Reklame:

Energji nga dallget, ideja novatore nga ishujt e Skocise

Orkney, një arkipelag i largët në brigjet veriore të Skocisë, po shfrytëzon në maksimum fuqinë e pozicionit të tij gjeografik.

I rrethuar tërësisht nga oqeani, ku vazhdimisht goditet nga dallgë deri në 13 metra të larta, banorët e këtyre ishujve tani po gjejnë një mënyrë të re për të përfituar nga era dhe dallgët që ajo krijon.

Është vend i përsosur për të testuar inovacionet në lidhje me prodhimin e energjisë, të tilla si era, dallga dhe energjia e baticë/zbaticës.

Për ta bërë këtë, një turbinë lundruese baticore nxjerr energji nga lëvizja e detit, dhe pastaj e kthen në energji elektrike.

“Parimi që qëndron pas kësaj është pak a shumë si turbinat me erë në tokë. Në një turbinë me erë, energjia prodhohet nga forca e erës, ndërsa në turbinë batice kjo energji prodhohet nga shpejtësia e lëvizjes së dallgëve që varet sërish nga era, e cila në këtë vend është gjithmonë shumë e fortë.

E gjithë kjo energji elektrike prodhohet nëpërmjet gjeneratorëve konvencionale,” shpjegon Daniel Wise nga Orbital Marine Power.

Në një vit, kjo turbinë prodhoi energji të mjaftueshme për të furnizuar afërsisht 830 familje në Mbretërinë e Bashkuar. Tashmë janë duke u hartuar plane që Orkney ta kthejë këtë mënyrë prodhimi të energjisë së ripërtëritshme në masive.