Reklame:

Termeti: 75 % e fermereve ne zonat e prekura rrezikojne te ardhurat, kane lene tokat djerre

Banorët në zonat rurale që janë prekur nga tërmeti i 26 nëntorit në pjesën dërrmuese i kanë të lidhura të ardhurat e tyre me punën në fushë.

Sipas një anketë që u realizua nga INSTAT rreth 75% e familjeve bujqësore të prekura nga demet e tërmetit mbështeten vetëm në aktivitete bujqësore për të siguruar të ardhurat dhe jetesën e tyre. Pjesa tjetër prej 25% marrin të ardhura nga burime të tjera. Sipas të dhënave mbi 5000 familje janë me banesa të shkatërruara në zonat rurale.

Dëmi në bujqësi në mënyrë direkte është rreth 5 mln euro, por dëmi më i madh është në produktivitet.

Në kushtet kur banesat e tyre dhe fermat kanë pësuar dëme, këto familje do të nënshtrohen mbijetesës për shkak të rritjes së kostove dhe shpenzimeve për të përmbushur nevojat e tyre për konsum.

Fermerët më të varfër të angazhuar në prodhimin blegtoral do të jenë më të prekurit, pasi ata do të pësojnë ulje të të ardhurave dhe do të përballen me kosto të lartë të rikuperimit.

Borxhet e fermerëve mund të rriten pasi aftësitë për të paguar kreditorët e tyre janë më të ulëta. Me ulje të prodhimit dhe të ardhurave, shumë fermerë do të përballen me sfida për të investuar më tej për sezonin e ardhshëm.

Fermerët më të vegjël mund të varfërohen më tej pasi, pasi do të kenë më pak prodhime për të shitur.

Të lashtat kryesore të kultivuara në zonat e prekura nga tërmeti janë perimet, pemët frutore, vreshtat dhe foragjeret. Llojet kryesore të bagëtive në zonat e prekura janë gjedhët, delet, dhitë, derrat dhe shpendët. Mesatarisht, bagëtia është burimi kryesor i të ardhurave për 79% të fermerëve të prekur.

Tërmeti ka krijuar dëme në inputet bujqësore dhe pajisjet, siç janë ushqimi i kafshëve, plehrat, etj. Dëmtimi i makinerive dhe pajisjeve bujqësore ishte i pjesshëm. Mësohet të jetë dëmtuar godina e Institutit për Sigurinë e Ushqimore dhe Veterinarinë. Godina është e plasaritur dhe klasifikuar  e papërdorshme dhe disa nga pajisjet laboratorike u dëmtuan.

Bagëtitë e dëmtuara ishin nën 2%, por efekti i katastrofës në industrinë e shpendëve është disi proporcionalisht më i lartë në krahasim me kafshët e tjera. Stresi te kafshët ka prishur përkohësisht produktivitetin në vezë dhe në qumësht. (Monitor)