruar të mbetjeve, mbi baza profesionale.

Së teti thekson përgjegjësitë e zgjeruara të prodhuesit, për menaxhimin e mbetjeve të lëkurëve, që teprojnë pas trajtimit dhe përpunimit teknologjik të tyre, mbi baza profesionale.