Reklame:

Dr. Niko Ferro – Rendesia e Kongresit Kombetar te Lushnjes – “Pas 100 vitesh ende ne pritje te vemendjes se merituar”

Nga Dr Niko FERRO
Kongresi Kombëtar i Lushnjës mbetet padyshim ngjarja më e rëndësishme në historinë e Shtetit Shqiptar. Simbolikisht, Kuvendi i Vlorës është i pazëvendësueshëm, sepse realizoi pavarësinë e Shqipërisë, ndërsa Kongresi i Lushnjës u bë gur themeli për ndërtimin e shtetit shqiptar duke i dhënë jetë parlamentarizmit në vend.
Me mbarimin e Luftës së Parë Botërore, shumë njerëz besonin se trupat pushtuese të dislokuara në territorin shqiptar, do të tërhiqeshin dhe se padrejtësitë e bëra më parë me vendosjen e kufijve do të korrigjoheshin. Por nuk ndodhi kështu….
Këto forca jo vetëm që nuk po tërhiqeshim, por nisën të fortifikonin akoma më shumë pozicionimet e tyre. Siç dihej ato ishin marrë vesh me njëra tjetrën qysh në fillim të konfliktit madje kishin firmosur edhe një Traktat të Fshehtë në të cilin parashikohej copëtimi i Shtetit Shqiptar midis fqinjëve. Këto plane ogurzeza të gatuara në Londër më 26 prill 1915 u mbajtën të fshehta por jo për shumë kohë. Ato u bënë publike për popullin shqiptar në fund të vitit 1917.
Plani i Fuqive të Mëdha për ndarjen e Shtetit Shqiptar krijoi një ndjenjë pasigurie dhe frike tek popullata vendase. Ishin pikërisht këto ndjenja për të cilat kishte nevojë pushtuesi italian. Ata duke u hequr si e vetmja Fuqi “mbrojtëse” që mund ta shpëtonte Shqipërinë nga ndarja e sigurt punonin të pa bezdisur në arritjen e objektiva të tyre. Në lidhje me lajmet e përhapura në vend, që vinin nga Konferenca e Paqes, shqiptarëve u komunikohej se: “nuk ishin aspak të vërteta dhe se Italia po bënte të pamundurën për të ruajtur sovranitetin e Shqipërisë”. Nën pretekstin e “mbrojtjes” ata vazhduan ashtu të pa bezdisur duke bërë marrëveshje dhe pakte të fshehta me grekët dhe francezët, të gjitha në dëm të Shqipërisë. Italianët llogarisnin edhe një tjetër mundësi në rast se Shqipëria nuk do të ndahej, Italisë do t’i jepej sovranitet të plotë mbi Vlorën ndërsa ajo pjesë që ngelej nga Shteti Shqiptar pas krasitjes së dytë nuk do ishte e pavarur por do ishte nën mandatin italian. Siç dukej Italia përfitonte në të dyja rastet.

Të gjetur përpara një situate të paprecedentë dhe të rrezikshme njëkohësisht mbi të ardhmen e Shtetit Shqiptar elementi patriotik u vu menjëherë në lëvizje. Kudo nisën bisedime dhe u hodhën mendime. Lajmi “Atdheu në rrezik” u përhap si gjëmim. Para popullit shqiptar shtroheshin tani dy alternativa të ngriheshin me armë në dorë kundër italianëve apo të veprohej me një zgjidhje të mençur politike. Nëse do zgjidhej alternativa e parë kjo do i jepte pretekst Italisë për të luftuar madje nuk do mungonin as hyrja në luftë e fqinjëve dhe Shqipëria de facto do ndahej. U zgjodh varianti i dytë atë të cilin fqinjët nuk e prisnin.
Si Italianët , po ashtu francezët, pa lënë mënjanë jugosllavët e grekët të gjithë u druheshin faktorit shqiptar dhe se si do reagonte ai ? A do ta pranonte këtë ndarje të re ?
Aty nga fundi i muajt gusht të vitit 1919 paralelisht me kërkesën për thirrjen e Senatit qarkulloi edhe një mendim i ri, atë të mbajtjes së një Mbledhje Kombëtare e cila do mbështetej vetëm tek forcat patriotike shqiptare.
Në fakt të dyja zgjidhjet qoftë mbledhja e Senatit apo thirrja e një Kongresi patën si synim rrëzimin e Qeverisë së Përkohshme të Durrësit. Faktet treguan se ideja e mbajtjes së Kongresit gjeti më shumë mbështetje.
E pikërisht këtu do veçojmë dy organizata politike “Krahu Kombëtar” dhe Komiteti Mbrojtja Kombëtare e Kosovës të cilat u angazhuan fuqimisht për organizimin dhe caktimin e vendit ku do të mbahej Kongresi apo Mbledhja Kombiare siç quhej në atë kohë.
Aty nga fundi i Nëntorit të vitit 1919 në shtëpinë e Abdyl Ypit në Durrës, u mbajt një mbledhje e fshehtë e organizuar nga anëtar të Krahut Kombëtar ku merrnin pjesë: Eshref Frashëri, Sotir Peci, Halim Gostivari, kapiteni Xhavid Leskoviku, Sejfi Vllahmasi, Rexhep Mitrovica, dhe Sali Vuçiterni. Të pranishmit hodhën mendimin që Kongresi të mbahej në Lushnje. Besojmë se përzgjedhja e Lushnjës nuk ishte rastësi, prej kohësh në qytetin e Lushnjës punonte si inxhinier Eshref Frashëri këtu ai u njoh me element atdhetar si Sheh Ibrahim Karbunara, Ikonom Kozma Dhima, Nebi Sefa, Ferit Vokopola vëllezërit Mullaj, vëllezërit Bozo, Emin dhe Ali Vokopola,Taullah Sinani, Bajram Haxhiu, Besim Nuri e shumë të tjerë lushnjarë ithtarë të pavarësisë të cilët e donin me shpirt dhe zemër këtë vend. Vlen të theksohet se edhe popullsia qytetare lushnjare mbajti një qëndrim të vendosur për problemet që lidheshin me të ardhmen e atdheut. Si për koincidencë në kremtimin e përvjetorit të shtatë të pavarësisë lushnjarët në shenjë rebelimi ulën të gjithë flamurët italianë dhe lanë të valëvitej vetëm një, atë kuq e zi.
Përpara se ti komunikohej Sheh Ibrahim Karbunarës vendimin për organizimin e Kongresit në Lushnjë, u kërkua të pyetej fillimisht Iljaz Vrioni në Berat dhe për këtë takim u ngarkua Kapiteni Meleq Frashëri bashkë me Eshref Frashërin, Koço Kotte dhe komandant Ali Koprencka. Pasi morën mbështetjen edhe nga Berati u nisën për në teqenë e Karbunarës tek patrioti Sheh Ibrahim Karbunara i cili ishte njëkohësisht edhe anëtar i Krahut Kombëtar. Shehu nuk kundërshtoi por kërkoi që të ftoheshin në teqe edhe parien e vendit kryetarin e Përlimtares Besim Nuri dhe Nënprefekti Veli Vasjari për ti pyetur nëse ishin dakord me thirrjen e Kongresit në Lushnjë. Takimi u mbajt më 21 dhjetor 1919 të pranishmit sapo mësuan se çfarë e priste të mjerën Shqipëri dhanë mbështetjen kryesore duke deklaruan se nuk do “kursenin as shpirt as gjak që kjo mbledhje të mbahet në Lushnjë” pikërisht këto fjalë e frymëzuan patriotin Ferit Vokopola të qëndiste në arë vargjet e himnit të Kongresit. Pasi u mor mbështetja edhe nga të gjithë kryepleqtë e Nënprefekturës nuk vonuan as ftesat të shkonin në të gjithë vendin. Vajtja në Lushnje ishte e domosdoshme ose “në fund do humbisnim atdheun e dashun” shkruhej në një letërkëmbim.
Kongresi i Lushnjës i hapi punimet më 21 janar 1920 por duke qenë se shumë delegatë mungonin një pjesë të penguar edhe nga qeveria e Durrësit u vendos që punimet të fillonin më 28 janar.
Kongresi i Lushnjës vendosi unanimisht, të shpallë të shkarkuar Qeverinë e Përkohshme të Durrësit, bashkë me të edhe delegacionin zyrtar të dërguar prej saj në Konferencën e Paqes me arsyetimin se ajo “kishte dalë jashtë kornizës për të cilën ishte zgjedhur” dhe se “lëshimet e bëra qofshin këto të përkohshme vinin në rrezik të ardhmen e Shtetit Shqiptar”.
Kongresi i Lushnjës caktoi një delegacion të ri të përbërë nga: Imzot Luigj Bumci, Mehmet Bej Konica, dr Mihal Turtulli.
Kongresi i Lushnjës mori në shqyrtim planet e Konferencës së Paqes së Parisit në lidhje me Shqipërinë, duke i quajtur ato të papranueshme.
Kongresi i Lushnjës u shpreh për pavarësinë e plotë të Shqipërisë, kundër çdo mandati të huaj. Në telegramin e protestës, që iu dërgua kryetarit të Konferencës së Paqes, shpallej botërisht, se shqiptarët ishin gati të bënin “të gjitha sakrificat, madje duke mos kursyer as pikën e fundit të gjakut të tyre, kundër çdo vendimi që do të vinte në rrezik tërësinë tokësore të shtetit shqiptar. Kongresi i Lushnjës miratoi aktin kushtetues. Kushtetutën e parë të vendit.
Në mbledhjen e katërt, që u mbajt më 30 Janar 1920, kongresi formoi një Këshill të Lartë prej 4 vetash, i cili do të përfaqësonte kolegjialisht kryetarin e shtetit shqiptar, derisa të përcaktohej përfundimisht forma e regjimit prej një asambleje kushtetuese. Si antarë të Këshillit të Lartë u zgjodhën: Aqif Pashë Elbasanin, dr. Mihal Turtulli, imzot Luigj Bumçi dhe Abdi Toptani, të cilët nga pikëpamja fetare përfaqësonin të gjitha besimet fetare ekzistuese në vend. Ky këshill do të ushtronte pushtetin ekzekutiv së bashku me qeverinë.
Kongresi i Lushnjës zgjodhi një qeveri të re me Kryeministër Sulejman Delvinën, Ahmet Zogu Ministër i Brendshëm, Sotir Peci Ministër i Arsimit, Hoxha Kadria ministër i Drejtësisë, Hysen Vrioni zëvëndës ministër i Drejtësisë, Ndoc Çoba Ministër i Financave, Idhomen Kosturi zëvendës Ministër i Financave, Mehmet Konica Ministër i Punëve të Jashtme. Mbledhja zgjodhi edhe dy drejtor të përgjithshëm: për Punët Botore Eshref Frashëri (i cili do ishte një lloj zëvendëskryeministri dhe për Postë –Telegrafë Idhomen Kosturi.
Në seancën e pestë pasdreke kongresi zgjodhi anëtarët e Këshillit Kombëtar. U vendos caktimi i numrit 37 të anëtarëve që do të formonin Këshillin Kombëtar si dhe miratoi listën e paraqitur. Në mbyllje Xhafer Ypi falënderoi Lushnjën dhe propozoi që asaj t’i jepej një vend i veçantë deputeti në Këshillin Kombëtar. Sheh Ibrahim Karbunara mori fjalën dhe tha: “Lushnja nuk e bëri për shpagim por e quajti detyrë ndaj Atdheut”. Eshref Frashëri propozoi që t’i shkruhej një letër falënderimi popullit të Lushnjës. Pas këtij momenti historik, kongresi u dha fund punimeve. Vendimet e kongresit u miratuan pak më vonë edhe nga delegatët e tjerë, midis tyre edhe nga ata të krahinave veriore të vendit, që nuk arritën të merrnin pjesë në punime.
Kongresi i Lushnjës, i tregoi botës mbarë se Shqipëria ishte e pavarur dhe e pandashme, çka do të thoshte se shqiptarët, do të luftonin deri në pikën e fundit të gjakut, duke iu dalë kundër planeve djallëzore për copëtimin e Shqipërisë.
Organet që zgjodhi Kongresi Kombëtar i Lushnjës, nisën të vepronin si i vetmi autoritet i Shqipërisë, me fuqi sovrane. Në vetëm pak kohë, qeveria e Tiranës, e dalë nga Kongresi i Lushnjës, u njoh prej të gjithë shqiptarëve dhe u formua kështu një qendër, rreth së cilës mund të mblidheshin të gjitha energjitë e kombit. Aty ku nuk pritej në një situatë të rrezikshme më 11 mars Shkodra futet nën administrimin e qeverisë së Tiranës. Po më 26 maj me anë të një mitingu madhështor bashkohet Korça me rrethina me shtetin amë. Kongresi Kombëtar i Lushnjës kishte ngjallur shpresat dhe iu kish dhënë shqiptarëve një farë besimi në vetvete. E gjithë Shqipëria u mobilizua në rrethet e Vlorës e të Labërisë dhe pastaj, e tërë Shqipëria e Jugut u ngrit me armë në dorë kundër ushtrisë pushtuese italiane. Tërheqja e Italisë nga Vlora sillte si rrjedhim logjik, pavarësinë e shtetit shqiptar.
Kongresi i Lushnjës, me vendimet e tij detyruan Fuqitë e Mëdha të hiqnin dorë nga qëllimet grabitqare. Pas shumë përpjekjesh diplomatike më 17 dhjetor 1920, Shqipëria pranohet në Lidhjen e Kombeve, ndonëse asnjë shtet nuk e kishte njohur.
Kongresi Kombëtar i Lushnjës tregoi më vonë se kishte qenë më i rëndësishmi nga të gjithë organizimet e tjera politike që ishin bërë në Shqipëri pasi disa nga vendimet e tij qëndrojnë akoma edhe në ditët e sotme.
Shpresojmë shumë që qeveria shqiptare të marri vendimin e duhur që Shtëpia Muze “Kongresi i Lushnjës” të marri statusin Muze Kombëtar dhe 21 janari të shpallet festë zyrtare në Republikën e Shqipërisë. (Niko Ferro)