Reklame:

BE, mbeshtetje per emergjencen e krijuar pas termeteve. Italia dhe Greqia ofrohen per te ndihmuar

Mekanizmi i Mbrojtjes Civile të Bashkimit Europian është aktivizuar me kërkesë të autoriteteve shqiptare. BE ka ndihmuar në mobilizimin e tre ekipeve nga Greqia, Italia dhe Rumania, për të ndihmuar operacionet e kërkim-shpëtimit.

Më 28 nëntor, autoritetet shqiptare aktivizuan përsëri Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të BE, duke kërkuar inxhinierë të strukturës me qëllim vlerësimin e dëmeve në ndërtesa. Italia dhe Greqia janë ofruar për të ndihmuar Shqipërinë në këtë drejtim.

Nga ana tjetër, Delegacioni i BE-së kryesoi një takim me shtetet anëtare, vendet jo anëtarë të BE që marrin pjesë në Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të BE-së, si dhe partnerët e organizatat ndërkombëtare, si agjencitë e OKB, USAID etj., mbi reagimin ndaj emergjencës.

“Bashkimi Europian vazhdon të mbështesë Shqipërinë në këtë kohë të vështira. Ne do të ofrojmë ndihmë në këtë emergjencë për aq kohë sa të jetë e nevojshme. Ekipet e kërkim-shpëtimit, të mobilizuara përmes Mekanizmit Evropian për Mbrojtjen Civile, janë në terren. Do të doja të falënderoja Italinë dhe Greqinë që tashmë ofruan mbështetje shtesë përmes Mekanizmit” -tha Komisioneri për Ndihmën Humanitare dhe Menaxhimin e Krizave, Christos Stylianides.

“Bashkimi Europian ka dërguar një Ekip për Mbrojtjen Civile, i cili po ndihmon autoritetet të koordinojnë reagimin tonë dhe të vlerësojnë dëmet. Qëllimi ynë është të ndihmojmë popullin shqiptar që vuan pasojat e këtij tërmeti” tha Drejtuesi i Skuadrës së Mbrojtjes Civile të BE-së, Peter Glerum.

Ekipi Europian për Mbrojtjen Civile e ka bazën e tij në Delegacionin e BE në Tiranë dhe përbëhet nga ekspertë nga Austria, Franca, Gjermania, Italia, Holanda, Suedia dhe Mbretëria e Bashkuar. Dy ekspertë nga Vlerësimi dhe Koordinimi i fatkeqësive të OKB (UNDAC) janë gjithashtu pjesë e komanduar e këtij ekipi.