Reklame:

Tregtonin produkte te skaduara – AKU gjobit gjashte subjekteve, 4 prej tyre shites ambulant

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka vijuar kontrollet për sigurine ushqimore gjate sezonit turistik dhe në bazë të këtyre kontrolleve ka rezultuar se disa subjekte dhe tregtarë ambulantë në Vlorë, Durrës dhe Shkodër nuk përmbushin kërkesat ligjore të sigurisë ushqimore.

AKU tha se nga kontrolli i ushtruar në subjektin me aktivitet “Ruajtje dhe shpërndarje në temperaturë ambienti”, Shkodër, u konstatua se subjekti ushtronte veprimtarinë në kushte të papërshtatshme higjeno-sanitare, produktet ushqimore nuk ishin të sistemuara madje kishte produkte të vendosura dhe në ambientet sanitare, si dhe në muret kishte prani myku. Sipas njoftimit, gjatë kontrollit u evidentuan gjithashtu një sërë produktesh me afat të kaluar përdorimi (pije freskuese, vaj ulliri, ëmbëlsira etj).

AKU për shkeljet në fjalë mori masën “Gjobë” me vlerën 500,000 lekë për mungesë të kushteve higjeno-sanitare, “Gjobë” me vlerën 300,000 lekë për hedhjen në treg të produkteve të pasigurta për konsum, “Bllokimi i produkteve” me afat të kaluar përdorimi, me qëllim asgjësimin e tyre dhe  “Bllokimi i aktivitetit” në mënyrë të menjëhershme.

Në një subjekt tjetër me aktivitet “Fast-Food”, Durrës, u konstatua se subjekti ushtron aktivitetin në kushte të papërshtatshme higjeno-sanitare, tavani i hapur në ambientin e kuzhinës, prani e papastërtive dhe mykut/ lagështirës në magazinën ku ruhej lënda e parë, si dhe tualeti ishte jashtë funksionit. Sipas njoftimit, u evidentua gjithashtu se subjekti nuk dispononte regjistrin për monitorimin e temperaturave frigoriferike, si dhe mungonte analiza e ujit të pijshëm.

AKU mori masën “Gjobë” me vlerën 300,000 lekë për mungesë të kushteve higjeno-sanitare dhe “Gjobë” me vlerën 100,000 lekë për mungesë të sistemit të gjurmueshmërisë.

Ndërsa në një kontroll tjetër nga ana e Drejtorisë Rajonale AKU Vlorë në aksin Dukat-Llogara tek disa tregtarë ambulant të mjaltit, të cilët tregtonin në buzë të rrugës në kushte të papërshtatshme, u konstatua se këta tregtarë nuk dispononin sistemin e gjurmueshmërisë për produktet që tregtonin, si dhe produktet nuk ishin të etiketuara konform ligjit.

Për sa i përket këtyre shkeljeve AKU mori masën administrative “Gjobë” me vlerë totale 400,000 lekë ndaj 4 tregtarëve ambulantë dhe “Bllokim produkti” për 85 kg Mjaltë i konstatuar i pasigurt për konsum, me qëllim asgjësimin e tij.