Reklame:

Ikja e te rinjve dhe konkurrenca rajonale po tkurrin sektorin e blegtorise, 17 % me pak krere ne 4 vite

Nga viti 2015 në vitin 2019 sektori i blegtorisë ka pësuar rënie te ndjeshme si në numrin e krerëve ashtu edhe në prodhimin e qumështit, duke vërtetuar faktin se tashmë sektori është në një rënie të qëndrueshme.

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, përgjatë katër viteve të fundit numri i gjedhëve u pakësua me mbi 18 mijë me një rënie më shumë se 17 për qind.

Rënia më e mprehtë u vu re gjatë vitit 2019, ku numri i gjedhëve ra me mbi 11 për qind në raport me vitin 2018.

Në krizë gjenden edhe tufëzat e të imtave për të cilat është vënë re një rënie me 8 % në katër vitet e fundit për delet dhe një rënie me 30 për qind numri të dhive.

Kjo ka reflektuar edhe në prodhimit e qumështit i cili është ulur me gati 2 për qind gjatë katër viteve të fundit.

Blegtorët pohojnë se dy janë shkaqet që kanë çuar në këto rezultate negative. Ferit Sokolaj që zotëron një ferme të madhe dhish në zonën e Tropojës, tha se ka ulur me 30 për qind numrin e krerëve dhe shumë shpejt mund at mbyllë biznesin për arsye se nuk po gjen punëtore për tu kujdesur. Emigracioni i lartë i të rinjve sidomos në zonat malore e kanë bërë të vështirë gjetjen çobaneve, teksa ky fenomen po bëhet rrezik edhe për zhdukjen e fermave të vogla familjare e më këtë rast zhdukjen e racave të rralla. Pakësimi i banorëve dhe plakja e tyre po bën që familjet në fshat mos të mbarështojnë lopë.

Ndërsa në fermat e mëdha blegtorale të organizuara si biznes, kostot janë të larta nga mungesa e subvencioneve dhe konkurrenca e lartë nga importi.

Teksa Rajoni dhe sidomos Serbia e subvencionojnë të gjithë zinxhirin e qumështit, në Shqipëri skema e subvencionit nuk ndihmon prodhimin.

Importi i produkteve bulmetore, ku qumështi zë një peshë të konsiderueshme të këtij grupi, u rritën me 22% në peshë  dhe 17% në vlerë. Sipas të dhënave të INSTAT-it referojnë se për 12 muajt e vitin 2019 u importuan 23.4 milionë kg produkte bulmetore me një vlerë 3.8 miliardë lekë. Që prej viti 2013, importet e produkteve bulmetore në vend janë rritur më shumë se 70% në sasi dhe po aq në vlerë.

Të dhënat më të detajuara për kodin doganor 0410, i cili i referohet qumështit, tregojnë se për vitin 2018 (të dhënat për 2019-n ende nuk janë publikuar), janë importuar 9.2 milionë kg qumësht, apo 7.1 milionë dollarë. Në krahasim me vitin 2014, Shqipëria importoi 50% më shumë qumësht nga jashtë.

Kompanitë kryesore të përpunimit të qumështit thonë se janë detyruar që të drejtohen për të blerë në rajon për shkak të mungesës së prodhimit vendas, i cili nuk mjafton për të përmbushur kërkesën e tyre dhe të tregut për produkte bulmetore. Për çdo vit për ta po bëhet më e vështirë për të plotësuar nevojat dhe për këtë detyrohen të importojnë nga vendet e rajonit, shpeshherë edhe me çmim më të lirë se mund ta marrin në Shqipëri, kjo për shkak se vendet e rajonit kanë kosto më të ulëta dhe fermat marrin mbështetje dhe subvencione.