Reklame:

Legalizimi i kanabisit/ Sharka: Kriminalizim i ekonomise bujqesore

Eduart Sharka, kryetar i sindikatës “Fermerët e bashkuar”, në një interviste televizive, komentoi draftin e legalizimit të kanabisit për arsye shëndetësore.

Sipas tij, “është ngritur një psikologji që kjo është një shpëtim për ekonominë bujqësore, por asgjë konkrete nuk dimë”.

“Nuk kemi asnjë të dhënë. Është krijuar përshtypja që klima jonë prodhon bimë me cilësi të lartë, por të gjitha këto janë legjenda urbane. Kultivimi ilegal ka krijuar pasojat e veta dhe për të kaluar në ekonominë legale duhen studiuar shumë gjëra. Fermerët kanë mendimin se në rast se është bimë rentabël, atyre nuk do t’i vijë radha ta kultivojnë, por do e kultivojnë ata që quhen “fermerë me kollare”, ata që kanë marrë subvencionet deri më sot. Bujqësia shqiptare ka shumë nevojë për impulse zhvillimi, por në terrin informativ që kemi, futja e një kulture të re prish shumë ekuilibra”, deklaroi Sharka.

Më tej, Sharka shtoi se “me institucionet e brishta të rendit që kemi ne, do të kishim një kriminalizim të ekonomisë bujqësore”.

“Nuk mund të garantohet prodhimi i kësaj bime brenda licencave, siç bëhet në disa vende të tjera”, nënvizoi Sharka, i cili shtoi se fermat e mesme do të kenë vështirësi më pas që të gjejnë punëtorë.

“Bujqësia ka shumë probleme të tjera për momentin që duhen zgjidhur. Bujqësia jonë është pa subvencione, e diskriminuar në krahasim me vendet e tjera të rajonit. Bujqësia nuk merr aq sa jep në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto”, theksoi Sharka. (A2)