Reklame:

Problemet e prodhimit te mbretereshave tek bletet

Mbretëreshat që tregtohen, mund të përmirësohen. Vëmendja më e madhe lidhet me përzgjedhjen e familjeve të bletëve, nga ku do të merret mbretëresha. Në prodhimin e mbretëreshave, rëndësi kanë cilësitë gjenetike të meshkujve. Kjo ka vlerë edhe në rastet e barrësimit artificial ose çiftëzimit të veçuar. Sot zbatohen programe të seleksionimit të mbretëreshave, gjë që lidhet me përvojën e njohur të mbarështuesve. Ç’është e vërteta, i vihet më shumë rëndësi përzgjedhjes së mëmave, sesa asaj të meshkujve. Ka më pak vëmendje për gjendjen e shëndetit, mirëqenies dhe cilësive gjenetike të meshkujve. Kjo sjell rrjedhoja jo të mira në riprodhimin e bletëve punëtore që vijnë nga mangësi të tilla. Bleta punëtore gëzon inputet gjenetike që rrjedhin nga mbretëresha.

Fakti që bletarët, herë-herë, janë të pakënaqur nga mëmat e tregtuara, ndonëse madhësia dhe paraqitja e tyre është mjaft e mirë, tregon për një mangësi edhe në përzgjedhjen e meshkujve. Variacioni gjenetik i meshkujve shprehet nëpërmjet proceseve që ndodhin në vezoret e një mbretëreshe para hedhjes së vezëve, procese që kanë lidhje me ndryshime në organet gjenitale të mbretëreshës, e cila pranon spermatozoide nga lloje të ndryshëm meshkujsh që e kanë fekonduar atë.

Lënda gjenetike mund të vijë nga nëna mbretëreshë, por ka lëndë gjenetike të furnizuara nga i ati i mbretëreshës. Disa janë ndërthurje të ndryshme të burimeve të lëndës gjenetike. Një mashkull prodhon deri në 10 milionë spermatozoidë, të cilët janë të gjithë gjenetikisht të njëjtë edhe me njëri-tjetrin edhe me vezën nga e cila është zhvilluar mashkulli. Shëndeti dhe mirëqenia e mashkullit është me rëndësi në këtë ndërmarrje për prodhim mëmash. Kontrolli për sëmundjet është i rëndësishëm. Inspektimi bëhet në vjeshtë për zbulimin e sëmundjeve kryesore si pestat, askoferoza, nozematoza, virusalet etj. Familjet që shfaqin shenja sëmundjeje, pritet të prodhojnë meshkuj me aftësi të kufizuara dhe çiftimi me ta do të vazhdojë të ndihmojë përhapjen e sëmundjes.

Meshkujt nga disa linja gjenetike, si dhe ata të nënshtruar ndaj sëmundjeve dhe dietave të ulëta ushqyese, pritet që të kenë probleme në lëndën biologjike të prodhuar. Të dhënat e botuara për numrin mesatar të spermatozoidëve që prodhohen nga një mashkull ndryshojnë në mënyrë të ndjeshme, duke filluar që nga 5.000.000-7.000.000 e deri në 10 milionë spermatozoidë. Një mashkull që prodhon mesatarisht më pak se 5 milionë spermatozoidë, ka efekte negative në riprodhimin e familjeve. Përzgjedhja e mbretëreshave që tregtohen ka një rëndësi të veçantë për riprodhimin e bletëve punëtore. Duhet të merret parasysh gjithmonë qëllimi i mbarështimit të familjeve të bletëve nga bletarë profesionistë ose pasionantë. Ata kërkojnë nga bletët edukimin e duhur për një shumëllojshmëri qëllimesh.

Bletari tregtues kërkon: prodhim të bollshëm, një cilësi të mirë mjalti, aftësi polenizimi të lashtash të caktuara dhe aftësi polenizimi në përgjithësi, temperament të qetë, aftësi për t’u bërë ballë sëmundjeve, zhvillim të shpejtë të familjes, prodhim dylli, aftësi përballimi të dimërave të ashpër, mungesë të instinktit të rojites, sjellje të mirë dhe jetëgjatësi të bletëve punëtore etj. Bletarë pasionantë, nga ana tjetër, janë të interesuar për tipare të tillë si: të qenit tё qeta, jo agresive, madhësia, ngjyra e bletëve etj. Dallimet gjeografike mund të jenë të rëndësishme. Bletari duhet të bëjë dallimin e domosdoshëm. Në zona të ndryshme nuk duhet të perceptojë të njëjtën linjë të bletëve. Ndryshe janë familjet në klimë të butë bregdetare e ndryshe në klimë malore.

Mbretëreshat e të njëjtës linjë nuk shkojnë njëlloj në kësi visesh. Ndodh që bletarë të importojnë mbretëresha me mendimin se do të “përmirësojnë racën” nga mbretëresha të së njëjtës racë! Që një familje të përhapë vetitë e saj trashëguese në brezat e ardhshëm ka tri mënyra: nga prodhimi i meshkujve, nga ndarja e familjes dhe roitja.

Marrëdhëniet gjenetike brenda familjes së bletëve 

Marrëdhëniet brenda një familje bletësh ndryshojnë nga marrëdhëniet ndër kafshë të tjera bujqësore. Ndryshimet lidhen, kryesisht, me faktorë të tillë që shprehen me natyrën e çiftimit, strukturën sociale dhe zhvillimin e meshkujve nga vezë të pafekonduara. Familja e bletëve që gjendet në natyrë, paraqet një kompleks familjar, një super-familje. Kjo super-familje përbëhet nga një mbretëreshë (nënë) dhe disa meshkuj që çiftojnë mbretëreshën në fluturim duke e fekonduar. Ata i lënë spermatozoidët në një organ të ruajtjes së spermës (qesja e spermatoidëve) të mbretëreshës. Përbëhet, gjithashtu, edhe nga bletët punëtore që shënojnë numrin më të madh të anëtarëve të familjes. Brenda kësaj super-familjeje gjenden, mesatarisht, 7-10 nën familje. Secila prej tyre përbën një grupim bletësh punëtore, të riprodhuara nga fekondimi prej një mashkulli. Pasardhësit (bletë punëtore) të prejardhur nga një mashkull janë gjenetikisht të njëjtë.

Çdo nën familje përbëhet nga bletë punëtore (motra), që janë të lidhura më ngushtë sesa motrat ndër shumë lloje kafshësh. Bletët punëtore që i përkasin të njëjtës nënfamilje, shpesh, në literaturë quhen super-motra. Kjo lidhet me faktin se gjenet, në tre të katërtat e tyre, i kanë me prejardhje të përbashkët. Marrin gameta identike nga babai i tyre dhe, në mesatare, gameta gjysmë identike nga nëna. Bletët punëtore të një zgjoi u përkasin nën familjeve të ndryshme. Ato kanë nënë të njëjtë (mbretëreshën), por etër (meshkuj) të ndryshëm; ato janë gjysmë motra, ngaqë kanë si prejardhje të përbashkët një të katërtën e gjeneve të tyre.

Mbretëresha e emergjencës

Mbushja e hojeve të pjelljeve me nektar është një shenjë e sigurt e mungesës së mbretëreshës. Nëse familja ka një mbretëreshë normale, hojet e pjelljeve janë të hapur, të pazënë. Në një familje pa pjellje, nëse hojet e breznisë (pjelljeve) janë të mbushur me nektar, nuk ka arsye të kërkohet për të gjetur mbretëreshën. Nëse një mbretëreshë papritmas vdes, bletët punëtore do të përdorin hoje të zakonshëm bletësh punëtore, për të ndërtuar kupën e një qelizë të mbretëreshës së emergjencës. Këto mbretëresha janë, zakonisht, më të vogla dhe më pak riprodhuese dhe prandaj nuk parapëlqehen nga bletarët.

Jeta e përditshme e mbretëreshës

Mbretëresha gjendet gjithmonë e shoqëruar nga bletë kujdestare; një mbretëreshë nuk kontrollohet drejtpërdrejt në zgjua, ajo është vazhdimisht në lëvizje. Bletarit i duhet një kohë e gjatë, që të kontrollojë kornizat me radhë, për ta gjetur. Pesha e vezëve ditore që lëshon mëma, e kalon peshën trupore të saj. Ajo është e rrethuar vazhdimisht nga bletë kujdestare, të cilat i plotësojnë çdo nevojë: e ushqejnë, e shoqërojnë dhe e pastrojnë. Punëtoret kujdestare, gjithashtu, mbledhin dhe pastaj shpërndajnë feromonet e mbretëreshës në gjithë hapësirën e zgjoit. Këto lëndë kimike specifike kanë veprim të zgjatur mbi veprimtarinë e familjes së bletëve. Ato pengojnë zëvendësimin e mbretëreshës, pengojnë bletën punëtore të riprodhojë, drejtojnë sjelljen e pjesëtarëve të familjes sipas nevojave të saj, kushtet mjedisore etj. Mbretëresha është në gjendje ta kontrollojë seksin e vezëve. Mbretëresha lëshon vezë të pllenuar (femër) ose vezë të papllenuar (mashkull). Kjo në vartësi të nevojës, stinës, dhe për këtë shfrytëzohet edhe gjerësia e hojzes. Meshkujt janë ngritur në hoje që janë dukshëm më të mëdhenj sesa hojet për bletët punëtore. Mbretëresha e lëshon vezën në mënyrë përzgjedhëse, ajo liron ose pengon nxjerrjen e spermës nga qesja e spermave, kur veza kalon nëpër ovidukt. Gjatë kontrollit, spikat grumbulli i bletëve punëtore shoqëruese përreth mbretëreshës.

Në një zgjua prej 40.000 në 60.000 bletësh, bletari e ka të vështirë të gjejë mbretëreshën, pavarësisht nga përvoja dhe nga shpejtësia e kontrollit. Për këtë arsye, mbretëreshat shënjohen me një bojë të veçantë mbi shpinën e tyre. Boja e përdorur nuk i shkakton asnjë dëm mbretëreshës dhe lehtëson së tepërmi në gjetjen e saj. Ngjyrën, e përcaktuar ndërkombëtarisht, vit pas viti (e verdha, e bardha, e gjelbra, e kuqja, e kaltra), bletarët e përdorin për njohjen e moshës.

Mbretëresha është e dallueshme në madhësi dhe formë. Ajo është më e madhe se bletët punëtore dhe i ka këmbët më të gjata, kështu që ajo mund të kthehet në një hojze dhe të vendosë me lehtësi një vezë në pjesën e poshtme, në fundin e saj, pasi bletari e njeh falë paraqitjes. Ajo dallohet më lehtësisht në mizërinë e bletëve kur shqyrtohet zgjoi. Është mirë që zgjoi të kontrollohet herë pas here, me qëllim që të bëhet një kontroll shqisor, për t’u siguruar që mbretëresha është gjallë dhe e shëndetshme. Bletari jo gjithmonë mund ta gjejë atë; mund t’i duhet ta mbajë shumë kohë hapur zgjoin dhe të vazhdojë të kërkojë. E megjithatë, ndonjëherë, bëhet e pamundur të gjendet. Mënyrë tjetër e sigurt për t’i vlerësuar veprimtarinë dhe shëndetin, është kontrolli i kujdesshëm i pjellës. Kontrolli për hedhjen e vezëve bëhet lehtësisht. Në fundin e huallit vërehet një kokrrizë e bardhë në trajtën e kokrrës së orizit, në hojet e tjerë vërehen pjellje të reja. Kjo tregon se ajo është e gjallë dhe e shëndetshme.

Mbretëresha, zakonisht, jeton gjatë krahasimisht me bletët punëtore dhe meshkujt. Ndonjëherë, deri në 3-4 vjet apo më gjatë. Nga përvojat e bletarëve, vijnë të dhëna se ato janë aktive vetëm dy vitet e parë, më rrallë edhe tre vjet. Mbretëresha ka një thumb krejt të ndryshëm nga ai i bletëve punëtore, se i mungojnë gjembat. Ajo rrallë e përdor thumbin, vetëm kur është në konkurencë për asgjësimin e rivaleve që mund të çelin në zgjoin e saj. Prej të dhënave që kam nga bletarët, asnjëherë dhe në asnjë rast nuk kam njoftim që mbretëresha t’i ketë thumbuar ata.

Bletarët punojnë rregullisht me mëmat, i marrin në dorë, ndërhyjnë në to, megjithatë ato janë të qeta, nuk shfaqin asnjë shenjë shqetësimi ose agresiviteti. Mund të vihet re, sesi bletët kujdestare qëndrojnë rreth mbretëreshës. Zbulimi i bletëve që kanë formuar rrethin, është një tjetër shenjë e dobishme për të pikasur mbretëreshën. Bletari e ka më të kollajtë, kur hedh vështrimin mbi një kornizë me bletë, për t’i kapur syri bletët shoqëruese të mëmës. Mbretëresha është vazhdimisht në lëvizje, por asnjëherë vetëm.

Studimet kanë veçuar një përbërës të feromoneve që lidhet me bashkëjetesën e dy mëmave në një familje. Në praktikë, bletari vë re se dy mëmat nuk janë asnjëherë të një moshe, por një e re dhe një e vjetër. Vallë, pse bashkëjetojnë përkohësisht? Kur mëma e vjetër ka filluar të humbë vetitë e saj kryesore, gjë që vërehet me rënien e aftësisë riprodhuese, e cila, njëkohësisht, lidhet me uljen e nivelit dhe përbërësve të prodhimit të feromoneve, atëherë bletët riprodhojnë një mëmë të re. Përbërësit e feromoneve janë njëlloj për të dy mëmat. Mëma e re është trashëguese e së vjetrës, prandaj në familje nuk ka asnjë shqetësim për asnjërën prej tyre. Familja, në vazhdim të marrëdhënieve si qenie sociale, e mban mëmën e vjetër derisa ajo të ulë në minimum dhe të ndërpresë feromonet. Mëma i shpërndan feromonet me disa rrugë. Kryesisht, ajo e lëshon aromën, duke tërhequr zvarrë barkun e rënduar mbi hoje, gjatë vendosjes së vezëve. Kjo bëhet shkas për përhapjen e tyre në gjithë familjen. 

Mbretëresha sterile (e pafekonduar) 

Nëse mbretëresha, për arsye të ndryshme, nuk arrin të fekondohet brenda 25 ditëve prej daljes, ajo mbetet sterile. Sterilet pjellin instinktivisht vetëm vezë të pafekonduara, nga të cilat lindin meshkuj. Kontrolli i aftësinë riprodhuese të mbretëreshave, për bletarin është i rëndësishëm. Çdo pakujdesi është me pasoja, sepse nuk ka asnjë formë tjetër që mund të sjellë zëvendësimin e mbretëreshës. Pjellin vezë të pafekonduara edhe mbretëreshat e vjetra, që nuk kanë më aftësi riprodhuese. Pjellje të tilla mund të kemi edhe nga mbretëreshat e reja, mbretëreshat e emergjencës, për shkak sëmundjesh apo faktorësh të tjerë negativë. Por familja e bletëve, me kohë, e zëvendëson qetësisht mbretëreshën. Cila është zgjidhja? Bletari e vlerëson familjen nëse është ende e fortë, e pastron zgjoin nga vezët dhe pjelljet, heq mbretëreshën sterile dhe fut një të fekonduar. Nëse mungon, merr qeliza mëmash.

Në praktikë bletari, pasi ka larguar mbretëreshën dhe pjelljen e saj, merr një kornizë që ka vezë dhe larva të moshave të ndryshme. Me ta vendosur në mes të zgjoit, me shpejtësi, bletët fillojnë të formojnë në të kupat e mëmave që u përkasin larvave treditëshe. Këto mbretëresha nuk janë cilësore. Kjo familje, pas 25 ditësh nga vendosja e kornizës, normalizohet. Familja ende vazhdon të jetë e dobët, sepse i duhen dhe tri javë të lindë breznia e re. Zgjidhje është vendosja e 2-3 kornizave me pjellë të mbyllur. Nëse mbretëresha nuk i plotëson nevojat e një familjeje, kjo vjen nga rënia e sasisë së feromonit të lëshuar gjatë fërkimit mbi hoje, gjë që është në raport të drejtë edhe me vendosjen e vezëve.

Ky është caku ku bletët punëtore nuk e ndjejnë më veprimtarinë e mëmës dhe punojnë me zell të madh për ndërtimin e gotave të mëmës të re, të cilat, zakonisht, i krijojnë në pjesën anësore të kornizave. Ato zbatojnë një “teknologji” nga më të vjetrat në botën e gjallë. Në dallim nga pjelljet normale të bletëve punëtore ku zhillimi është horizontal, këtu është vertikal. Kjo mbështetet mbi përpunimin e huallit, zgjerimin e bazës, pastrimin, derisa të marrë formën e një gote të përmbysur. Kjo është qeliza normale e mbretëreshës, e sajuar me kujdes nga punëtoret dhe në të zbatohen afatet e përgatitjes.

Në dallim nga kjo qelizë mbretëreshe zëvendësuese, bletët punëtore tashmë të shqetësuara nga humbja e befasishme e mëmës, ndërtojnë me nxitim një numër qelizash mëma. Ato vendosen në mënyrë të çrregullt dhe një pjesë e tyre mbi larva 2-3 ditëshe. Mbretëresha, pavarësisht shkakut nga i cili ka humbur funksionin e vet riprodhues, njëkohësisht ka humbur edhe lëndën (feromonin) që vepron mbi frenimin e aftësisë riprodhuese të bletëve punëtore, prandaj këto të fundit nxiten të riprodhojnë vezë jofekonde. Me këtë veprim, bletët punëtore demonstrojnë një nga kodet më të vjetër biologjikë të ruajtjes dhe vazhdimësisë së llojit: kujdesin për vazhdimësinë e pasardhësve.

Në çdo rast, kur, për arsye të njohura apo të panjohura (mungojnë larvat deri në moshën 3-ditore), nuk arrihet nxjerrja e mbretëreshës brenda periudhës njëmujore, bletëve punëtore u nxiten organet riprodhuese (vezoret) deri atëherë të frenuara dhe fillojnë lëshimin e vezëve (të pafekonduara), nga të cilat dalin vetëm individë meshkuj (partenogen). Një rrethanë e tillë është mjaft e vështirë për familjen. Bletë punëtore konsumojnë larvat e mbetura nga mëma. Po të ketë bërë kontrolle të rregullta, bletari e vëren këtë rrethanë qysh herët. Me kalimin e tri javëve, shfaqen “mëmat e rreme” apo “mashkullore anatomike”, të cilat lëshojnë në një huall disa vezë, në mënyrë të çrregullt. Ky është pragu kritik. Familja nuk ka brezni përtëritëse të bletëve punëtore. Nëse nuk merren masa në kohë, familja shkon drejt humbjes. Bletët punëtore prodhimin e vezëve e kanë të kufizuar. Pasi i hedhin ato shpejt, u kthehen përsëri punës së përditshme për të grumbulluar ushqim.

Bletarët mendojnë se e zgjidhin këtë rrethanë kritike duke i shkundur kornizat me bletë larg zgjoit! Po cila është zgjidhja? Bletët punëtore, brenda 10-14 ditësh, do të konsumojnë gjithë vezët që kanë lëshuar nëpër hoje. Ja masat që duhen marrë. Pastrohen hojet e tjerë nga larvat e meshkujve. Nga familje të forta dhe të rregullta merren korniza me brezni punëtoresh, korniza me bletë të reja dhe, bashkë me to, qeliza mbretëreshe apo mbretëresha të gatshme. Mbretëresha e vendos vezën që do të zhvillohet në huallin e ndërtuar posaçërisht. Në hapësirën e huallit ka pelte mbretërore (për gjithë periudhën larvore), që e kanë përgatitur bletët kujdestare posaçërisht për larvën e mëmës së ardhshme.

Heqja e qelizave të mbretëreshës

Pjelljet e bletëve punëtore zhvillohen në hoje horizontalë, të parapërgatitur. Punëtoret e ardhshme marrin qumësht blete vetëm gjatë dy-tri ditëve të para. Mbretëreshat e ardhshme ushqehen me pelte mbretërore gjatë gjithë jetës së tyre. Bletari mund të vendosë asgjësimin e qelizave jonormale. Hulumtimet e mjaft studiuesve sqarojnë se bletari duhet të jetë i bindur që në fillim, se qelizat jonormale të mbretëreshave gjithmonë hiqen. Ai, në këtë periudhë, duhet të ketë të qartë se çfarë dëshiron: të shtojë populacionin apo do ta frenojë? Tashmë ka zënë vend mendimi se qelizat e mbretëreshave të rojit, si mbretëresha të lira, janë të cilësisë më të lartë. Ushqehen me pelte mbretërore gjatë gjithë jetës së tyre. Ato, normalisht, vendosen në fund të kornizave, ndërsa qelizat e mbretëreshave zëvendësuese në mes.

Si parim i përgjithshëm ky mund të jetë i mirë, por rrethanat duhen vlerësuar në tërësinë e tyre. Nëse familja është e fortë dhe ka një populacion të shtuar, qelizat e mbretëreshës në fund të kornizave janë qeliza roji. Nga ana tjetër, nëse familja nuk është e fortë, nëse ka pak bletë, nëse nuk është e mbushur, atëherë duhet menduar se ato nuk kanë asnjë arsye të jenë qeliza roji, por qeliza zëvendësimi ose emergjente. Ka një konceptim të gabuar për familjet që roisin. Një zgjua i shëndetshëm dhe produktiv hedh roj. Pra, përfundimi logjik do të jetë se këto familje janë të shëndetshme dhe produktive. Mendimi i bletarit se shtimi i katit do të parandalojë rojin, është një mit i përhapur në bletari.

Bleta punon gjatë stinës riprodhuese për të përmbushur numrin e nevojshëm, gjë që nuk ka të bëjë edhe aq me katin, sesa me ligjësinë biologjike të bletëve për të riprodhuar. A e parandalon rojin asgjësimi i qelizave të mbretëreshave? Ky veprim nuk jep fryte. Roji është një instinkt shumë i hershëm tek bletët. Çdo përpjekje për ta penguar, e dëmton rëndë familjen bletë. Bletarë të mbrujtur me një mendim parak, përpiqen të pengojnë rojin, një koncept ky që lidhet me mbretëreshën. Ata mendojnë se po të pengohet mbretëresha ekzistuese (roitëse), nuk mund të shkëputet luzma. Një zgjidhja sipas tyre është prerja e krahëve?!  Nga Dr. Agim Nelaj