Reklame:

COVID-19/ Shtyhet Samiti i Klimes COP26

Është vendosur shtyrja e takimit të COP26 në Glasgou të Skocisë, për shkak të Covid-19.
Njoftimi është bërë në një deklaratë të përbashkët nga Mbretëria e Bashkuar dhe Kombet e Bashkuara, pas një takimi “virtual” të zyrtarëve të të dyja palëve.
Samiti i klimës, i cili ishte parashikuar të mbahej prej datës 9 Nëntor të këtij viti, tani pritet të mbahet përgjatë mesit të vitit të ardhshëm.
Rreth 30,000 delegatë, gazetarë dhe aktivistë mjedisorë mendohej të ishin pjesëmarrës në takimin në Skoci.
Sidoqoftë, ndryshimet në përparësitë e qeverive, të detyruar nga pandemia, mund të shihen qartë në Kampusin e Eventeve në Glasgou, i cili më parë pritej të ishte arena organizuese e takimit por tashmë është shndërruar në një spital të përkohshëm për të strehuar pacientët e prekur nga Covid-19.
Pesë vite më vonë nga marrëveshja historike e Parisit, të gjitha vendet do të vendosnin plane të reja të përmirësuara të veprimeve klimatike duke i parashtruar në këtë takim.
Shtyrja e takimit ishte pothuajse e pashmangshme, duke parë zhvillimet botërore të pandemisë, por disa zyrtarë besojnë se kjo gjë mund të ketë avantazhet e saj.
Qeveritë pritet të shpenzojnë shuma të mëdha parash për të rimëkëmbur ekonomitë e tyre pasi të ketë mbaruar pandemia. Në këtë rast mendohet se, kur samiti të mbahet vitin tjetër, ai mund të shërbejë si një moment i rëndësishëm për të siguruar që paratë do të mund të shpenzohen për projekte të qëndrueshme dhe të rinovueshme.