Reklame:

Blegtoria dhe rendesia ne ciklin biologjik te tokes

Gjedhtaria është lëmi e rëndësishme e blegtorisë, prodhimtaria e së cilës merr pjesë me 50-60% në prodhimtarinë e gjithëmbarshme të bujqësisë në shumë shtete të zhvilluara, si Danimarkë, Holandë, Finlandë, etj.

Gjedhi është prodhuesi më i madh i mishit dhe qumështit për ushqimin e njeriut. Në disa vende të botës, që janë më pak të zhvilluara dhe me terrene kodrinore e malore, gjedhi është shfrytëzuar dhe shfrytëzohet edhe për punë, si për punët e bujqësisë ashtu edhe për tërheqjen e peshave të rënda. Përveç produkteve të përmendura, gjithashtu duhet vlerësuar edhe plehu i gjedhit i cili përdoret për plehërimin dhe rritjen e pjellorisë së tokës në lavërtari, vreshtari, pemëtari, perimekulturë, etj.

Pra gjedhi ka rëndësi të madhe për bujqësinë në përgjithësi, sepse merr prej saj lëndë ushqyese dhe në të njëjtën kohë iu kthehen atyre materie ushqyese.

Kështu gjedhi në mënyrën biologjike dhe prodhuese është i lidhur me tokën pasi që e shfrytëzon kullosën dhe nga gjedhi merret plehu i cili e rritë pjellorinë e tokës gjatë ciklit biologjik që duket në këtë mënyrë:

toka – bima – gjedhi – plehu – toka

Për dallim nga kafshët që nuk e ripërtypin ushqimin (sidomos shpendët dhe derrat), gjedhet si ripërtypës kanë mundësi të

përpunimit të ushqimeve voluminoze me vlerë të ultë ushqyese (sana, bari, silazhi, produktet dytësore të industrisë përpunuese) dhe shndërrimin e tyre në prodhime me vlerë të lartë, si mishi dhe qumështi.

Prodhimtaria gjedhtare mund të jetë intensive dhe ekstensive. Prodhimtaria intensive mund të arrihet me punë dhe me investime të kapitalit. Kurse ajo ekstensive arrihet me një numër të madh kafshësh (gjedhesh) me angazhim minimal të punës dhe të kapitalit ku edhe prodhimtaria është e ulët si në mes racave të gjedheve ashtu edhe për krerë. Në raportet nacionale intensiteti i prodhimtarisë matet në bazë të prodhimtarisë së qumështit dhe mishit të fituar nga një lopë me prodhimtari mesatare, kështu p.sh. prodhimtaria mesatare e qumështit për një lopë në Gjermani në vitin 1978 ka qenë 4305 kg ndërsa në disa vende të Ballkanit 1458 kg. Me rritjen e numrit të banorëve për sipërfaqe të caktuar, mundësia e prodhimit dhe kërkesat për ushqime të kafshëve janë shumë të papërshtatshme dhe mu për këtë prodhimtaria gjedhtare është e ulët. Kjo mund të përmirësohet me ndërmarrjen e masave melioruese të kullosave si dhe me përmirësimin e strukturës së tokës dhe farërave për të gjitha kulturat lavërtare dhe ato foragjere.

Roli i prodhimtarisë gjedhtare në të ardhurat nga bujqësia dhe standardi jetësor i një vendi vlerësohet nga pjesëmarrja e gjedhtarisë në të ardhurat e përgjithshme ng bujqësi, ndërsa në standardin jetësor prodhimtaria gjedhtare merr pjesë me 45-47% në racionet e njeriut me përmbajtje animale. Në 20 vitet e fundit në Evropë është e pranishme rritja permanente e konsumimit të qumështit dhe mishit. Sipas statistikave të bashkësisë Evropiane konsumi i qumështit për banorë në vendet e Evropës është rreth 342 kg/banor. Pjesëmarrja e mishit të gjedhit në ushqimin e njerëzve është relativisht e ulët për arsye të çmimit më të lartë në krahasim me llojet tjera të mishit.

Në 10 vitet e fundit prodhimtaria e qumështit në Evropë dhe tek ne ka pësuar rënie. Kjo dukuri lidhet me zvogëlimin e numrit të lopëve qumështore, por me ruajtjen e sasisë së qumështit për krerë. Gjithashtu janë duke u pakësuar edhe pjelljet e lopëve, ku krahas kësaj po zvogëlohet edhe prodhimtaria e mishit, pasi që arrijmë të fitojmë numër më të vogël të viçave nga një mëmë, brez ky i cili premton që në të ardhmen të kemi sasi më të mëdha të mishit për ushqimin e njeriut. Për të rregulluar rritjen e prodhimit të qumështit dhe të mishit intencat janë që të rritet prodhimtaria e mishit në lopë qumështore dhe e kundërta, prodhimtaria e qumështit në lopë mishatake. Si rast tipik mund të përmendet raca e njohur botërore për prodhimtarinë e mishit, e ashtuquajtura Shorthorni Anglez, ku seleksionuesit me punë të pa rreshtur kanë punuar në atë drejtim ku Shorthornit të njohur në botë për prodhimtarinë e mishit ia kanë ndërruar formën dhe e kanë fituar të ashtuquajturln Shorthorni qumështor

Gjedhi si kafshë ka aftësi të madhe të aklimatizimit dhe të adaptimit, prandaj për këtë arsye është i përhapur në të gjitha kontinentet e botës.