Reklame:

Statistikat e bujqesise dhe blegtorise

Statistikat e prodhimeve bujqësore tregojnë tendencat si brenda sektorit të prodhimit agrar dhe blegtoral ashtu edhe raportet ndërmjet tyre. Ajo që bie në sy është orientimi gjithnjë e më i madh i prodhimit të madh bujqësor nga tregu. Por shifrat tregojnë se ende jemi në nivele modeste prodhimi dhe eksportesh në raport me mundësitë që ka vendi. Ndërkohë, pjesa më e madhe e fermave shqiptare, ku punësohet pjesa më e madhe e krahut të punës në Shqipëri, ende mbeten në nivelin e prodhimit vetjak, pa mundur të kthehen në struktura të mirëfillta tregtare.

2018, viti i frutave dhe perimeve

Viti 2018 ka rezultuar pozitiv për prodhimin e perimeve. Sipas INSTAT në total u prodhuan 1.166.283 ton perime, me një rritje me 1.25%, krahasuar me vitin 2017. Niveli më i lartë i prodhimit të perimeve është shënuar në qarkun e Fierit, me 418.921 ton, në qarkun e Tiranës, me 127.176 ton, e në qarkun e Beratit, me 118.687 ton. Ndërkohë që janë prodhuar më shumë perime, ka pasur rënie të prodhimit të drithërave. Në vitin 2018, prodhimi i drithërave ishte 678.196 ton, 3.35% më pak nga 2017. Qarku i Fierit ka qenë dominues edhe në prodhimin e drithërave, me 172.433 ton drithëra, nga prodhimi total. Më pas, në vend të dytë është shënuar qarku i Elbasanit, me 96.441 ton, e së treti qarku i Korçës, me 74.969 ton prodhim drithërash. Ndërkohë që INSTAT tregon se në 2018 është rritur prodhimi i pemëve frutore, ullinjve, apo agrumeve, e kundërta ka ndodhur me rrushin. Në vitin 2017, u prodhua 202.9 mijë ton rrush, ndërsa në vitin 2018, ky prodhim ra në sasinë e 184.8 mijë tonëve.Për t’u rikthyer tek ullinjtë, si një komponent i rëndësishëm për tregtinë dhe konsumin e produkteve bujqësore në vend, qarku që ka dominuar në prodhim për 2018, është ai i Beratit, me 37.340 ton, nga 117.6 mijë në total. Qarku i dytë është qarku i Fierit, me 31.496 ton. Edhe qarku i Vlorës zë një vend të rëndësishëm në prodhimin e ullinjve, me 15.023 ton. Sipas INSTAT, nga prodhimit total i ullirit, 79 % përfaqësohet nga ullinjtë për vaj dhe 21 % nga ullinjtë për tavolinë.

Blegtoria humb terren

Viti 2018 ka shënuar një rënie të krerëve të lopëve si dhe të krerëve të deleve. Por nga ana tjetër, është rritur ndjeshëm numri i  krerëve të pulave. Ndërsa vihet re se edhe sasia e qumështit të prodhuar gjatë këtij viti është ulur, numri i vezëve ka shënuar rritje, krahasuar me vitin 2017. Nëse në vitin 2017, Shqipëria ka pasur 4.82 milionë krerë pulash, në vitin 2018 ky numër arriti në 4.96 milionë krerë. Sipas Instat, viti 2017 ka shënuar 811 milionë kokrra vezë, ndërsa në vitin 2018, prodhimi ka arritur në  828 milionë kokrra vezë.  Përsa i përket prodhimit të qumështit, në vitin 2018, sasia totale e prodhimit ishte afro 1.14 milionë ton, duke shënuar një rënie me 1% nga viti 2017. Në 2018, Sipas Instat, dominoi prodhimi i qumështit të lopës, me 85.1 %, ndërkohë prodhimi i qumështit të  deles zuri 7.4 %, e qumështi i  dhisë, 7.5 %. Ajo që vihet re për vitin 2018, sipas statistikave të INSTAT, është rritja vjetore e numrit të krerëve të derrave, me 2.2%, krahasuar me vitin 2017. Për vitin 2018,  numri i krerëve të derrave ka qenë 184.133 krerë. Përqendrimi më i madh i numrit të krerëve është në Lezhë me 35.9 %, si dhe në Shkodër, me 27 % ndaj totalit të gjithë krerëve.

Prodhimet bujqësore 2014-2018

Prodhimi i drithërave në 5 vitet e fundit ka pësuar luhatje, diktuar kjo edhe nga kushtet atmosferike të Shqipërisë. Në vitin 2014, Shqipëria prodhoi më shumë se 700 mijë ton drithë, për të vijuar më pas me luhatje të vazhdueshme që mbërritën në nivelin e 678 mijë tonëve në vitin 2018. Prodhimi i perimeve është ai që ka njohur ritmet më pozitive nga viti në vit. Referuar të dhënave zyrtare të INSTAT, rezulton se në vitin 2014, Shqipëria prodhoi 950 mijë ton perime. Në vitin 2015, prodhimi i perimeve kapërceu nivelin e 1 milion tonëve për të vijuar gradualisht rritjen kur deri në vitin 2018, shifra e prodhimit arriti në thuajse 1.2 milion tonë.  Në 5 vitet e fundit, edhe prodhimi i patates ka njohur rritje, me përjashtim të vitit 2016 kur njohu rënie. Nivelin më të lartë në këtë 5 vjeçar, prodhimi i patates e njohu në vitin 2018, në të cilin u prodhuan afro 255 mijë ton patate, në një kohë që në vitin 2014, kjo sasi ishte në vlerën e 250 mijë tonëve. Kjo periudhë (2014-2018) nuk ka rezultuar kaq pozitive për prodhimin e rrushit. Nëse në vitin 2014, në Shqipëri është prodhuar 204 mijë ton rrush, 5 vite më vonë prodhimi ra me afro 19 mijë ton. Në 2018, prodhimi i rrushit zbriti në 184.8 mijë ton. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me fasulet. Edhe pse një popull ‘fasule-dashës’, në 5 vite prodhimi i tyre pësoi një rënie me afro 5 mijë ton. Tendenca duket rënëse, pasi nëse në vitin 2014 u prodhuan 30 mijë ton fasule, në vitin 2018 ky numër ra në 24.5 mijë ton. Nga ana tjetër, tendenca vendase është drejt prodhimit të ullinjve, si dhe agrumeve. Ajo që vihet re nga të dhënat e INSTAT është një rritje e theksuar e prodhimit të ullinjve në këtë 5 vjeçar. Nga 98 mijë ton ullinj që u prodhuan në vitin 2014, në vitin 2018 kjo sasi arriti në 117.6 mijë ton. Pra, në 5 vite, afro 20 mijë ton më shumë ullinj.  Po njësoj, edhe prodhimi i agrumeve është dyfishuar në periudhën 2014-2018. Në vitin 2014, në Shqipëri u prodhuan 21 mijë ton agrume, ndërsa në vitin 2018, prodhimi i agrumeve arriti në afro 46 mijë ton.

Blegtoria në 5 vite

Mbarështimi i bagëtive në Shqipëri po njeh nga viti në vit një zbehje. Referuar të dhënave të Blegtorisë për vitet 2014-2018 të publikuara nga INSTAT, rezulton se në 5 vite në Shqipëri janë më pak se 15 mijë krerë lopë. Në vitin 2014, në Shqipëri ishin 358 mijë krerë lopë, e në mënyrë të përvitshme numri ka vijuar të shënojë rënie, duke arritur në 343 mijë në vitin 2018. E njëjta tendencë konstatohet edhe me delet. Në Shqipëri në 5 vite janë 83 mijë krerë dele më pak. Më përjashtim të vitit 2016 kur kishte një rritje të numrit të tyre, në të gjithë vitet e tjera është njohur rënie. Por edhe pse numri i krerëve të lopëve është ulur në këtë 5 vjeçar, prodhimi i qumështit të lopëve në 2018 është më i lartë se në vitin 2014. Pesë vite më parë qumështi i prodhuar nga lopët ishte në sasinë e 965 tonëve, ndërsa në vitin 2018, me më pak krerë lopësh, qumështi i prodhuar prej tyre ishte në sasinë e 974 mijë tonëve. Por kjo, nuk vlen për qumështin e deleve. Ashtu sikurse ka ndjerë rënie numri i krerëve të deleve, e njëjta gjë është dalluar edhe me prodhimin e tyre. Në 5 vite, qumështi i deleve është ulur me 4 mijë ton. Në vitin 2014, Shqipëria pati 89 mijë ton qumësht deleje, ndërsa në vitin 2018, shënoi 54 mijë ton. Për sa i përket qumështit të dhisë konstatohet një tendencë rritëse, ashtu sikurse është rritur edhe numri i krerëve të dhive në periudhën 2014-2018. Nga statistikat e prodhimeve blegtorale, vihet re se në periudhën 2014-2018, numri i kokrrave të vezëve ka rënë me 7 milionë, rënie kjo, tejet e theksuar. Ajo çka vihet re është edhe luhatja e bletarisë. Numri i zogjve të bletëve në këtë 5 vjeçar, ka qenë i paqëndrueshëm, duke shënuar herë rritje e herë ulje, ndërkohë që prodhimi i mjaltit ka qenë në rritje nga 3-4 mijë ton në vit. (SCAN)