Reklame:

Bie prodhimi i dritherave dhe qumeshtit, rritet i mjaltit dhe vezeve

Gjatë vitit 2018 vihet re një tendencë në rënie e numrit të krerëve të blegtorisë. Krahasuar me një vit më parë rënie ka pësuar numri i gjedhëve me rreth 1,7 %, numri i të leshtave me 3,2 % dhe numri i të dhirtave me 1,7 %, raportoi sot INSTAT.

Ndërkohë rritje ka shënuar numri i shpendëve me 6,7 % dhe numri i derrave me rreth 2,2 %. Nga ana tjetër një vëmendje të veçantë po merr mbarështimi bletëve ku vërehet një zgjerim i aktivitetit të fermerëve në disa zona të vendit.

Në vitin 2018 krahasuar me vitin 2017 rritje ka shënuar prodhimi i mjaltit me 8,9 %, prodhimi i vezëve me 2,0 % dhe prodhimi i mishit me 0,1 %. Prodhimi i qumështit, ka pësuar një rënie me 1,0 % krahasuar me vitin 2017 dhe ndërkohë struktura e prodhimit të qumështit është: qumësht lope 85,1 %, qumësht dele 7,4 %, qumësht dhie 7,5 %.

Perimet, prodhimi me rritje

Gjatë vitit 2018 vihet re një tendencë në rritje e prodhimit bujqësor. Prodhimi i perimeve në 2018, në krahasim me 2017 është rritur me 1,24 %. Rritje ka gjithashtu prodhimi i fasules dhe patates me respektivisht 15,8 % dhe 1,9%. për vitin 2018, krahasuar me vitin 2017.

Drithërat në rënie

Nga ana tjetër prodhimi i drithërave ka rënë me 3,3 % në vitin 2018 krahasuar me vitin 2017. Gjithashtu një rënie më e lehtë vihet re në prodhimin e bimëve aromatike, mjekësore dhe erezave të gatimit me 2,1 %, krahasuar me një vit më parë. Prodhimi bimëve aromatike, mjekësore dhe erëzave në vitin 2018 arriti në 12.531 ton.

Prodhimi i drufrutoreve ka njohur rritje nga viti në vit. Prodhimi i pemëve frutore në 2018 është rritur 4,5% krahasuar me vitin 2017, ulliri me 9,0%, agrumet 10,0%, ndërsa prodhimi i rrushit ka pësuar rënie me 8,9% krahasuar me një vit më parë. (Monitor)