Reklame:

Kolosoma kunder Procesionares/ UBT nis eksperimentimin per luftimin biologjik te semundjes se pishave

Procesionarja sëmundja e pishave po luftohet me sisteme natyrore, si mënyra më efikase.

Prej dy muajsh në laboratorin e Universiteti Bujqësor të Tiranës, Fakulteti i Pyjeve ka nisur të zhvilloj një eksperiment duke shumuar një insekt kolosoma erë keqe (Calosoma Sycophanta) që hidhet në tokë dhe lufton procesionaren e pishave. Në laborator u zhvillua një sasi e konsiderueshme e insektit në të tre stadet, vezë, larva dhe bulkth. Sasia e parë e këtij insekti erdhi dy muaj më parë nga Turqia.

“Është nga ato punët shkencore që janë të vështira për t’u realizuar por kërkojnë që mbi të gjitha të kesh mend edhe në qoftë se do të niseshim dhe do përpiqeshim ta luftonim procesionarin në rrugën klasike pra të fillonim dhe të prisnim degët e pemëve edhe pastaj t’i digjnim edhe të shpresonim qe nga ky veprim mekanik të kishim një situatë pozitive në pyjet Shqiptare të pishës do të kishim bërë një gabim të paktën përsa i përket pemëve edhe pastaj atë çfarë thonë profesorët do kishim luftuar në minimum pocesionaren vetë si fenomen.”,- tha ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi nga Llogoraja ku nisi eksperimentimi i këtij modeli.

“U zgjodh Parku Kombëtar i Llogorasë, jo se Llogoraja është më e goditur nga Procesionarja, po duhen ruajtur vlerat e këtij parku. Në fillim eksperimenti do të shtrihet në Zonat e Mbrojtura dhe më pas do të zgjerohet në të gjitha zonat e prekura nga kjo sëmundje”,- vijoi ai.

“Gjatë kohës që ishim në shtëpi. Praktikisht përmes Ministrisë kemi marrë një mbështetje për laboratorin të konsiderueshme gati 20 mijë euro, që pajisjet e laboratorike, gati më të mirat, por dhe dy laboratorë fushorë dhe do të vazhdojmë me sistemin e laboratorëve fushor në zonat që janë më të prekura”- tha Leonidha Peri, Dekani i Fakultetit të Shkencave Pyjore, UBT.

Ky është një kontroll biologjik që i bëhet sëmundjes së pishës së zezë, procesionares, një sistem fitosanitar.

“Këto insekte janë përdorur për shtim në laborator ka dy muaj që hedhin vezë. Ne i marrim vezë i inkubojmë dhe i kthejmë në larva, buba e kështu me radhë. Synojmë që në shtimin e tij, të filloj shtimi i tij biologjik, shtimi u tij natyror.

Synimi ynë është që kalosomën ta vendosim në kushtet e shtimit natyror që të shtohet, duke u shtuar në ekosistem, në pyjet e pishave të kufizoj për ta përdorur si ushqim procesionaren, të shtohet vet në mënyrë natyrore dhe pastaj të jetë gjithmonë present në ekosistem të mos e lërë procesionaren që të kaloj limitin e zhvillimit të saj. Ta mbajë nën kontroll dhe të mos kemi më dëme të shkaktuara nga procesionarja në vendin tonë”,- tha Profesor Ramiz Metaliaj.

Ishte pikërisht një takim i ministrit Klosi me ministrin e Mjedisit dhe Urbanizimit së Turqisë, Murat Kurum për dëmet e shkaktuara nga tërmeti më 26 nëntor, ku veç të tjerave u fol dhe për masat në mbrojtje të mjedisit dhe posaçërisht për procesionaren. Ministri turk solli eksperiencën e Turqisë, që këtë sëmundje të pishave e luftonin prej 15 vitesh në mënyrë biologjike me këtë insekt.

Deri tani në Shqipëri është përdorur kontrolli mekanik, duke prerë degët e dëmtuara, dhe më herët akoma kontrolli kimik. Tashmë, do të përdoret kontrolli biologjik, që është krejtësisht në pajtim me natyrën.