Reklame:

Zgjerimi i parkut te Tomorrit, Qeveria dhe ekspertet: Te mos lejohen bizneset e guroreve

Qeveria nuk do të lejojë dëmtimin e malit të Tomorrit nga biznesi i guroreve që veprojnë aty.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi, çeli sot serine e diskutimeve publike mbi vlerat dhe rëndësinë e ruajtjes së zonave të mbrojtura. Nisur edhe nga zhvillimet më të fundit, lidhur me vendimin e gjykates administrative për rrëzimin e vendimit të qeverisë për zgjerimin e parkut, takimi i parë fokusohet mbi Parkun Kombëtar Mali i Tomorit. Pavarësisht vendimit të Gjykatës Administrative të Apelit në favor të subjekteve private, ministri i Turizimit, Blendi Klosi, deklaroi se mali i Tomorrit do të shpallet Park Kombëtar, duke zgjeruar edhe  hartën e mbrojtjes së tij.

“Do të marrim një vendim të shpejtë të Këshillit Kombëtar të Rregullimit të Territorit për të miratuar zgjerimit të hartës së Parkut Kombëtar, do të marrim një vendim qeverie për ta rishpallur Park Kombëtar, pasi hilet e gjykatave për të zgjatur me vite, do ta shkatërronte përfundimisht atë zonë, duke e bërë të parikuperueshme”, tha Klosi.

Gjatë një dëgjese me ekspertë të mjedisit te organizuar nga Shoqata e Parqeve të Shqipërisë, pedagogë të Fakultetit të Shkencave të Natyrës apeluan për mbrojtjen e trashëgimisë natyrore që mbart mali i Tomorit. “Shumë pjesë të këtij mali mbetën jashtë zonës dhe pastaj u masakruan. Sigurisht këtu kanë përgjegjësi ligjore personat që kanë firmosur në dokumentet e ndikimit në mjedis”, tha Ferdinand Bego, zv.Dekan i Fakultetit të Shkencave të Natyrës.

Ministria e Mjedisit do të ankimojë vendimin e Gjykatës Administrative të Apelit, ndërsa qytetarë të qarkut të Beratit kane nisur mbledhjen e firmave për shpalljen e malit të Tomorrit, Park Kombëtar.

Shoqata e Parqeve të Shqipërisë Shkpsh Shqipëria në kuadër të studimit kombëtar të zonave të mbrojtura financuar nga AKZM, do të vazhdojë të zhvillojë takime të tilla për gjithë zonat e mbrojtura të vendit.