Reklame:

Reforma e ujit nuk jep rezultate, Ministria ndryshon subvencionet per shoqerite e ujesjellesve

Brenda 6-muajsh, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka ndryshuar sërish metodologjinë që do të përdoret për subvencionimin e  ujësjellësve nga buxheti i shtetit. Sipas udhëzimit të ri, që mban datën 2 prill është hequr ndarja specifike për përdorimin e fondit, e cila deri më tani shkonte 40% për mbulimin e kostove direkte të operimit dhe 60% e tij për nxitjen e performancës së shoqërive.

Ndërkaq, në udhëzimin e ri, pavarësisht se kjo ndarje është hequr, përcaktohet se subvencioni i përfituar për mbulimin e kostove direkte të operimit, në masën 50% të tij duhet të shkojë për të paguar faturat e energjisë elektrike. Gjithashtu, një pjesë e tij duhet të shkojë për mbulimin e kostove të pajisjen me matësa të familjeve që u përkasin kategorive në nevojë. Ndërkaq, për subvencionet që do të përfitohen për rritjen e përformancës nuk ka përcaktime specifike se përse duhet të përdoret, ndryshe nga ai që ishte në fuqi deri më tani që kanalizonte qartë këto shpenzime.

 

Udhëzimi i ri për subvencionimin e shoqërive të ujësjellës-kanalizimeve vjen pas publikimit të raportit vjetor të Entit Rregullator të Ujit, i cili vlerësoi se reforma në sektor nuk ka dhënë rezultate. Sipas Entit,  mbulimi i furnizimin me ujë u përkeqësua me 0.09% gjatë vitit 2018, ndërkohë që mbulimi me kanalizime pësoi përmirësim me 1.4% në krahasim me një vit më parë. (scan)