Reklame:

Skemat Kombetare per Bujqesine 2020/ Lehtesohen procedurat, fermeret do te aplikojne ne e-Albania

Fermerët do të aplikojnë në portalin e-Albania për të përfituar nga  Skemat Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi 2020.

Zv.ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Dhimo Kote eshte shprehur se në kushtet e situatës të masave ndaj COVID-19, aplikimi i fermerëve për të përfituar nga Skemat Kombëtare, nuk do të ketë ngarkesë proceduriale.

Sipas tij, fermerët do të nisin aplikimet në fund të muajit maj. Ndërsa mbështetja më e madhe financiare këtë vit, adresohet për tufën bazë të lopëve dhe të të imtave të matrikulluara.

Kote tha se, thirrjes për aplikime do t’i paraprijë fushata e informimit të gjerë në media dhe online, pasi në kushtet e situatës COVID-19 nuk do të zhvillohen takime me grupe fermerësh në terren, si më parë. Por gjithsesi theksoi ai, për çdo paqartësi do të vihen në dispozicion edhe numrat e gjelbër të telefonit.

Skema Kombëtare e Mbështetjes së Bujqësisë 2020, adreson një fond prej 743,9 milionë lekë nga buxheti i shtetit ku pritet të përfitojnë rreth katër mijë fermerë.

Veç mbështetjes për sektorin e blegtorisë, pjesa tjetër e fondeve do të shkojë për subvencionimin e çmimit të plastmasit, shtimin e sipërfaqeve të mbjella me bimë mjekësore dhe aromatike, certifikimin e produkteve bujqësore dhe fermave organike, si dhe diversifikimin e aktiviteteve ekonomike në zonat rurale.