Reklame:

Kosove: Produkteve ushqimore te importit u mungon shpjegimi ne gjuhen shqipe

Në Kosovë vazhdojnë të shiten mallra apo produkte të ndryshme, të cilave u mungon shpjegimi në gjuhën shqipe. Ky është konstatimi i bërë nga KosovaPress në disa markete në Prishtinë, ku janë identifikuar mjaft produkte që shiten pa shpjegime në gjuhën shqipe.

Vetëm gjatë këtij viti janë vendosur 74 gjoba për operatorët ekonomikë, të cilët janë konstatuar me këtë shkelje ligjore. Organizatat të cilat mbrojnë të drejtat e konsumatorëve thonë se mosdeklarimi i mallrave me shpjegime në gjuhën shqipe, rrezikon shëndetin e qytetarëve nga konsumimi i këtyre produkteve të importuara.

Edhe pse kjo çështje është e rregulluar me “Ligjin për Konsumatorët” dhe me Kushtetutë, shumë prej produkteve ushqimore dhe të medikamenteve në tregun dhe dyqanet në Kosovë nuk kanë përmbajtje në gjuhën shqipe.

Një gjë të tillë e thotë për KosovaPress edhe vetë kryeinspektori në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Lulëzim Syla sipas të cilët inspektorët sa herë që hasin në mallra pa deklaracion në gjuhën shqipe, ndërmarrin masa ndëshkuese ndaj operatorëve ekonomikë. Një gjë e tillë, sipas tij, ndodh edhe si shkak i neglizhencës së vetë operatorëve ekonomikë.

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci thotë për KosovaPress, se ky institucion gjatë gjithë kohës ushtron kontrolle jo saktësisht për përmbajtjen e mallrave, por për të ditur sasinë, vlerën dhe numrin tarifor të produkteve të cilat janë në proces zhdoganimi.

Në vitin 2013 ka hyrë në fuqi rregullorja e re që parasheh se mandatin për të kontrolluar deklaracionin e produkteve ushqimore e ka Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.

Sipas nenit 16 të Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit, deklarimi është i detyrueshëm në gjuhën zyrtare.

“16.1. Gjatë shitjes së mallit, tregtari duhet t’ia japë konsumatorit dokumentacionin e paraparë nga prodhuesi, për t’i siguruar konsumatorit informacionin e duhur për përdorim.

16.2. Dokumentacioni nga pika 1 e këtij neni duhet të jetë i shkruar qartë, dukshëm dhe i lexueshëm në gjuhën zyrtare. Ligji nuk e përjashton mundësinë e përdorimit të gjuhëve të tjera dhe shenjave që janë të kuptueshme për blerësin”, thuhet në nenin e 16 të Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit.