Reklame:

Ndotja e ajrit mund te shkaktoje ‘mjegulla vrasese’ ne qytetet e medha

Nëse problemi i ndotjes së ajrit vazhdon të përkeqësohet, metropolet më të mëdha në botë mund të përballen me të njëjtin fat si ai i Londrës në vitin 1952, ku deri në 12,000 njerëz mendohet se kanë vdekur nga smogu i dendur që shkatërroi qytetin, sipas një eksperti.

Më 5 dhjetor të atij viti, një sistem moti me presion të lartë bëri që ajri i ftohtë të bllokohet nën ajrin e ngrohtë. Si rezultat i kësaj, emetimet nga fabrikat dhe zjarret e amvisërive nuk mund të lëshoheshin në atmosferë dhe mbetën të bllokuar pranë nivelit të tokës, duke prodhuar mjegullën më të keqe në historinë të shkaktuar nga ndotja.

“Ajri i ftohtë, niveli më i lartë i karburantit për ngrohje, mjegulla e ndotur dhe tymi si rezultat i ndotësve të bllokuar në nivelin e tokës shkaktuan një katastrofë të madhe mjedisore”, tha Hüseyin Toros, ekspert i shkencave atmosferike dhe cilësinë e ajrit në Universitetin Teknik të Stambollit (ITU), për Anadolu Agency (AA).

Toros thotë se nëse nuk ndërmerren masat e nevojshme, incidenti vdekjeprurës i njohur si “Mjegulla e madhe e Londrës”, mund të jetë fati i qyteteve të tjera të mëdha në të ardhmen. Gjatë “Mjegullës së madhe të Londrës”, rreth 4.000 deri 12.000 njerëz humbën jetën brenda pesë ditëve, kryesisht fëmijë, të moshuar dhe njerëz me probleme me frymëmarrjen.

“Gjatë shekullit të kaluar, ndotja e ajrit ka qenë në rritje – veçanërisht gjatë dimrit për shkak të urbanizimit dhe industrializimit dhe rritjes së numrit të automjeteve me lëndë fosile dhe përdorimit të karburantit me cilësi të ulët”, tha ai.

Eksperti e përcaktoi ndotjen e ajrit si një rritje të substancave të dëmshme në ajër të shkaktuara nga ndotësit e lëshuar në atmosferë si rezultat i veprimtarive njerëzore dhe ngjarjeve natyrore.

Toros nënvizoi duke thënë se ndotja e ajrit kishte pasoja të rënda për organizmat e gjallë në përgjithësi, duke shkaktuar humbje ekonomike, si dhe dëme fizike.

“Ndotja e ajrit shkakton rreth 7 milionë vdekje çdo vit dhe 9 nga 10 persona thithin ajër të ndotur”, thotë Toros, duke cituar raportet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Ai shtoi se rreth 1 milion lloje të kafshëve dhe bimëve janë në rrezik të zhdukjes si rezultat i përdorimit abuziv të burimeve.

Duke folur për cilësinë e ajrit në Turqi, ai tha se ndotja e ajrit ishte ulur në krahasim me nivelet e viteve 1990 si rezultat i përdorimit të gazit natyror si një burim energjie dhe përmirësimeve në objektet industriale. “Sidoqoftë, ndonjëherë dhe në disa provinca, ne ende nuk jemi në gjendje t’i përmbushim vlerat kufitare të OBSH-së për çështje specifike dhe ndotjen e dioksidit të azotit”, tha ai.

Ai tha se njerëzit mund të përmirësojnë cilësinë e ajrit përmes përdorimit më efikas të burimeve të energjisë, duke rritur përdorimin e energjisë së rinovueshme, duke shmangur konsumin e panevojshëm dhe zvogëlimin e mbeturinave. “Nxjerrja dhe djegia e karburanteve fosile, duke shkaktuar emetim të rritur të karbonit në atmosferë, është shkaku i ndryshimit të klimës”, tha Patricia Mallam, një aktiviste e mjedisit dhe përfaqësuese e organizatës 350.org në rajonin e Paqësorit, për AA.

Duke theksuar marrëdhënien e ngushtë midis ndryshimit të klimës dhe ndotjes së ajrit, ajo tha se ndotësit kontribuojnë shumë në ngrohjen globale. “Shumë ndotës të ajrit, përfshirë edhe karbonin e zi, ozonin e nivelit tokësor dhe aerosolet e sulfatit, kontribuojnë në ndryshimet klimatike duke ndikuar në sasinë e dritës së diellit që reflektohet ose absorbohet nga atmosfera, duke kontribuar në procesin e ngrohjes globale”, thotë Mallam.

Ajo gjithashtu thotë se ndotja e ajrit ka rritur fuqinë dhe ka shpeshtuar fatkeqësitë natyrore siç kanë thatësirat dhe përmbytjet si dhe ka shkaktuar zhdukjen e llojeve të gjallesave dhe përhapjen e sëmundjeve të zakonshme të cilat mund të çojnë në “kolaps të eko-sistemeve të tëra, nëse menjëherë nuk ndërmerret asgjë për të zvogëluar emetimet e karbonit”.

“Qeveritë duhet të angazhohen që të ndalojnë menjëherë të gjitha format e mbështetjes drejt industrisë së karburanteve fosile dhe të shpejtojnë një tranzicion të drejtë dhe të barabartë në 100% të energjisë së rinovueshme për të gjithë. Ndaloni të gjitha projektet e reja të qymyrit, naftës dhe gazit”, u shpreh ajo.

Ndërtimtaria, bujqësia dhe aktivitetet industriale

Duke folur për situatën në kryeqytetin e Indisë, New Delhi, i cili u rendit si qyteti më i ndotur në botë duke u bazuar në matësin e cilësisë së ajrit AirVisual me seli në Zvicër. Mallam thotë se cilësia e ajrit në këtë qytet është në nivel “të rrezikshëm”.

“Indeksi i cilësisë së ajrit në ambasadën amerikane në New Delhi ishte në nivel “të rrezikshëm” prej 497 më 11 nëntor, me nivele të grimcave PM 2,5 që mund të arrijnë thellë në mushkëri, prej gati 700 në pjesë të qytetit, i cili është më shumë se 10 herë nga kufiri i rekomanduar i sigurt prej 60 për grimcat PM 2,5″, thotë ajo.

Vidit Baya, një aktivist 18-vjeçar i klimës, ndau përvojën e tij me çështjen e ndotjes së ajrit në Indi.

Duke vënë në dukje se shkatërrimin e natyrës bëri që ai të jetë pjesë e aktivizimit klimatik, i ndjekur nga projektet e pastrimit, veprimtaritë e mbjelljes së pemëve dhe anëtarësimi në lëvizjen indiane “Të premten për të ardhmen” (Fridays For Future) të filluar nga aktivistja adoleshente suedeze Greta Thunberg, ai thotë se kërkojnë nga liderët që të lëvizin drejt qëndrueshmërisë dhe të promovojnë prodhimit në masë të gjerë të burimeve të rinovueshme.

“Ndotja e ajrit jo vetëm që ndikon tek njerëzit, por gjithashtu çon në gjenerimin e fatkeqësive të ndryshme natyrore me të cilat po përballet bota sot. Aktivitetet tona e kanë vënë të ardhmën e brezit tonë në rrezik dhe ne nuk po bëjmë mjaftueshëm për ta trajtuar këtë”, thotë ai.

“Problemi i ndotjes në Indi po rritet për shkak të mungesës së zbatimit të rreptë të ligjeve dhe rritjes së kërkesës për resurset. Kryeqyteti ynë New Delhi në disa raste është quajtur ‘dhomë gazi’ për shkak të ajrit të rrezikshëm që e ka pasur. Janë shpallur emergjenca shëndetësore, shkollat dhe institucionet janë mbyllur për disa ditë dhe njerëzit janë këshilluar që të mos largohen nga shtëpitë e tyre”, tha Baya.

“Ne si të rinj po ngremë zërin kundër atyre që mendojnë se do të kemi një shans të dytë, kundër atyre që mendojnë se do të ‘hanë para ose qymyr’, kundër atyre që duan të dëmtojnë ‘shtëpinë tonë”, u shpreh Baya.