Reklame:

Dita Boterore e Ligatinave – INCA aktivitet ne lagunen e Nartes

Për të festuar ditën botërore të ligatinave, duke risjellë në vëmendjen e njerëzve rëndësinë që kanë ligatinat dhe të mund të sigurojnë mbrojtjen e tyre, INCA në kuadër të projektit ACAP, realizoi një aktivitet me përfshirjen e nxënësve të shkollave të cilat jetojnë afër lagunës së Nartës, si një lagunë me rëndësi të madhe në Shqipëri, por ende nuk është e përfshirë në Konventën e Ramsarit.

Ligatinat përfshijnë afër 6% të sipërfaqes së përgjithshme të globit dhe janë ndër mjediset më produktive. Shërbimet e ekosistemeve ligatinore ofrojnë edhe përfitime të mëdha ekonomike. Vlen të përmendet orizi që është një bimë e zakonshme e ligatinave, dhe shërben si ushqim bazë për më se gjysmën e njerëzimit, pastaj rreth 2/3 e gjuetisë botërore të peshkut janë të lidhura me bregdetin dhe zonat e ligatinave. Gjithashtu, nga vlerat e ligatinave përfitojnë edhe: bujqësia, transporti, energjia, turizmi etj.

Kompleksi dhe ndërveprimi i faktorëve fizik, kimik dhe biologjik i ekosistemeve ligatinore, mundëson që të kryejë shumë funksione, si p.sh. deponimin e ujit, depozitimin e shkarkimeve të shirave dhe rrjedhjeve ujore, stabilizimin e kushteve klimatike, kontrollimin e përmbytjeve dhe të erozionit.

Për shkak të vlerave dhe përfitimeve që ofrojnë ligatinat, shtetet e ndryshme po i kushtojnë vëmendje ruajtjes së tyre. Për këtë dëshmon rritja e vazhdueshme e numrit të ligatinave me rëndësi ndërkombëtare, por edhe i shteteve nënshkruese të Konventes së Ramsarit, që nga viti 1971 e deri më sot.

Ligatinat konsiderohen si “djep i diversitetit biologjik”, duke ofruar ujin dhe produktivitetin primar për ekzistencën e llojeve të shumta të bimëve dhe shtazëve. Ato mbështeten në përqendrimin e lartë të gjitarëve, shpendëve, zvarranikëve, ujëtokësorëve, peshqve dhe llojeve jo kurrizore. 40% e organizmave përdorin si habitat ligatinat. Kjo ditë i dedikohet jo vetëm ligatinave në teresi, por duke përfshirë një faktorë kyç të tyre që është biodiveriteti. Shfrytëzimi i biodiversitetit për qëllime ekonomike dhe fitimprurëse është një nga premisat e zhvillimit të ekonomive lokale dhe kombëtare.

Por shfrytëzimi duhet të jetë njëkohësisht fitimprurës dhe i ekuilibruar, sepse shoqëria e konsumit dhe dëshira për të nxjerrë fitime shumë të mëdha e në një kohë mjaft të shkurtër, kanë sjellë degradimin e ekosistemeve. Diversiteti biologjik dhe varieteti i florës dhe i faunës, ekosistemeve dhe pejsazheve është një nga pasuritë tona më të mëdha. Ne duhet t’ua kalojmë këtë trashëgimi natyrore brezave të ardhshëm si një sistem i qëndrueshëm.

Laguna e Nartës si një lagunë me sipërfaqe të madhe, ka vlera të mëdha ekologjike, ku ndodhen dhe një numër i konsiderueshëm i shpendëve të ujit, si një vlerë e shtuar për të.

Ndër shpendët e ujit më të përhapur mund të përmendim flamingo Phoenicopterus roseus, rosën e egër Anas crecca, laroshja Tadorna tadorna, pelikani Pelecanus cripus, qyrylyku këmbëqirizë Tringa totanus, etj. Gjatë aktivitetit u realizua edhe mbjellja e fidanëve të pishës së butë me pjesëmarrjen e nxënësve të shkollës “Pilo Prifti”, Novoselë shkolla industriale “Pavarësia”, vullnetarë dhe dashamirës të natyrës dhe shoqata lokale (PPNE Vlorë), afër lagunës në Nartës, aktivitet i cili u shoqërua po ashtu edhe me vëzhgimin e shpendëve si një ndër elementët e biodiversitetit të cilët karakterizojnë lagunat.